Një lajm i keq për optimistët e reformës zgjedhore
Nga Astrit Patozi –
Të gjithë ata që po shpresojnë në ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, si nisjen e zgjidhjes së krizës, madje disa syresh duke e konsideruar atë ngjarje të sigurt, i ftoj të ndjekin intervistën e sotme të “timonierit”.
Ai thotë se nuk e ka parë kurrë djallin të fshehur pas sistemit, i cili, sipas tij, i paska sjellë vendit kaq e kaq gjëra të mira, saqë ti mund të nisësh e të dyshosh tek vetja, pse nuk ke arritur t’i shohësh dhe t’i ndjesh ato.
Është i njëjti personazh, që kërkoi ndjesë publike për bashkëfajësi në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, pasi “Rilindja” e tij nuk arriti të fitojë zgjedhjet në vitit 2009.
Dhe pyetja e parë që vjen në mendje është se si ka mundësi që të marrë në shpinë një barrë aq të madhe, sa të identifikohet vetë me djallin, vetëm për të mos i ndryshuar rregullat e lojës, të cilat për pak na çuan në përplasje civile dy muaj më parë.
Duke e përligjur vetë në një farë mënyre pretendimin se “zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të ketë”.
Sepse nuk besoj se ka naivë që të besojnë se ai thjesht ka shprehur një opinion dhe se këtë punë ka mundësi që ta rregullojnë Damian Gjiknuri me të tjerët në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Dhe çudia më e madhe është se nga e gjen gjithë këtë siguri, që pala tjetër nuk do ta kërkojë, ndërkohë që ai po i lutet për ta vendosur bashkë dhe mundësisht sa më shpejt se si do të shkohet në zgjedhjet e ardhshme.