Një letër Edi Ramës! – Nga Fatos Tarifa

Letër e hapur drejtuar z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Nga Fatos Tarifa-

I nderuar z. Kryeministër!

Në kushtet e një pandemie globale dhe, si pasojë e saj, edhe të një krize shëndetsore serioze, që prej shumë muajsh ka përfshirë vendin tonë, çështjet për të cilat ju shkruaj më poshtë mund t’ju duken të parëndësishme. Unë ju siguroj, sidoqoftë, se ato kanë një rëndësi shumë të madhe për shoqërinë tonë dhe shpresoj që, pavarësisht angazhimeve tuaja të shumta dhe kohës suaj të kufizuar e shumë çmuar për të përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë që keni si kreu i qeverisë së kësaj republike, do u kushtoni vëmendjen e duhur.

Prej kohësh shoqëria shqiptare rrezikon të humbasë një thesar të paçmueshëm, që përbëhet nga dija që akumulojnë dhe ofrojnë shkencat mbi shoqërinë dhe disiplinat humane. Këto janë lënë thuajse krejtësisht pas dore dhe janë katandisur në një gjendje kaq të mjeruar, saqë, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht dhe në mënyrën e duhur, shumë shpejt do të jetë tepër vonë dhe pasojat do të jenë shumë të rënda. Sepse dija, edhe në këto fusha, është jo vetëm kujtesë sociale, një lidhje me të shkuarën; ajo është, gjithashtu, shpresë sociale, një investim për të ardhmen.

Aftësia për të krijuar dije dhe për ta përvetësuar e përdorur atë në mënyrë të dobishme është karakteristika adaptuese e qenieve njerëzore dhe e çdo organizimi shoqëror. Është përmes dijes që ne, si qenie humane, riprodhojmë vetveten dhe përsosemi gjithnjë e më shumë, si individë dhe si shoqëri. Fushat që përbëjnë objektin e studimit të disiplinave shoqërore dhe atyre humane kanë të bëjnë me mendimin njerëzor, me ndjenjat dhe marrëdhëniet njerëzore. Studimi i sociologjisë, i filozofisë, i historisë, i antropologjisë, i arkeologjisë, i letërsisë dhe i arteve është studimi i vetë njerëzimit. Në fakt, njerëzimi është i vetmi organizëm, i cili ka qenë dhe është në gjendje të studiojë vetveten si diçka e veçantë në botë. Dhe ndërsa një pjesë e studimit të njerëzimit i përket shkencës, pjesa kryesore, që ka të bëjë me konstruksionin e modeleve imagjinativë të kushteve e të eksperiencave njerëzore u përket disiplinave humane. Këto të fundit janë kryesisht disiplina verbale, pasi në qendër të tyre janë gjuha dhe letërsia, si dhe studimi neutral i fjalëve. Rreth tyre vërtiten filozofia, organizimi verbal i ideve dhe historia, e cila, në thelb, s’është veçse aktualizim i memories kolektive.

Në këtë proces, shkolla, veçanërisht universitetet, kanë një rol shumë të madh. Shkencat shoqërore dhe disiplinat humane janë disiplina akademike, të cilat mësohen në shkolla e në universitete. Synimi i tyre është kuptimi dhe interpretimi i eksperiencave njerëzore—si i eksperiencave individuale, ashtu dhe i eksperiencave kolektive—përmes zbulimit e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të së kaluarës dhe transmetimit të saj te shoqëritë e sotme dhe ato të ardhshme. Për shkak të këtij misioni, vlera e këtyre disiplinave dhe e studimeve në këto fusha qëndron jo aq në përgjigjet që ato u japin çështjeve të ndryshme të organizimit të jetës shoqërore dhe atyre që i shërbejnë mirëqenies së shoqërirsë, sesa në faktin që këto disiplina i shtrojnë këto çështje dhe e mbajnë gjallë vëmendjen dhe interesimin e publikut të sotëm për to.

Universitetet, siç ju, z. Kryeministër, e dini fare mirë, nuk kanë vetëm përgjegjësinë dhe misionin që të shërbejnë si burim i zhvillimit ekonomik të një vendi; ata janë, gjithashtu, kritikët dhe ndërgjegjja e shoqërisë. Dhe këtë rol ata nuk mund ta luajnë dot pa kontributin e shkencave shoqërore dhe të humaniteteve. Arsimi i lartë, siç jam i bindur besoni edhe ju, është shumë më tepër sesa thjesht përgatitje për të gjetur një punë, ose për një karrierë të suksesshme profesionale. Ai synon, gjithashtu, që të zhvillojë te studentët aftësi e cilësi që janë të dobishme gjatë gjithë jetës dhe që e përgatisin individin për një jetë të pasur e plot kuptim përtej aktivitetit profesional.

Aftësi të tilla janë të menduarit analitik e kritik, aftësia e të shprehurit saktë dhe qartë, me shkrim e me gojë, bashkëpunimi me individë të tjerë dhe kreativiteti. Këto aftësi mund të fitohen e të përsosen përmes shkencave sociale dhe humaniteteve. Ato janë të dobishme për çdo lloj karriere profesionale dhe në çdo veprimtari, në të cilën individi angazhohet si profesionist në një fushë të caktuar, ose si një qytetar i angazhuar. Siç vinte në dukje filozofi dhe shkrimtari amerikan Walker Percy, “shkenca mund të na japë fakte empirikë si dhe teoritë për t’i lidhur këta fakte me njëri-tjetrin e për t’i kuptuar ata, por janë humanistët dhe artistët ata që i shndërrojnë faktet në narrativa dhe u japin atyre kuptime morale, emocionale e shpirtërore”.

Studimi i dukurive shoqërore dhe dijet që përftohen nga disiplinat humane nuk janë qëllim në vetvete, por në funksion të lidhjeve që ato kanë me njeriun bashkëkohor dhe me shoqërinë e sotme. Mësimdhënia në këto disiplina synon të krijojë te studentët bindjen se dija dhe kultura nuk kanë rëndësi në vetvete, nëse ato nuk u shërbejnë qëllimeve të dobishme për zhvillimin e individit dhe për progresin e shoqërisë. Përveç kësaj, njohuritë tona nuk do të kishin rëndësi nëse ato nuk shoqërohen me vlera, me sentimente, prioritete, vizione, marrëdhënie të ndërsjella me individë të tjerë dhe me vetë shoqërinë, si dhe me realitete të tjerë transcendentalë, që nuk janë subjekt i provave empirike, por që, megjithatë, janë pjesë e formimit tonë kulturor.

Është e vërtetë se shkencat sociale dhe, sidomos, humanitetet, më shumë shtrojnë pyetje sesa u japin përgjigje problemeve të mëdha që lidhen me individin dhe shoqërinë, por pyetjet që ato shtrojnë janë shumë të vështira dhe shumë të rëndësishme. Për shembull: Ç’është e vërteta? Si mund ta dimë se diçka është e vërtetë? Ose, pse besojmë se disa gjëra janë të vërteta dhe të tjerat jo? Po kështu, mbi ç’bazë gjykojmë nëse diçka që bëjmë është e drejtë ose e gabuar për ne vetë ose për shoqërinë. Më tej akoma, cili është kuptimi i jetës? Përse duhet jetuar ajo? A duhet që qëllimi ynë në jetë të jetë lumturia? Dhe a është lumturia një qëllim në vetvete, apo ajo është rezultat i një qëllimi më të rëndësishëm, siç mund të jetë, fjala vjen, marrja e njohurive të reja, ose pakësimi i vuajtjeve?

Secili nga ne përpiqet t’u gjejë vetë përgjigje pyetjeve të tilla. Sokrati thoshte se mënçuria nuk dëshmon gjë tjetër përveçse na bën të kuptojmë se sa pak dimë në të vërtetë. Sokrati ishte arrogant, por në atë çka ai thotë për mençurinë ka mjaft mençuri, sepse prej fjalëve të tij ne kuptojmë se duhet të vemë në dyshim çfarëdo që na është thënë deri më sot dhe çfarëdo që na thuhet për natyrën e realitetit, për qëllimin e jetës, për atë se ç’do të thotë të jesh një person i mirë. Këtu pikërisht qëndron rëndësia e shkencave sociale dhe e humaniteteve: ato na ruajnë që të mos biem në kurthin e dëshirës sonë për siguri të plotë, duke inkurajuar dhe zhvilluar te ne mendimin kritik, i cili, siç vinte në dukje Bertrand Russell, “nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik”.

I nderuar z. Kryeministër!

Nuk them ndonjë gjë të re nëse vë në dukje se çdo shoqëri është përpjekur dhe përpiqet që të krijojë mënyrën e vet të të kuptuarit të sjelljes njerëzore, të ngjarjeve e të dukurive që ndodhin në jetën e saj. Kjo është, ndoshta, shprehje e nevojës për të parashikuar dhe për të planifikuar të ardhmen tonë si shoqëri, dhe jo thjesht një instinkt për të mbijetuar. Përpjekjet për të gjetur një mënyrë të të kuptuarit të marrëdhënieve njerëzore, e cila të ishte njëherësh e saktë, e vërtetë përsa i përket kompleksitetit të këtyre marrëdhënieve dhe e përshtatshme për t’u aplikuar në kontekstin praktik të krijimit të një bote më të mirë, janë, ndoshta, më të hershme edhe sesa krijimi i gjuhës së shkruar. Dëshmi e këtyre përpjekjeve janë dokumentet më të hershëm fetarë dhe filozofikë. Etika e Nikomahut e Aristotelit dhe Republika e Platonit janë, ndoshta, ndër shembujt më të mirë të njohur në literaturën e lashtë greke; kjo e fundit vazhdon të jetë edhe sot vepra më e lexuar në të gjitha kolegjet dhe universitetet amerikane.

Në Perëndim, përpjekjet për të zbuluar një mënyrë të tillë të të kuptuarit të botës shoqërore vazhduan gjatë fazës së hershme të periudhës moderne, veçanërisht në veprat e filozofëve të tillë, si Spinoza dhe Kanti. Sidoqoftë, vetëm në fillim të shekullit të 19-të studimet në këtë fushë nisën të merrnin formën e një disipline teorike moderne, siç është Sociologjia, origjina e së cilës është e lidhur ngushtësisht me industrializimin dhe urbanizimin e Europës Perëndimore. Për këtë arsye, kjo disiplinë mund të konsiderohet si pjellë e revolucioneve borgjezë të shekujve të 18-të dhe 19-të në Europë dhe e ndryshimeve të thella ekonomike e shoqërore progresive që sollën ato, ndërsa vetë mendimi sociologjik si “një mënyrë tipike moderne dhe perëndimore e të menduarit”.

Do të ishte e tepërt—dhe pa shumë rëndësi për argumentet që dëshiroj të shtjelloj—të vija në dukje se objekti i studimit të shkencave sociale (sociologjisë, shkencës politike, shkencës ekonomike, psikologjisë) si dhe vetë bazat teorike dhe metodologjitë e tyre të hulumtimit kanë ndryshuar shumë qysh nga krijimi i tyre në fillimet e periudhës moderne. Por, ndërsa refleksiviteti radikal i modernitetit ka qenë një parakusht për të gjitha shkencat sociale, Anthony Giddens, sociologu më i shquar në kohën tonë, të cilin Tony Blair e kishte këshilltarin e tij, por të cilin ju, z. Rama, kur Giddens vizitoi Tiranën, në pranverën e vitit 2013, nuk gjetët kohë ta prisnit—edhe pse takimin me ju e kërkoi ai dhe ju atëherë nuk ishit kryeministër—e veçon sociologjinë si disiplinën më të interesuar dhe më të specializuar për studimin e vetë modernitetit.

Sipas Giddens-it, sociologjia është njëlloj si moderniteti; ajo është “forma më e përgjithësuar e reflektimit mbi jetën shoqërore moderne”, ashtu sikurse vetë “moderniteti është esencialisht sociologjik”. Shoqëria e sotme, shkruan ai, mund të thuhet se i ngjan një lloj laboratori dhe “jetët tona të përditshme janë bërë gjithnjë e më shumë eksperimentale”. Meqenëse moderniteti përmban mjetet e domosdoshme metodologjike për studimin e shoqërisë moderne, ai është faktori kryesor për të njohur si natyrën e vetë modernitetit, ashtu dhe mënyrën se si arrihet kjo njohje—me fjalë të tjera se si “bëhet” sociologji.

Zoti Kryeministër!

Dy shekuj pas lindjes së sociologjisë dhe pothuaj po kaq gjatë nga koha kur u krijuan disiplinat e tjera shoqërore, me shumë shqetësim vë re se, në Shqipëri, këto shkenca—veçanërisht sociologjia dhe shkenca politike—por edhe disiplina të tjera shoqërore apo humane, si psikologjia, antropologjia, filozofia, historia, arkeologjia—kanë mbetur shumë pas dhe thuajse jashtë vëmendjes dhe interesimit të çdo qeverie që e ka drejtuar këtë vend qysh nga themelimi i shtetit të pavarur shqiptar më 1912.

Unë kam shpresuar sinqerisht se reforma në arsimin e lartë dhe Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, që u miratua gjatë mandatit tuaj të parë qeverisës dhe të cilin unë e kam mbështetur me entuziazëm, do të bënin të mundur një ndryshim pozitiv—përmbajtësor dhe sasior—në shkencat sociale dhe në disiplinat humane. Fatkeqësisht, vë re se gjendja e këtyre disiplinave është përkeqësuar dhe perspektiva e tyre duket thuajse krejt e pashpresë. Dhjetra programe në këto disiplina, thuajse në të gjithë universitetet e vendit, janë mbyllur, ose po shkojnë drejt mbylljes, për shkak të numrit shumë të kufizuar të studentëve që i zgjedhin ato, edhe nëse sociologjia, shkenca politike, filozofia, antropologjia, arkeologjia, studimet kulturore apo studimet gjinore janë pasioni i shumë prej tyre.

Asnjë përpjekje për ta justifikuar, ose për ta “shpjeguar” këtë dukuri me ligjet e tregut kapitalist të punës dhe me konkurencën e profesioneve në këtë epokë dixhitale në të cilën jetojmë nuk mund të shërbejë si një argument. Ndryshimi i kësaj gjendjeje të përkeqësuar në një mënyrë gati fatale kërkon krijimin e një mentaliteti modern dhe një ekspertizë bashkëkohore në Ministrinë e Arsimit, vullnet politik dhe ndërhyrjen e shpejtë dhe energjike të qeverisë dhe, unë do të thoja, përkushtimin tuaj personal, si një njeri i arteve dhe i letrave.

Sot, sikurse ju e dini po aq mirë sa unë, jetojmë në një hiperkulturë. Kjo është një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme. Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese, që nuk njeh asnjë dimension tjetër kohor. Në një shoqëri të tillë, pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, për sa kohë që nuk ka asgjë të përhershme së cilës t’i përkushtohemi.

Ne jetojmë, gjithashtu, në një botë që dominohet gjithnjë e më shumë nga shkenca dhe teknologjia. Kjo nuk ka asgjë të keqe, pasi shkencadhe teknologjia janë komponentët më stimulues, më dinamikë dhe më substancialë të kulturës materiale të njerëzimit. Por, një pjesë e madhe e njerëzve, shumë prej tyre edhe në Shqipëri, në mënyrë të gabuar mendojnë se me globalizimin dhe dixhitalizimin e vazhdueshëm të saj bota e sotme ka e do të ketë nevojë vetëm, ose kryesisht për shkencën, për teknologjinë, për inxhinierinë dhe për matematikën, pra për ato fusha të shkencës e të veprimtarisë që sot njihen kolektivisht me akronimin STEM (Science-Technology-Engineering-Mathematics), ndërsa shkencat sociale dhe, sidomos, disiplinat humane i kanë humbur e do t’i humbasin edhe më tej rolin dhe rëndësinë e tyre.

Ky gjykim është pa bazë dhe krejtësisht i gabuar. Njerëzimi gjithnjë ka pasur e do të ketë nevojë si për shkencat natyrore dhe teknologjinë, ashtu dhe për shkencat që studiojnë shoqërinë dhe institucionet e saj, për artet, për letërsinë, për filozofinë. Madje, sot, gjithnjë e më shumë kërkohen shkencëtarë, të cilët, në studimet, në shpikjet dhe në zbulimet e tyre integrojnë jo vetëm dijet mbi shoqërinë, por edhe artin, si dhe artistë që e kuptojnë shkencën. Kjo është një ndër arsyet që në universitetet perëndimorë stimulohet një kërkim gjithnjë e më i madh ndërdisiplinor dhe multidisiplinor, duke mos i parë shkencat dhe teknologjinë si krejtësisht të shkëputura nga—ose në konkurencë me—disiplinat shoqërore e ato humane dhe, aq më pak, si përjashtuese për njëra-tjetrën.

Zoti Kryeministër!

Sipas përkufizimit të Aktit për Fondacionin Kombëtar për Artet dhe Humanitetet (National Foundation on the Arts and the Humanities Act), miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 1965 dhe amenduar në vitin 1985, termi “humanities” përfshin—por nuk kufizohet vetëm në—“studimin dhe interpretimin e gjuhës (gjuhëve moderne dhe atyre klasike), linguistikën, letërsinë, historinë, jurisprudencën, filozofinë, arkeologjinë, studimet krahasuese mbi fenë, etikën, historinë, kritikën dhe teorinë e arteve, ato aspekte të shkencave sociale që kanë përmbajtje humaniste dhe përdorin metodat e këtyre disiplinave, studimin dhe aplikimin e këtyre disiplinave në mjedisin human, duke u kushtuar vëmendje të veçantë trashëgimisë, traditave dhe historisë, si dhe rëndësisë që kanë disiplinat humane për kushtet e sotme të jetës kombëtare”.

Atyre që pyesin (dhe ju, z. Kryeministër, jam i sigurt e dini se njerëz të tillë të paditur ose skeptikë ka shumë edhe te ne) se pse na duhen humanitetet dhe pse shoqëria duhet të investojë që disiplina të tilla si filozofia, historia, letërsia, ose shkencat “e buta”, si sociologjia, shkenca politike ose psikologjia të mësohen në shkolla e në universitete dhe që në këto fusha të kryhen studime, dëshiroj t’u përgjigjem duke sjellë në vëmendjen e tyre—dhe, me këtë rast, edhe në vëmendjen tuaj—përfundimet në të cilat vinte një Raport për Kongresin Amerikan, i hartuar në vitin 2013 nga Komisioni për Humanitetet the Shkencat Sociale i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave. Ky Komision, i përbërë nga emra të njohur të botës akademike, të korporatave të mëdha dhe të jetës politike në Shtetet e Bashkuara, në raportin e vet, titulluar “Thelbi i çështjes” (The Heart of the Matter), pohonte se: “Ndërsa ne përpiqemi që të krijojmë një debat publik më civil, punonjës më të adaptueshëm e më kreativë dhe një komb më të sigurt, humanitetet dhe shkencat sociale janë thelbi i çështjes dhe mbrojtësi i Republikës—një burim i kujtesës kombëtare dhe i fuqisë publike, i të kuptuarit dhe i komunikimit kulturor, i përmbushjes individuale dhe i realizimit të idealeve tona të përbashkëta. Ato janë shumë të rëndësishme për një shoqëri demokratike dhe kërkojnë mbështetjen tonë”.

Ky është, në gjykimin tim, kuptimi që duhet të kemi edhe ne, në vendin tonë, mbi rëndësinë e shkencave sociale dhe të humaniteteve, dhe në përputhje me të të përqendrojmë vëmendjen tonë në studime të thelluara në këto fusha duke investuar për to, pasi në këtë mënyrë ne investojmë jo thjesht për të studjuar të shkuarën tonë si shoqëri, por edhe për zhvillimin e saj të gjithanshëm në të ardhmen.

Bota e sotme është bërë shumë më komplekse dhe për ta shpjeguar atë bëhet gjithnjë e më nevojshme që të kuptojmë ndërvarësinë që ekziston mes shkencës e teknologjisë, nga njëra anë, dhe disiplinave shoqërore dhe atyre humane nga ana tjetër. Kjo rrethanë kushtëzon nevojën që të kultivojmë te studentët tanë si aftësitë për kërkim të lirë, që i mundësojnë artet liberale, ashtu dhe aftësitë për të zgjidhur probleme, të cilat i kultivojnë më së miri shkenca dhe teknologjia.

Historikisht, shkencëtarët më të mëdhenj i kanë kombinuar dijen dhe zbulimet shkencore me kreativitetin artistik. Kujtoni Albert Einstein-in, mendjen më inteligjente të të gjitha kohëve, i cili, në fëmijërinë e tij, studioi piano dhe violinë dhe të cilin, siç pohonte ai vetë, në moshë të rritur ishte muzika ajo që e ndihmoi të zgjidhte shumë çështje të ndërlikuara. Sa herë që ndeshej me një problem shkencor teorik të vështirë, Einsten do të luante një copë herë në piano, ose në violinë dhe kjo e ndihmonte mendimin e tij të çlirohej e t’i gjente një zgjidhje problemit. Ai thoshte: “Unë jam mjaftueshmërisht artist sa të mbështetem lirisht në imagjinatën time, e cila mendoj se është më e rëndësishme sesa dija. Dija është e kufizuar. Imagjinata përfshin tërë botën”.

Siç ju e dini, Steve Jobs, gjithashtu, fliste vazhdimisht për ndërveprimin mes teknologjisë dhe disiplinave humane, përfshirë dhe artin. Ai vetë merrej një pjesë të mirë të kohës sa me matematikë dhe inxhinieri, aq dhe me filozofi e kaligrafi. Jobs besonte se njohuritë inxhinierike janë të rëndësishme, por po kaq rëndësi ka edhe një dizenjo e mirë. “Ju mund t’u mësoni artistëve se si të përdorin një software dhe mjete grafike”, thoshte ai, “por është më e vështirë t’i bësh inxhinierët artistë”. Në vitin 2010, ndërsa prezantonte iPad-in, Jobs mbahet mend të ketë thënë se: “Është në vetë ADN-në e Apple që vetëm teknologjia nuk mjafton. Teknologjia e martuar me artet liberale dhe me disiplinat humane jep ato rezultate që e bëjnë zemrën tonë të këndojë, dhe kjo e vërtetë nuk shihet askund më mirë sesa në pajisjet që erdhën pas kompjuterave personalë”. Siç e përshktuan atë biografi zyrtar i tij, Walter Isaacson, Steve Jobs ishte një “biznesmen kreativ, pasioni për perfeksion dhe energjia e pashuar e të cilit revolucionarizuan gjashtë industri: kompjuterat personalë, filmat e animuar, muzikën, telefonat, kompjutimin në tabletë dhe botimet dixhitale”.

I nderuar z. Kryeministër!

Qoftë edhe vetëm shembujt e përmendur më sipër mjaftojnë për të ilustruar idenë që dëshiroj të argumentoj. Sot, në një botë që po globalizohet dhe teknologjizohet më shumë se kurrë, njohuritë sociologjike e politike, artet, filozofia dhe disiplinat e tjera humane jo vetëm që nuk e kanë humbur rëndësinë e tyre, por kanë marrë një vlerë edhe më të madhe. Korporatat shumëkombëshe që konkurojnë në tregun global, si dhe organizatat e institucionet ndërkombëtare që merren me çështje të shoqërisë së sotme globale kërkojnë punonjës të formuar në më shumë se një disiplinë, të cilët të jenë në gjendje të mendojnë në mënyrë kreative e kritike dhe të bashkëpunojnë me individë nga vende, kultura e profesione të ndryshme.

Damon Horowitz, një filozof dhe biznesmen i njohur në Silicon Valley, i argumenton më së miri mundësitë e mëdha që ekzistojnë në kufijtë mes teknologjisë dhe arteve liberale. Ai thekson nevojën e një “sistemi operues” që ndihmon të kuptuarit se si mund dhe duhet të zbatohen parimet morale në zhvillimin teknologjik, qofshin këto parime që burojnë nga qasja utilitariste apo konsekuencialiste e John Stuart Mill-it, qofshin parime që rrjedhin nga qasja morale deontologjike kantiane. Sipas tij, “nuk ka kuptim të krijojmë teknologji dhe mjete argëtimi nëse nuk mendojmë seriozisht e paraprakisht për një sistem operues që të jetë i moralshëm. Përgjegjësia që kemi është në proporcion me fuqinë tonë, prandaj, në marrjen e vendimeve etike është e domosdoshme që të jemi të ndjeshëm ndaj shqetësimeve humane”.

Në shoqërinë e sotme globale dhe ndërvarësisht të kushtëzuar, shkencat sociale dhe artet liberale marrin një rëndësi të veçantë. Ato e ndihmojnë individin që të zhvillojë e të përmirësojë aftësitë e veta për të marrë, përzgjedhur e sintetizuar një informacion shumë të gjerë që vjen nga burime të shumta. Studimet në fushën e biznesit e të ekonomisë dëshmojnë se kreativiteti është një ndër pesë cilësitë kryesore që drejtuesit në këta sektorë kërkojnë te punonjësit e tyre.

Një studim i kryer kohët e fundit nga Shoqata Amerikane e Kolegjeve dhe Universiteteve konstatoi se 93% e punëdhënësve në Shtetet e Bashkuara mendojnë se, kur është fjala për të punësuar dikë, “aftësia e një individi për të menduar në mënyrë kritike dhe për të komunikuar qartë është më e rëndësishme sesa fusha në të cilën ai ka fituar diplomën universitare”. Një tjetër studim i kryer së fundmi në SHBA, vjen në përfundimin se 89% e punëdhënësve preferojnë që punonjësit e tyre të kenë aftësi të mira komunikimi me gojë e me shkrim; 81% preferojnë aftësi të mira të të menduarit kritik dhe të të arsyetuarit analitik; 75% preferojnë aftësitë për të analizuar e për të zgjidhur probleme komplekse—të gjitha këto “soft skills” që i kultivojnë shkencat sociale dhe humanitetet.

Në ditët tona, në vendet e zhvilluar të Perëndimit, rezymeja e dikujt që aplikon për punë edhe në një biznes ekonomik ofron më shumë avantazhe nëse ajo pasqyron kulturë më të gjerë e kozmopolite, pasi çdo biznes ka nevojë për njerëz që, me imagjinatën e tyre shkojnë përtej marrëdhënieve të përditshme dhe mund të komunikojnë efektivisht rreth misionit dhe vlerave të biznesit të tyre me individë nga kultura të ndryshme. Disa të dhëna prej vendeve më të zhvilluar e ilustrojnë më së miri këtë fakt. Një studim i kryer bashkërisht nga Harvard dhe Duke University pak kohë më parë me 652 CEO dhe drejtues të departamenteve të prodhimit në 502 kompani të mëdha teknologjike në Shtetet e Bashkuara dëshmoi se 60% e tyre kishin një diplomë në shkencat sociale, ose në një prej disiplinave humane, ndërkohë që vetëm 37% kishin studiuar për inxhinieri ose teknologji informacioni dhe vetëm 2% për matematikë.

Në Britaninë e Madhe, në vitin 2011, 65% e anëtarëve të parlamentit të atij vendi kishin kryer studimet universitare ose në shkencat sociale, ose në një prej disiplinave humane apo në arte dhe vetëm 10% kishin një diplomë në fushën e shkencave natyrore apo teknike. Nëse mbajmë parasysh se vlera ekonomike e universiteteve britanikë, të marrë së bashku, llogaritet në mbi 70 miliardë USD dhe se 54% e të gjitha diplomave që fitohen çdo vit në universitetet angleze u përkasin disiplinave humane dhe shkencave sociale, kuptohet se investimet për këto të fundit dhe vlera e tyre ekonomike në shoqërinë britanike janë të konsiderueshme. Po në Britaninë e Madhe, dy të tretat e atyre që përfundojnë studimet në shkencat sociale dhe në disiplinat humane punësohen në sektorin privat, kryesisht në sektorët financiarë dhe në ata të biznesit, që janë ndër sektorët me zhvillimin më të shpejtë në ekonominë e atij vendi.

Nga një studim i kryer në Kanada në fundin e viteve 2000, rezultoi se studentët e diplomuar në disiplinat humane punësohen në një masë thuajse të barabartë, ose të ngjashme me ata që diplomohen në disiplina të tjera. Kështu, ndërsa shkalla e punësimit për të gjithë ata që përfunduan studimet universitare në kohën e atij studimi ishte 94.4%, për studentët e diplomuar në histori kjo përqindje ishte 96.4%, për studentët e diplomuar në fushat e inxhinierisë 95%, për ata të diplomuar në artet e bukura e të aplikuara 94%, ndërsa për të diplomuarit në disiplinat e tjera humane dhe në shkencat sociale 91%.

I nderuar z. Kryeministër!

Unë përmenda vetëm tre prej vendeve më të zhvilluar të globit—Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë—por nuk kam arsye të besoj se në Japoni, më Australi, në Francë, në Vendet e Ulëta ose në vendet skandinave realiteti është ndryshe. A nuk janë këta fakte të mjaftueshëm për t’u shqetësuar, si shoqëri dhe si shtet, se çfarë nuk shkon te ne, se ç’duhet bërë që, krahas interesimit për zhvillimin e atyre fushave të shkencës e të teknologjisë që shkojnë me prirjet e sotme të zhvillimit shkencor e teknologjik, të mos lëmë pas dore shkencat shoqërore dhe humanitetet? Cila qeveri shqiptare deri më sot ka menduar seriozisht për këto disiplina të braktisura, ose të lëna në mëshirë të fatit, ose në mëshirën e një tregu të pazhvilluar e të padiversifikuar kapitalist?

Pse nuk bëheni ju, z. Rama, i pari kryeministër i këtij vendi që i kthen sytë dhe vëmendjen nga këto fusha të arsimit, të shkencës e të dijes? Të mos harrojmë se humanitetet kanë qenë dhe janë ruajtësit e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Përmes tyre njohim, çmojmë dhe shijojmë thesaret e paçmueshëm që përmbajnë artet, letërsia, historia, filozofia, kultura botërore dhe ajo e çdo vendi të veçantë, pra edhe e vendit tonë. Përveç kësaj, artet e të gjitha llojeve dhe letërsia e të gjitha zhanreve kanë jo vetëm një funksion njohës e formues, por edhe kryejnë një funksion argëtues, të pazëvendësueshëm nga asnjë formë tjetër e veprimtarisë kreative njerëzore. Ato e pasurojnë si asgjë tjetër jetën tonë, duke e bërë atë më të virtytshme. Dhe, siç thoshte Sokrati, e mira më e madhe për njeriun është të flasë për virtytet çdo ditë, pasi një jetë që s’mban parasysh virtytet nuk ia vlen të jetohet.

Unë do të dëshiroja që ju, z. Rama, si kreu i qeverisë shqiptare, por edhe si një personalitet në fushën e artit e të letrave, në traditën më të mirë të humanizmit e të iluminizmit europian të bëheshit një zë i fuqishëm që na thërret të gjithëve të mblidhemi në strehën e përbashkët të humanitetit tonë, me çka nënkuptoj ndërvarësinë tonë prej njëri-tjetrit si qenie njerëzore dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi, duke i njohur dhe çmuar siç meritojnë kreativitetin dhe shpirtin kulturor të popullit tonë, si dhe trashëgiminë e pasur botërore që na kanë lënë dhe që e pasurojnë çdo ditë e më shumë shkencat mbi shoqërinë dhe artet liberale.

Është e paimagjinueshme, profesionalisht skandaloze për shkollat dhe universitetet tona dhe politikisht e shoqërisht e pafalshme për çdo qeveri shqiptare që pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe, sidomos, e të rinjve shqiptarë nuk i njohin Sofokliun, Platonin, Aristotelin, Danten, Shekspirin, Erazmin, Dekartin, Hobsin, Lokun, Kantin, Gëten, Millin, Marksin, Niçen, Weberin, Uilliam Xhejmsin, Frojdin—me një fjalë, figurat më të mëdha të qytetërimit perëndimor. Këta nuk janë të rëndësishëm e të dobishëm vetëm për europianët, ose vetëm në kontekstin europian. Idetë dhe fryma e tyre kanë vlerë universale. Ato kanë qenë, janë e do të jenë të dobishme edhe për ne, shqiptarët, nëse i studiojmë në shkolla e në universitete.

I nderuar z. Kryeministër!

Sa shtjellova dhe sugjerova më sipër nuk kërkon ndonjë përpjekje kolosale nga ana e qeverisë suaj. Që disiplinat sociale dhe një varg disiplinash humane, tashmë në agoni thuajse të plotë, të mos vdesin dhe programet e tyre në universitetet tanë të mos mbyllen, këto disiplina, siç parashikohet edhe në ligjin për arsimin e lartë, duhen të konsiderohen e të trajtohen nga shteti si disiplina dhe programe të mbrojtura dhe të mbrohen realisht duke investuar për to.

Unë do të sugjeroja që në universitet publikë të kufizohen kuotat e pranimit të studentëve në ato degë që janë në “modë”, si biznesi, financa apo drejtësia, por për të cilat tregu shqiptar është i tejmbushur. Me këtë nuk dua të them që të rinjtë që zgjedhin të studiojnë në këto degë të privohen nga e drejta për të studjuar në to. Nëse kërkesat për këto degë në universitetet publikë mbeten të larta, studimet në to duhet të përballohen nga vetë studentët në atë masë që mbulon koston reale të studimeve.

Nga ana tjetër, për të inkurajuar dhe rritur numrin e studentëve në degët e shkencave shoqërore dhe në disiplinat humane, qeveria mund të konsiderojë mbështetjen e tyre me bursa, pavarësisht nëse universitetet në të cilët ata zgjedhin të studiojnë janë publikë apo privatë.

Do të sugjeroja, gjithashtu, që në konkurset për punësim në administratën publike të vlerësohen me përparësi ata individë të cilët, nëse përmbushin kriteret ligjorë formalë, janë diplomuar në shkencat sociale dhe në humanitetet. Në këtë mënyrë, ashtu siç ndodh në shumë vende të zhvilluar perëndimorë, administrata publike do të diversifikohej e do të përmirësohej me prurje që vijnë nga fusha të ndryshme të disiplinave shoqërore e humave.

Një tjetër sugjerim do të ishte që, nga fondi kombëtar për kërkime shkencore, pjesa që shkon për kërkime në shkencat shoqërore dhe në disiplinat humane të jetë e njëjtë, ose e përafërt me atë atë që shkon për kërkime në shkencat fondamentale dhe ato të aplikuara, ose për inovacione në teknologji.

I nderuar z. Kryeministër!

I bindur se shumë nga problemet dhe shqetësimet që parashtrohen në këtë letër janë edhe për ju probleme dhe shqetësime reale, shpresoj që ju, këshilltarët dhe ndihmësit tuaj t’i vlerësoni ato me seriozitetin që meritojnë në dobi të sistemit tonë arsimor dhe në të mirën e shoqërisë shqiptare.

Me respekt,

Prof. Fatos Tarifa, PhD

Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

SHKARKO APP