Një letër për gazetarët e rinj, veten dhe median shqiptare
“Ju kolegë, drejtorin e policisë së Tiranës e telefononi edhe për ti shpëtuar ndonjë gjobe për mosvënien e rripit të sigurimit. Me Drejtorin e Përgjithshëm bëni selfi-e, ndërsa Ministri i Brendshëm, kujdeset që në mëngjes t’ju pyesë: Hë çuna u çlodhët noj çikë? E morët vetën? Mos u mërzisni nga kritikat. Do të bëjmë sërish lajme të mira bashkë”…
Nga Mentor Kikia
Të dashur kolegë të rinj! Një vërejtje e imja lidhur me pjesëmarrjen e organizuar një grupi gazetarësh në një operacion të policisë për korrjen e canabisit, mori disa reagime nervoze nga ana juaj. Tipike nga ato shqiptaret: U bë ky të na japë mend…Disa madje shkruajtën se nuk i presin vërejtjet nga gjithologët, analistët dhe ata që punojnë komodë nëpër zyra. Dua t’ju sqaroj se nuk bëj pjesë tek asnjë nga këto kategori. Nuk kam lindur kryeredaktor dhe nuk jam produkt labradori redaksie. Përkundrazi, kam kaluar në vrimë të gjilpërës, më ka lagur shiu e më ka djegur dielli nëpër rrugë, për shumë vite me radhë. Megjithatë, kjo nuk është një replikë. Por një letër për ju, për veten dhe për shumë kolegë, për të ndarë në këtë mënyrë një shqetësim të madh për atë se ku jemi katandisur ne, media dhe pushteti i saj.
Kolegë! Kur isha më i ri se ju dhe kisha nisur të ndiqja lajmet e kronikës së zezë, si korrespondent i “Gazeta Shqiptare”, shefi i policisë kriminale në Elbasan më thërriti në zyrë. Me tundi prangat para syve dhe shkumëzonte. Ai ishte nga ata që kishin vuajtur në komunizëm. Sapo kishte fituar lirinë dhe mendonte se të gjithë ata që kritikonin qeverinë demokrate janë komunistë. Në fund më tha: “Nga sot, para se ti dërgosh lajmet në gazetë, do të vish të mi tregosh mua”. Nuk ia pashë më surratin…
Pak vite më pas, në Tiranë… komunikata e policisë, ajo që sot na vjen me e-mail, ishte sekret dhe e merrte vetëm një gazetë mercenare e policisë dhe SHIK-ut, që për fat nuk është më. Një kolegu ynë, që punonte atje, na e jepte hua mua dhe Alfred Pezës vjedhurazi, dhe ne e kopjonim pas ndonjë cepi pallati që të mos na shikonin. Bashkë me Pezën na kanë qëlluar e rrahur në mes të rrugës, e na kanë arrestuar edhe për një shkrim.
Në të njëjtën kohë… Pas disa kërkesash, më në fund drejtori i policisë së Tiranës pranoi të më takonte. Tërë natën nuk fjeta. Mendova e rimendova pyetjet që do ti bëja. Ishte intervista e parë me një drejtor policie. Por, kur hyra, s’më la kohë as të ulem. “Të prita për të të thënë që mos guxo më të kritikosh policinë. Tani dil jashtë”. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë telefononte rregullisht në redaksi dhe kërkonte llogari për lajme që nuk i pëlqenin. Aq sa Lorenc Vangjeli nxori shprehjen: “Kujdes gabimet ortografike se na bërtet Agim Shehu”. Këto nuk i kujtova për të treguar heroizma, por për të treguar frymën e kohës.
Ndërsa sot, ju kolegë, drejtorin e policisë së Tiranës e telefononi edhe për ti shpëtuar ndonjë gjobe për mosvënien e rripit të sigurimit. Me Drejtorin e Përgjithshëm bëni selfi-e, ndërsa Ministri i Brendshëm, kujdeset që në mëngjes t’ju pyesë: Hë çuna u çlodhët noj çikë? E morët vetën? Mos u mërzisni nga kritikat. Do të bëjmë sërish lajme të mira bashkë.
Janë “epoka” që ndryshojnë si nata me ditën. Por janë njësoj të dëmshme për profesionin tonë. Madje, më besoni, kjo e sotmja është edhe më e dëmshme. Dikur edhe na rrihnin e burgosnin, por lajmi ishte i lirë. Ndërsa sot, ne jemi të lirë, por lajmi është i burgosur.
Fara e Alastair Campbelit, Papës së PR-it politik dhe mjeshtrit të mashtrimit e përpunimit të opinionit publik, përmes manipulimit dhe përdorimit të medias, është përhapur në tërë botën tashmë. Në Shqipëri kjo farë ka hedhur rrënjë e është përhapur më keq se fara e canabisit.
Siç e dini tashmë, qeveria dhe të gjithë institucionet e saj vartëse, i prodhojnë vetë shumicën e lajmeve, përfshi edhe policinë në shumicën e rasteve (përjashtuar ngjarjet kriminale). Edhe partitë i bëjnë vetë lajmet e tyre. Publikohet vetëm çfarë ato duan. Një proces që nisi si një “masë lehtësuese” për mediat në fushata elektorale, tashmë është bërë normë. Dalëngadalë, nga gazetarë ne po shndërrohemi në tellallë, në shpërndarës lajmesh të parafabrikuara. Gjithnjë e më shumë ne po bëjmë lajmet që duan ata e jo lajmet që duam ne. Pa shtuar këtu “censurën” e pamëshirshme që vjen nga zyrat e marketingut. Është e papranueshme për ne, që në çdo fundviti, u përgjigjemi ftesave për dreka e darka që ministrat shtrojnë për gazetarët që mbulojnë institucionet e tyre. Është e rëndë që tufa gazetarësh të shkojnë në ekskursione jashtë vendit me paratë e institucioneve. E çfarë gazetarësh do të jemi ne pas kësaj? Po flas këtu për çështje që varen nga ne, jo nga pronarët.
Nuk po i referohem këtu rastit të operacionit antikanabis, por tërë mjedisit në të cilin ne punojmë sot dhe që po na largon gjithnjë e më shumë nga misioni ynë, për të qenë raportues të pavarur dhe denoncues të korrupsionit. Shprehja se “ishim më mirë kur ishim më keq”, më duket se po merr kuptim gjithnjë e më shumë. Pushteti i Medias ka rënë, është zhvlerësuar.
Kolegë të rinj?
Kjo nuk është letra e një të dëshpëruari, që pasi ka arritur të bëjë realitet ëndrrën më të madhe të jetës së tij, e shikon tashmë ti shkërmoqet. Kjo është një ftesë për të mos u dorëzuar. Unë jam shpresë plotë tek brezi juaj, që ti rezistojmë të keqes për tu ngritur.