Një lëvizje për demokracinë vendore
Nëse kurrkush nuk i monitoron përditë qeveritë vendore, nëse askush nuk bëhet zëdhënës i banorëve të asaj zone, si mund të funksionojë demokracia vendore? Dhe ne shpesh harrojmë lidhjen e thjeshtë zinxhir mes politikës vendore me atë qendrore. Ne harrojmë se, problemet që janë në rajonet e Shqipërisë…
Nga Dr. Alban Tartari
Në javën e dytë të dhjetorit u mblodhëm në Tiranë me një grup studiuesish, gazetarësh dhe drejtuesish të medias në një konferencë shkencore universitare lidhur me median vendore pas procesit të dixhitalizimit. Konkluzioni i punimit tim ishte: dixhitalizimi do të ndihmonte në institucionalizimin e mediave vendore, por nga ana tjetër edhe do t’i vështirësonte ato nga ana financiare. Pra, mediat vendore mund të shkojë drejt pamundësisë për të kryer misionin e tyre publik, rolin e “qenit roje” pranë dhe përballë qeverive vendore, informimin e qytetarit dhe promovimin e vlerave më të mira social-kulturore dhe sportive. Media duhet të luajë rol që problemet e asaj zone të trajtohen aty.
Pra, nëse kurrkush nuk i monitoron përditë qeveritë vendore, nëse askush nuk bëhet zëdhënës i banorëve të asaj zone, si mund të funksionojë demokracia vendore? Dhe ne shpesh harrojmë lidhjen e thjeshtë zinxhir mes politikës vendore me atë qendrore. Ne harrojmë se, problemet që janë në rajonet e Shqipërisë, vijnë edhe në qendër, aty ku qeveriset gjithë vendi. Shpesh vihet re që shumë çështje vendore, tentohen të zgjidhen me mentalitetin e Tiranës, me mjetet e Tiranës dhe mediat e Tiranës. Dhe shumë shpesh kjo nuk funksionon.
Në leksionet me studentët në Tiranë, shpesh kam vënë re që çdo shembull që jepet, çdo ilustrim, çdo reagim tenton të përqendrohet dhe të analizojë qeverinë qendrore, apo organizma të shtetit që ndodhen në Tiranë. Këtë e bëjnë të gjithë studentët, përfshi edhe ata që vijnë nga rajone të tjera të Shqipërisë. Kur i pyes, ata konfirmojnë fuqishëm atë që dimë tashmë: nonsensin e marrjes së gjithsecilit edhe në zonat më të largëta të vendit me “politikën e madhe”. Dhe në fakt, neve na duhet “politika e vogël”, ajo politikë që ka të bëjë me përditshmërinë e qytetarit, me ekonominë e tij, shërbimet arsimore dhe shëndetësore që merr, infrastrukturën në këto zona, rendin dhe sigurinë etj.
Pra, tej temave të mëdha të Tiranës, janë temat e vogla ato që e bëjnë të tërën. Në një bisedë që kreva me studentët për atë që ne e quajmë pushteti vendor dhe lidhjen me Bashkimin Europian, shumica e studentëve pyetën se ç’lidhje kishin këto të dyja… Ata mendonin që BE ka punë vetëm me qeverinë në Tiranë dhe specifikisht me Ministrinë e Integrimit… Nuk ka nevojë për detaje për të kuptuar sesi ne sistematikisht i kemi mbivlerësuar të gjitha gjërat që ndodhin në Tiranë… dhe rrjedhimisht kemi nënvlerësuar gjithçka tjetër ndodh në rajone.
Në këtë këndvështrim, një shembull që mund të jepet në rigjallërimin e vëmendjes ndaj qeverisjes vendore është LëvizAlbania. Kjo lëvizje e shoqërisë civile (bazuar në një model zviceran) synon pikërisht të na lëvizë nga vendi dhe të na bëjë të mendojmë jo vetëm ato që thuhen e s’thuhen, bëhen apo nuk bëhen në Tiranë. Shpesh, janë pikërisht vetëm ato që thuhen që mbushin mediat dhe jo ato që bëhen. Shpesh, retorikat boshe politike marrin vëmendjen parësore; retorika që nuk zgjidhin asgjë, veç rritin tensionet mes njerëzve përmes komunikimit agresiv politik.
Një element që duhet veçuar është mbështetja ndaj mediave vendore, në mënyrë që ato të mbijetojnë në kushtet e vështira të tregut të lirë. Biznesi nëpër rajone nuk është aq i fuqishëm sa bizneset e mëdha të Tiranës që shpesh mbajnë në këmbë me buxhete reklamash mediat e mëdha.
Një element tjetër për të cilin duhet vlerësuar LëvizAlbania është zgjimi i medias vendore lidhur me problematikat e këtyre rajoneve. Dhe shpesh njerëzit, të cilëve nuk u intereson politika e madhe, por jetesa e familjeve të tyre, gjejnë një tribunë, ku mund të ngrenë probleme dhe shqetësime, të cilat nëse adresohen drejt dhe aty ku duhet, mund të futen në rrugën e zgjidhjes. Në këtë pikë, LëvizAlbania insiston në fuqizimin e individit. Pikërisht në këta 25 vite të demokracisë, duhej luftuar për një individ të fortë në shoqëri dhe jo për një politikë të fortë që është mbi individin. Ka një çerek shekulli që ka ikur tashmë koha kur individi ishte pjesë “e masave”. Tashmë çdokush duhet ta ketë të drejtën, lirinë dhe mundësinë ta thotë fjalën e tij dhe të kërkojë zgjidhje për ato që nuk funksionojnë. Me zhvillimet teknologjike dhe shtrirjen e kudondodhur të internetit, nuk mund të flitet më për qytetarë pasivë! Dhe kjo pjesëmarrje, i bën mirë demokracisë sonë. LëvizAlbania është shembulli se si shoqëria civile mund të bashkëpunojë me median dhe qytetarët në të mirë të demokracisë.
Mëse një dekadë më parë gjatë një mbledhjeje të pasdites në redaksinë e lajmeve të TVSH, ne si gazetarë bëmë gjeografinë e lajmit pas një bisede me drejtuesin dhe gazetarin e njohur Lutfi Dervishi. Pra, ne nxorëm pikat gjeografike nga ku buronin lajmet e edicionit që sapo kishte përfunduar. Dhe lajmet nisnin me institucionet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe mbaronin në njërin skaj te hotel “Tirana” dhe në skajin tjetër te hotel “Sheraton”. Pra, gjithë Shqipëria jonë e 1913-ës, ishte katandisur edhe më e vockël, thjesht në një bulevard!
Pikërisht, duhet më shumë demokraci vendore dhe më shumë zë nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, që vendi ynë të mos katandiset vetëm në një bulevard.