Një marsi si dita e parë e pranverës politike pas një dimri 30-vjeçar
Nga: Red Varaku
Dje nuk ka qenë vetëm dita më e vështirë në kuptimin politik për këtë kryeministër për shkak të dy ngjarjeve me një peshë shumë të rëndë politike kundër tij, por ka qenë njëkohësisht dhe dita më e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e saj drejt Perëndimit.
Brutaliteti me të cilin e trajtoi Brukseli këtë kryeministër, ishte padyshim një ngjare jashtëzakonshme. Kthimi i tij në Shqipëri pa një datë për hapjen e negociatave sigurisht është një shpullë e qartë për të dhe një mesazh i qartë popullin shqiptar. Fakti që u kthye pa një datë dhe u paralajmërua hapur që të mbante larg duart nga zgjedhjet, ishte një presion i hapur dhe një shpullë aspak diplomatike edhe për të gjithë naivët dhe ata që e shitën këtë udhëtim të tij drejt BE si sukses.
Mungesa e një date për negociatat shemb dhe rrëzon çdo pretendim , ndërsa vendosja e këtyre zgjedhjeve si kryekusht për integrimin si dhe akuzat për vjedhje votash, nuk dëshmojnë vetëm vendosmërinë e miqve të Shqipërisë për rikthimin e demokracisë në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë , por njëkohësisht tregojnë refuzimin e hapur për regjimin e tij dhe mbështetjen e qartë të BE ndaj Shqipërisë si vend kandidat për tu bërë anëtar dhe ndaj forcave pro-demokratike shqiptare .
Në terma politikë ky nuk është vetëm një dështim i madh, por është një paralajmërim i BE-së ,që ky kryeministër duhet të lejojë zbatimin e reformës zgjedhore, që në fakt është dhe kryekushti për hapjen e negociatave. Ky qëndrim i BE gjithashtu është dhe një vërejtje e hapur reformën në drejtësi dhe nominalisht për SPAK, i cili sipas tyre është i kapur nga ky kryeministër, ndryshe nuk kanë pse i kërkojnë një kryeministri të ndëshkojë krimin elektoral, sepse kjo është detyrë e institucioneve të reja të drejtësisë.
Por, ndërkohë që Rama merrte refuzimin përfundimtar nga Brukseli, në Shqipëri po ndodhte një ngjarje shumë e madhe politike ,e cila i dha fund të gjitha spekulimeve dhe hamendësimeve të bëra sistematikisht nga matrapikët e kryeministrit nëpër studiot tekevizive, koalicioni PD-LSI i cili jo rastësisht u shpall në ditën e parë të pranverës.
Kjo sepse kjo marrëveshje është vula që garanton dhe betonizon bashkimin e opozitës aq shumë të vënë në dyshim gjatë gjithë kësaj kohe, duke rrëzuar çdo argument kundër. Pas kësaj marrëveshje kushdo që tenton të argumentojë të kundërtën thjesht flet pallavra, sepse një koalicion politik është në frymë dhe besim dhe jo në akte formale.
Kjo marrëveshje dhe formula e e perzgjedhur për të kandiduar si koalicion me dy lista, administron plotësisht frymën anti-rregjim, duke krijuar një sintezë që zbret deri në bazë dhe duke garantuar edhe matematikisht fitoren për këtë koalicion në tavolinë.
Siguria për rrotacionin, është një element shumë i rëndësishëm në këto momente, sepse vret frikën që ka arritur të mbjellë ky rregjim tek qytetarët, përmes krimit të krimbur ne para dhe pushtet, të cilin e ka instaluar në cdo qelizë të shtetit. Në këtë kuptim një marsi nuk është vetëm dita e fillimit të një stine të re siç është stina e pranverës , por në kuptimin simbolik është dhe nisja e një stine të re politike për popullin shqiptar, pas një dimri të acartë 30 vjeçar.
Kjo ditë do të mbetet një ditë shumë e rëndësishme për zhvillimet politike ne vend dhe nuk do të mbahet mend vetëm si dita që vulosi rrugën pa kthim të kësaj mazhorance ilegjitime drejt fundit, por dhe si dita që shënoi fillimin e fundit të tranzicionit dhe dita kur Shqipëria nisi rrugëtimin drejt një stine të re, drejt një epoke të re.