Një mesazh për Bashën apo për Ramën?
Nga Skënder Minxhozi/
Ilir Meta ka gjuajtur me një gur, nga vendi i tij origjinës Skrapari, dy zogj të tonazhit të rëndë të politikës shqiptare. Duke ju përgjigjur kreut të opozitës, për kërkesat e përsëritura për dorëheqje, shefi i LSI ka shprehur publikisht habinë, sesi opozita mund të kërkojë kokën e kreut të legjislativit, e jo atë të kreut të ekzekutivit. Një aludim i qartë se mes dy politikanëve në fjalë ka një flirt, një aleancë.
Kjo është në fakt vetëm një rrufe e vogël, në qiellin gri plot re e vetëtima të aleancës së majtë. Përkundër verës së nxehtë, gjatë së cilës Rama dhe Meta “u lanë në një det”, tani duket se ka ardhur koha e akuzave gjithnjë e më të drejtpërdrejta. Me deklaratën e mësipërme Ilir Meta ka nënkuptuar thuajse në mënyrë të hapur, një aleancë në distancë mes Ramës dhe Bashës. Nga ana tjetër, LSI bashkon votat në provincë me PD, kurse deputetët e saj në Kuvend po fillojnë të kushtëzojnë përherë e më hapur ligje dhe reforma. Duket si një martesë së cilës i ka mbaruar ndjenja dhe dashuria, e që vazhdon vetëm për hir të interesave të përbashkëta që lidhen me pushtetin.
Nuk është vetëm ndryshku dhe mëria që la pas fushata elektorale e zgjedhjeve lokale, ku PS akuzoi “pa zë” Metën se orientoi vota drejt kandidatëve të djathtë në këmbim të votave për këshillat, kurse LSI ja faturoi Ramës humbjen e gjashtë qyteteve të vogla ku garonte me njerëzit e saj. Në fakt nervozizmi aktual po ushqehet më së shumti nga ekspozimi i ri që po tentohet t’i bëhet kryetarit të LSI me rastin e hetimeve të aferës së CEZ. Përfaqësues të LSI kanë qenë të paqartë, kur janë pyetur nëse është qeveria ajo që ka furnizuar për mediat të dhënat e artikujve të fundit akuzues për Metën.
Duket se gjithnjë e më shumë zhurma e CEZ po tingëllon në veshët e Ilir Metës, si një kurth i përgatitur nga një regji me shumë duar dhe butona. E kjo e shton ftohjen dhe distancës mes tij dhe socialistëve, në një etapë kyçe të mandatit të majtë. Dy vjet pas marrjes së detyrës nga kabineti Rama, është ky e jo një tjetër, momenti për diskutuar e vendosur për ndërrime ministrash. Zërat brenda të majtës thonë se ka qenë Rama që e ka bllokuar këtë proces, duke mos i dhënë kështu mundësi Ilir Metës, që të faktorizohet politikisht, duke u bërë bashkëpronar i listës së re të anëtarëve të kabinetit qeveritar. E kjo bën që problemet e qeverisjes të duken artificialisht si më pak të rëndësishme, sesa marrëdhënia mes krerëve të saj. Një situatë tipike shqiptare, ku raportet njerëzore, kulisat e përfolura (më shumë sesa ato të faktuara), kanë prodhuar ftohje e kriza që kanë pasur pasoja shpesh të rënda për të gjithë vendin. (Javanews.al)