Një mesazh pozitiv nga Mali i Zi
Forum E Hënë, 31 Gusht 2020 20:34
Nga Astrit Patozi –
As na shkon, as na duhet dhe, as kemi gjë në dorë po të përzihemi me punët e Malit të Zi, ndërkohë që kemi plot halle tonat, të cilat na dalin e na teprojnë edhe për 20 vjet të tjera.
Por meqë ka shpërthyer një tifozllëk i madh në Tiranë, pas zgjedhjeve të atjeshme, është më mirë që ta marrim me pozitivitet atë që ndodhi. Jo thjesht se rezultati është tepër i ngushtë dhe askush nuk vë bast për qeverinë e nesërme apo për ekulibrat e brishtë të pushtetit në Podgoricë.
Por më shumë si një mesazh, që shkon për të “fortët” e përjetshëm anembanë rajonit, të cilët kanë arsye të mjaftueshme të shqetësohen. Sepse e vetmja gjë e sigurt sot në Mal të Zi është që të mëdhenjtë janë në mëshirën e të vegjëlve.
Dhe po ta mendojnë kështu, kam përshtypjen se do të bjerë shumë shpejt edhe kjo dalldia emocionale për zgjedhjet dhe problemet e të tjerëve, por që ngjasojnë jo pak me tonat.