Një pikë kthese me rëndësi jetike për OKB-në në 75-vjetorin e saj

Nga Thanas Goga, MA, PhD Cand. në Komunikim

Nëse njerëzimi ka mundur të nxjerrë ndonjë mësim gjatë dhjetë muajve të fundit, është pikërisht rëndësia jetike që kanë sot multilateralizmi dhe solidariteti, si dhe efektet e dëmshme që nacionalizmi mund të ketë në mënyrën se si funksionon sot bota moderne. Pandemia nxorri në pah shumë shfaqje të nacionalizmit dhe pasojave të dëmshme që kanë përpjekjet e veçuara të kombeve, siç janë kufizimi i shkëmbimit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, çrregullimi i veprimtarisë së degëve kryesore të ekonomisë si në rastin e turizmit, apo dhe zhbërja e zinxhirit global të furnizimit.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë së botës jeton ende në shtete që kufizojnë ardhjen e udhëtarëve nga vendet e tjera, ekpertët flasin vazhdimisht për një rënie drastike të shkëmbimeve tregtare dhe bëjnë parashikime pesimiste për ecurinë e ekonomisë globale. Dhe ndërsa çdo shtet bllokon kufijtë e tij për të luftuar virusin, shprehjet e fundit të një ringjalljeje të nacionalizmit mund të na çojnë drejt një të ardhmeje të pasigurt shoqërore, ekonomike dhe politike. Çdo e mirë e fituar përpara pandemisë duket sikur është zbehur rrënjësisht apo është zhdukur tërësisht, duke përjetuar ndjenjën e dikujt që po pengohet në errësirë.

Sigurisht, që nuk mund të flasim për multilateralizmin pa përmendur Kombet e Bashkuara, të cilat kremtuan në shtator 75-vjetorin e themelimit të Organizatës. Kanë kaluar shtatë dekada që kur Karta e nënshkruar nga Britania e Madhe, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi gurim e themelit të Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1945. Kombet e Bashkuara u ngritën nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, të udhëhequr nga parimet e vendosjes së paqes dhe sigurisë botërore.

Sot, me 193 vendet e saj anëtare, kjo organizatë globale e ka arritur qëllimin e saj në ndalimin e luftës dhe parandalimin e fuqive të tjera botërore nga rënia e daulles së luftës. Megjithatë, përballë virusit COVID-19 që lëviz shpejt dhe tinëzisht, Kombet e Bashkuara po përballen me sfida të reja në një botë post-pandemike. Gjetja e rrugëve të reja për ruajejn e sigurisë globale, shëndetit publik apo mbrojtjes së mjedisit, janë disa nga kërkesat që kërkojnë përgjigje dhe angazhim të qartë nga udhëheqësit botërorë.

Është sigurisht një nismë e lavdërueshme që duhet përshëndetur “Bashkëpunimi Global Përballë Pandemisë,” ku OKB-ja si pjesë e solidaritetit global në veprimi zhvilloi një seri Dialogesh të #UN75 me synim eksplorimin e mënyra se si do të duket bashkëpunimi ndërkombëtar në të ardhmen, veçanërisht kur dalim nga kjo krizë globale.

Udhëheqësit botërorë shprehën shqetësimet e tyre në mbledhjen e nivelit të lartë të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme së OKB-së, e cila ishte unike në llojin e vet si e pari takim i këtij lloji që zhvillohej virtualisht përmes videove-mesazheve të para-regjistruara. Ashtu siç theksoi Kancelarja gjermane Angela Merkel, “Sa më të bashkuar të jenë shtetet anëtare, aq më efektivë janë edhe Kombet e Bashkuara”. Ajo përkrahu fuqimisht përpjekjet e fundit të udhëheqësve botërorë “për të bërë gjithçka që mundemi me fuqitë tona” për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Thirrje të tjera për veprim u bënë edhe nga drejtues të tjerë, të cilët e vunë theksin në çështje të tilla emergjente si ndryshimet klimatike. Dhe sigurisht, që kombet më të vogla, më të varfra dhe të dobëta mund të kontribuojnë me ide po aq inovative në këtë drejtim si edhe vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të fuqishme. Kjo është një sfidë e cila nuk njeh kufinj.

Po ashtu, në përgjigje të pyetjeve nga dialogu, “UN75: E ardhmja që duam, OKB-ja që kemi nevojë,” Znj. Maria Fernanda Espinosa, Presidente e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe anëtare e Grupit të Grave Lidere, Zërat për Ndryshim dhe Përfshirje, veçoi nevojën për “udhëheqje dhe veprim të bashkërenduar”. Ajo theksoi se, diçka e tillë “duhet të vijë nga e gjithë shoqëria, pasi nuk janë vetëm liderët qeveritarë ose ata mesianikë, por janë aktivistët socialë: gratë, gazetarët, opinionistët, shkencëtarët, akademikët, udhëheqësit autoktonë.”

“Unë mendoj,”- vazhdoi më tej ajo, “se të gjithë kemi një rol për të luajtur në ndërtimin e kësaj kontrateje të re sociale që kemi tashmë mundësinë për të ndërtuar, dhe kjo kontratë e re sociale duhet të jetë midis shoqërisë, ekonomisë, politikës dhe natyrës, gjithashtu.”

Kombet e Bashkuara kanë një përvojë 75-vjeçare shumë të vyer në përballjen posaçërisht me sfidat kryesore globale, të tilla si varfëria, uria dhe katastrofat mjedisore, teksa kanë luajtur një rol kyç në parandalimin e konflikteve në shumë nga zonat e nxehta të globit, nga Afrika në Azi, e në Lindjen e Mesme.

Kombet e Bashkuara janë në një pikë kthese me rëndësi jetike për Organizatën në 75-vjetorin e saj, ku përballja me sfidat e një bote post-pandemike kërkon solidaritet global, vendosmëri e mbështetje për nisma të bashkërenduara dhe veprime të përbashkëta të shkathëta e innovative.

Çdo zgjedhje që bëjmë me jetën tonë sot dhe çdo hap që ndërmarrim do të përcaktojë të ardhmen që duam për veten dhe brezat e ardhshëm.

Zgjidh të ardhmen që dëshiron duke ju përgjigjur anketës UN75: https://un75.online/?lang=alb#s2

Zëri yt do të dëgjohet!
Përgjigjet në këtë anketë do të shërbejnë për të orientuar prioritetet globale të zhvillimit sot e në vijim.

/Nga Thanas Goga, MA, PhD Cand. në Komunikim

SHKARKO APP