Një plumb në vend të luleve…!

Një buqete me lule dhe një urim! Kjo është panorama që jemi mësuar të shohim çdo 8 Mars, në ditën kushtuar qënies më të dashur në botë.

Në vende të ndryshme, kjo datë festohet me protesta, për më shumë të drejta ndaj grave, si në pune, ashtu edhe në shoqeri, në jeten e tyre të përditshme.

Por në Shkoder ky 8 Mars trokiti i zi, me lule dhe lot vajtimi për 2 familje, që ne vend të festes, kanë hapur dyert e mortit.

1 plumb në vend të lules, këtë i dhuroi ky 8 Mars, Elsa Tushës vetëm 19 vjeçe dhe Dorina Isufit 30 vjeçe.

Në 24 orë, dy gra u vranë në mënyrë tragjike në lulen e tyre të rinisë. Komentet dhe fjalët bien poshtë, madje janë të tepërta për të kërkuar arsye, apo motive që justifikojnë krime të tilla makabre, ku gratë vriten në ditën e tyre dhe jeta e qënies njerëzore barazohet me asgjënë.

Rruga e tyre paska qënë e shkruar të jetë e shkurter, por mesazhi i rëndë që vjen në këtë 8 Mars duhet të jetë një këmbanë e fortë alarmi, një tronditje që shoqëria të zgjodhet dhe t’i japë fund të tilla krimeve, të ndërgjegjësohet se jetën nuk ka të drejtë ta marrë asnjë dorë njeriu, sado që “faji” yt mund të rendojë.

Reagimi i shoqërise në tërësi sa vjen dhe bëhet më i vakët, kjo për fatin e keq. Mjaftohemi me pak fjalë në rrjetet sociale, ndërsa mungon një zë, një aksion lokal apo kombëtar, për t’i thënë ndal dhunës, ndal vrasjes së grave (motrave, nënave, bijave), ndal marrjes së jetës.

Edhe ky 8 Mars na prezantoi dy tablo, në njërën anë gra që festojnë, marrin buqeta me lule dhe urime të shumta nga njerëzit e tyre të dashur dhe në krahun tjetër 2 jetë të marra, që të nesërmen do të harrohen lehtë nga shoqeria, do të vajtohen në heshtje, ndonëse krijojnë një plagë që sa vjen dhe zgjerohet, kapërcen kufijtë e pragut të shtëpisë.

Kujtimi mbahet në familje, ndërsa media do të rënkojë për të gjetur edhe ndonje gjurmë të fundit të mbetur nga vrasja e tyre, “e lajmëruar” nga mentaliteti i sëmurë, i një shoqerie që po e ka të vështirë të gjejë vetveten.

2 jetë shkuan, nuk morën lule, por plumba të rëndë që lëshuan rrëkej gjaku.

Ky 8 Mars, që për fat të keq nuk ndodhi, duhej të shënonte fillimin e një aksioni që në vend të festës, duhet t’i jepte mesazhin “Jetës”!

Bepin Kolvataj

SHKARKO APP