Një Qershori dhe kryeministri ynë

Nga Tonin Çobani – 

Një Qershori, festa e fëmijëve, është një datë e shënuar për të gjithë, sepse të gjithë janë (ose kanë qenë) fëmijë, sepse të gjithë prindërit kanë një ose më shumë fëmijë dhe, sepse, në çfarëdolloj veprimtarish shoqërore fëmijët janë prezent, fizikisht a virtualisht.

Madje fëmijët janë kurdoherë edhe në gojën e politikanëve, para apo pasi kanë kryer ndonjë prej bizneseve të veta korruptive.  Veçse fëmijët nuk janë në asnjë rast të korruptuar. Kur ndonjëri prej fëmijëve shkëputet prej bashkëmoshatarëve të vet për t’u marrë me pisllëqet e të rriturve, ai nuk është më fëmijë. Mund të jetë çfarëdo, ministër a kryeministër, deputet e kryetar bashkie, administrator a biznesmen, gjykatës a prokuror, zyrtar i lartë a i çfarëdoshëm, por fëmijë jo më.

Me qenë se ra fjala te liderët tanë, kryeministri shqiptar i radhës paska bërë një urim për festën e Një Qershorit, një urim që të bën të mendosh se ai nuk ka qenë asnjëherë fëmijë prej së vërteti ose se nuk e kanë uruar asnjëherë si fëmijë (a të mitur) me rastin e Një Qershorit. Kjo duket nga urimi i tij në facebook me rastin e kësaj feste. Atij nuk i është dukur se kjo festë është për fëmijët, prandaj nuk i ka uruar ata, por prindërit e tyre: “…me besimin e fortë se çdo 1 qershor do të jetë më i mirë se paraardhësi, ju(!) uroj sot të gjithë prindërve gëzuar Ditën e Fëmijëve.”

Dikush më tha se e bën për origjinalitet, për t’u dukur i veçantë, modern a postmodern. Gjithsesi është i përçuditëruar. Po të ishte gjallë gjyshja ime, do të fshante:

Qyqja, do të përmbyset Bota.

Përse, gjyshe, përse na u përmbyska Bota?

Sepse po duken shenjat. Është thënë se 50 vjet para do të shfaqen përçuditërimet.

E ç’janë këto përçuditërime?

Gratë bëhen si burra e burrat si gra, fëmijët si pleq e pleqtë fëmijë…

D.m.th., prindërit urohen për festën e fëmijëve e fëmijët për 1 Majin. Kështu, gjyshe?

Por gjyshja ime nuk jeton më për ta vazhduar dialogun deri në fund.

Për kryeministrin e sotëm shqiptar Bota tashmë është çartur kaq keq sa nuk mund të ndreqet më as nga thëniet e tij (tërë vaj e uthull) të padëgjuara më parë prej asnjë lideri në rajon, dhe jo vetëm…

Por unë nuk përfundoj me kaq. Një gjë tjetër që më befasoi sot, në ditën e festës së Një Qershorit, ishte një grup fëmijësh (të shoqëruar prej mësuesve të tyre) që po hynin në rresht për të vizituar Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Jam i sigurt se fëmijëve u kanë kërkuar të sjellin paratë e vizitës kolektive, pavarësisht nëse ata kanë interes për një muze të tillë, aq më tepër, një muze i një institucioni kaq të përfolur për korrupsion… Dhe kjo vizitë ndodh (si tallje) bash në ditën e festës së tyre kur ata duhet të dëfrejnë e të argëtohen, duke treguar talentin e tyre e jo të mashtrohen me muzera të stisur dhe programe (“Edukim përmes kulturës”) që në rastin më të mirë e kthejnë të riun veçse në konsumator.

Të gjitha shkollat e Shqipërisë, zoti kryeministër, duhet të kishin koret e tyre të shkollave (ndoshta edhe të klasave). Por këto gjera kërkojnë një kryeministër (a ministër arsimi) që të ketë qenë në fëmijërinë e vet fëmijë dhe si i tillë edhe pjesëtar i korit të shkollës (a i një grupi tjetër artistik) që, së paku, për çdo një qershor të ketë dhënë një shfaqje.

SHKARKO APP