Një qeveri që vret shpresën nuk e meriton besnikërinë e popullit të vet

Dr. Bledar Kurti –

“Besnikëri ndaj atdheut? GJITHMONË. Besnikëri ndaj qeverisë? Vetëm kur e meriton,” ka thënë Mark Twain.

Qeveria dhe populli janë të lidhur përmes asaj që njihet si Kontratë Sociale (Du contrat social) Populli voton qeverinë, paguan taksat, zbaton ligjet dhe solidarizohet me iniciativat e ndërmarra nga qeveria e dalë nga vullneti i shumicës së popullit. Nga ana tjetër qeveria e respekton këtë kontratë duke administruar sa më mirë paratë e shtetasve të saj, të mirat publike, burimet dhe pasuritë kombëtare, ofron shërbime ndaj qytetarëve, mbrojtje, siguri, arsim, shëndetësi, përkrahje sociale, dhe harton plane zhvillimi për të gjitha kategoritë. Detyra e qeverisë është të forcojë kushtet, interesat dhe të ardhmen e popullit të vet. Të mbrojë kufijtë e vendit dhe mbi të gjitha integritetin e çdo shtetasi, të madh e të vogël, nga njëri cep në tjetrin në mbarë vendin.

Të dyja palët, si populli ashtu edhe qeveria duhet ta respektojnë me besnikëri këtë kontratë, përndryshe nëse njëra prej palëve e shkel atë ajo zhbëhet.

Në Shqipëri kjo kontratë tashmë është zhbërë pasi qeveria jo vetëm nuk është besnike e popullit por është kthyer në armike, dhunuese e të drejtave të individit, pengmarrëse e së ardhmes evropiane, zhvatëse e pronës, pasurisë dhe të mirës publike, shkatërruese e trashëgimisë kulturore kombëtare, ofenduese e heronjve të atdheut, diktuese e politikave eksperimentale anti-kombëtare, dhunuese e të drejtave të shtetasve, duke mos e merituar kështu aspak besnikërinë e popullit shqiptar.

Një qeveri e cila nuk e shpërndan pasurinë por e akumulon atë me akte normative apo ligje antikushtetuese dhe ia dorëzon një grupi njerëzish pranë vetes nuk është besnike ndaj popullit të vet.

Një qeveri që nuk krijon mundësi dhe vende pune për shtetasit e vet, sidomos rininë, është e paaftë dhe dashakeqe ndaj popullit të vet.

Një qeveri që detyron shqiptarët të largohen, ndër ta 2/3 janë të rinj, është armike ndaj atdheut. Madje ky shpopullim e tejkalon konceptin e keq-qeverisjes. Ky është djallëzor.

Një qeveri që kërkon në çdo frymëmarrje të kapë drejtësinë është fajtore dhe mbart një sërë abuzimesh ndaj popullit të vet. Duke kapur drejtësinë ajo çlirohet nga llogaridhënia dhe ia privon drejtësinë qytetarit.

Një qeveri që vjedh dhe manipulon zgjedhjet dhe kurdis plane, strategji dhe voton ndryshime kushtetuese mbi kodin zgjedhor si të qëndrojë në pushtet e jo që populli të përfaqësohet në mënyrë sa më demokratike është diktatoriale dhe nuk ndërton demokracinë.

Një qeveri që mendon për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për vendimin e ardhshëm për hapjen e negociatave është vicioze. Nëse kjo qeveri do kishte shpenzuar aq kohë dhe energji për të përmbushur 15 kushtet e BE, për të dëgjuar thirrjet e Bundestagut dhe partnerëve Euro-Atlantik, aq sa ka shpenzuar për të hartuar ligje dhe votuar ndryshime kushtetuese apo firsmosur tendera dhe PPP, Shqipëria do i kishte hapur negociatat dje dhe jo si tani që edhe vetë procesi i anëtarësimit, sipas metodologjisë së re të BE, rrezikon të zhbëhet.

Nëse kjo qeveri do kishte menduar e punuar vetëm një grimcë për popullin shqiptar aq sa ka punuar e menduar për veten, shqiptarët sot nuk do jetonin me 5.5 dollarë në ditë. Bizneset nuk do mbylleshin. Shqipëria nuk do shpopullohej.

Një qeveri që vret shpresën nuk e meriton besnikërinë e popullit të vet. Ndaj edhe me 25 prill shqiptarët do jenë besnikë ndaj atdheut dhe jo qeverisë. Më 25 prill shqiptarët do jenë besnikë ndaj fëmijëve të tyre, të drejtave të tyre, të ardhmes evropiane, Kushtetutës dhe Shqipërisë.

Pushteti i një populli është më i madh se ai i njerëzve në pushtet. Më 25 prill shqiptarëve do u rikthehet ajo e drejtë që u ka munguar prej kohësh: SOVRANITETI.

SHKARKO APP