Një shekull punojmë kot, një shekull rrimë kot

 

Nga Artan Fuga

Pse më dukesh i trishtuar o bukuri e rrallë sot, në këtë mëngjes pragvere?

Kush të ka mërzitur o gjol, o bos, o yll, o bukuri e rrallë?

Kush ta ka zhytur kokën në ujë, si një mjellmë e turpëruar, o gjol?

Pres të shoh peshkatarët, por nuk ka asnjë për bé. Asnjë motobarkë nuk duket në horizontin e tij. Të paktën një varkë si ajo nëpër filma të realizmit soc.

Kanë harruar pogradecarët që në gjol dikur ka pasur peshk?

Me çfarë merren gjithë ditën e Perëndisë? Apo të zbriturit nga malet përreth, njerëz të mirë e finsikë, kanë ardhur në qytet për t’i ikur punës në bujqësi dhe në qytet ëndërrojnë qtë jetojnë pa punë?

Mos i ka lodhur shqiptarët shekulli i kaluar dhe duan një shekull pushim?

Një shekull punojmë kot kot dhe një shekull rrimë kot.

Si ata që punojnë një ditë me dy turne dhe një ditë pushim.

Apo nuk e dinë malësorët e mirë të ardhur buzë gjolit as not, as peshkim, as nuk e kanë shijen e peshkut?

Pse rri i mërzitur o gjol, bos i rrallë, kush të ka mërzitur?

Nuk ke turistë?

Nuk vijnë? Kanë ikur? Nuk ndjen më poezinë e Lazgushit të përkëdhelë flokët e arta?

I paqethur gjoli.

Buzë bregu plot barishte dhe ferra të këqia. Nuk ke ku shëtit buzë tij.

Çfarë dreqi i bëjnë ato lekë pushtetarët kur u mbledhin taksta të ardhurëve gjatë verës, kur nuk rregullojnë një shëtitore buzë gjoli?

Fasadat e vilave të dikurshme të lodhura, të brejtura nga koha dhe lagështia. Oborret e braktisur që të bëjnë të qash kur kujton trëndafilkat që ngrinin kokat pas gardheve me kangjella dikur. Vetëm ferrra dhe gjëmbaç ka tani.

Trotuaret për ibret.

Ce o, me atë pedonalen e dikurshme të kohës të Lazgushit mbuluar me ca pllaka të kuqërremta, kot fare, do të krenohet Poradeci?

Çfarë naiviteti!!!

Turisti do treg ushqimor. Kioska dhe fruta të jashtme në trotuar.

Pis.

Ku janë mollët poradecare?

Hedh sytë te një berber – bërr – bër – hane dhe shoh një lavaman të thyer, një berber me triko leshi, dhe një stol druri mbuluar me një batanije ushtarake.

Këtu do të qethen dhe rruhen turistët e ardhur nga portat e Brandeburgut.

Qen i shtrirë në rrugë. Ka ftohtë këtë mëngjes.

Mikesha ime thotë : Paska ngordhur!

Lokalet bosh. Dyqanet si qëmoti mbrojtur me shufra hekuri sikur të ishin kafaze.

Rrobat e lara nëpër ballkone a tarraca shtëpish të rrënuara.

Riparime si lesh arapi. Kthen kokën nga liqeni për të hequr shijen e keqe.

E ndjej se banorët e kanë humbur kujtesën e njëqind vjetëve të shkuara kur poradecari punonte minierat e Argjentinës për të ngritur shtëpizën buzë liqenit ku jetonte gruaja dhe fëmijët e tij.

Pa kujtesë. Njerëz të mirë që nuk kanë faj se askush nuk ua freskon kujtesën.

Te kisha e së djelës, tre burra dhe një grua këndojnë hymnin e Zotit :

O Perëndi mbroje ushtrinë e Shqipëriiiiiisëëëë dhe popullin e Poooooraaaaadeeeeeciiiiit!

I shoh, i dëgjoj dhe mrekullohem me ta.

Pastaj dal nga kisha dhe shoh një qen që fle në kalldrëmin e prishur.

SHKARKO APP