Një shpullë mbi fytyrën e Ramës
Pasi i ka dalë boja për vjedhjen galopante, për tenderat dhe koncesionet, për dështimin në ekonomi, largimin e shqiptarëve nga vendi, për rritjen e borxhit dhe mungesën katastrofale të investimeve të huaja, Edi Ramës dhe idhtarëve të tij u kishte mbetur të kapeshin si i mbyturi pas një fije floku, tek toleranca dhe të mosqenit të dhunshëm.
Mirë, mirë- thoshin mbrojtësit publikë të Ramës- ju mund ta fshikulloni për gjithçka, por ai nuk është i dhunshëm si Berisha.
Ai është njeriu që i hoqi gardhin Kryeministrisë dhe “mbolli kërpudha”. Ai është njeriu që duroi protestuesit kundër armëve kimike, me ditë të tëra para godinës.
Pra ai është demokrat dhe tolerant ndryshe nga paraardhësi i tij brutal.
Por, e gjithë kjo propagandë bajate është krisur sot sot ndjeshëm pasi një polic (jo nga ata barkderrët) i Rilindjes goditi në fytyrë një grua të moshuar, profesioniste të zonjën, që kish dalë të protestonte se i kishin thënë se ky është një vend demokratik, njësoj si perëndimi ku ajo jetonte prej vitesh.
Ajo grua e nderuar u përdhunua publikisht. Dhe përgjegjës për këtë është pushteti i Edi Ramës. Jo vetëm për faktin aksiomatik që kemi mësuar prej kohësh se një pushtet që fillon të vjedhë dhe të abuzojë do degjenerojë drejt dhunës, por edhe për një refren që e kemi përsëritur shpesh gjatë kohës së Berishës: Nuk ka polic që godet mbi qytetarët nëse ai nuk është frymëzuar apo urdhëruar nga pushtetarët.
Mjaftojnë këto dy fakte për ta akuzuar sot Edi Ramën për dhunë.
Po kundër kujt dha urdhër të qëllohej ai?
Pse kishin dalë të protestonin ata njerëz?
Ata ishin aty, sepse një kryetar bashkie që u soll si dordolec në fushatë, duke marrë votat me premtimin zero ndërtime, sot është kthyer në një idhtar të betonizimit.
Atij i ka dalë boja sepse nuk po e ndalon dot bosin e tij, të japë leje ndërtimi qè nga dhunuesit e Gërdecit e deri tek pronarët e mediave. Ai po qesharakëzohet duke planifikuar ndërtime në të gjitha anët e Parkut Kombëtar, duke shkatërruar hyrjen e tij nga sheshi Nënë Tereza, duke shkatërruar Parkun Rinia, e tani së fundi duke ndërhyrë edhe vetë brenda parkut tè liqenit.
Ata qytetarë ishin aty sepse nuk e kuptojnë se pse betonizohet edhe aq pak gjelbërim sa ka mbetur, kur nëse kishte nevojë për një kënd lojrash, ai mund të bëhej andej nga Rama u ka dhënë klientëve të tij, parkun olimpik. Kështu shtohej zona rekreative dhe nuk mpakej ajo.
Ata qytetarë ishin aty sepse nuk e pranojnë dot mashtrimin që votat u merren me slloganin “një qytet pa makina” dhe pastaj miratohen projekte mostruoze që makinat i ftojnë në zemër të qytetit.
Ata qytetarë, që e meritojnë plotësisht këtë emër, ishin aty dhe në vendin tonë, të të gjithëve ne që u përhumbëm në kënaqësitë e vogla të një fundjave, duke neglizhuar edhe një ditë më shumë të ardhmen e fëmijëve tanë, që po e vjedhin ata që paratë i bëjnë na qendër të Tiranës dhe vetë janë shpërngulur të jetojnë larg saj.
Në këtë kuptim e vetmja keqardhje ishte se ata ishin shumë pak në raport me këtë vrasje të shumfishtë që po i bëhet qytetit.
Por dhe aq sa qenë, klika e hajdutëve cinikë vendosi t’i rrahë dhe godasë. Policët e Rilindjes mbrojtën hunjtë dhe gardhin dhe qëlluan mbi njerëzit.
Goditën me shpullë edhe atë qytetaren në moshë, që pandehte se mund të protestonte lirisht në një vend demokratik. Që ndoshta i kishin thënë në vendin ku jetonte se gjërat kishin ndryshuar, se Edi Rama nuk ishte si ai i pari, se Shqipëria tani qe më demokratike.
E kishin gënjyer. Ashtu siç gënjyen shumëkënd, kur i thanë se kishte ardhur fundi i betonit mbi Tiranë dhe mbi parqe.
Ashtu siç gënjyen 1 milionë shqiptarë që dënuan dy vite e ca më parë një pushtet policor dhe të dhunshëm.
Edhe në këtë pikë Rilindja po ecën në të njëjtën rrugë si Berisha.
Në këtë kuptim shpulla policore mbi atë grua 60 vjeçare është një shpullë mbi fytyrën e Edi Ramës. Sepse me aktin e sotëm, ai po zhvishet edhe nga justifikimi i fundit që i kishte mbetur: se ai është më demokrat sesa paraardhësi.(lapsi)