Një sqarim për protestuesit që thonë: Ta djegim Tiranën njësoj siç digjet Parisi, Athina, Berlini
Nga Kreshnik Spahiu
Ka disa ndryshime esenciale në referencat e mos bindjes civile në Europë me Shqipërinë. Ata që krahasojnë djegien e Athinës apo Parisit me Tiranën ose nuk e kanë idenë çfarë ndodh ose mashtrojnë. Ata që thonë bllokohen rrugët e Berlinit njësoj si Kamza apo Kavaja gabojnë rëndë. Pa u zgjatur po sqarojmë ndryshimet thelbësore:
1-Rrugët e Berlinit apo Parisit bllokohen me traktorë nga traktoristët dhe jo nga deputetët e opozitës.
2-Rrugët e Berlinit, Parisit apo Athinës digjen me molotov nga lëvizje radikale jashtë parlamentare dhe jo nga deputetët apo partitë parlamentare. “Agimi i Artë” përfundoi në burg nga radikalizmi.
3-Protestuesit në Berlin, qofshin dhe nga parti opozitare, nuk mbajnë në bluza apo në postera fotot me portretin ish-kancelarit Kohl apo ish-Kancelarit Shrëder, njeri i akuzuar për korrupsion dhe tjetri i paguar nga Moska. I kanë braktisur dhe ata i përkasin arkivave të drejtësisë gjermane.
4-Rrugët e Athinës, Parisit apo Berlinit bllokohen kur është orari zyrtar që ti dëgjoj qeveria dhe jo si në Tiranë ku PD proteston vetëm kur është mbyllur ora e punës, janë mbyllur zyrat dhe qeveritarët janë në shtëpi.
5-Mosbindja civile në Europë bëhet nga populli dhe jo nga partia. Rrugët dhe sheshet bllokohen dhe digjen në Athinë, Paris dhe Berlin nga qytetarë civil dhe jo 100% me anëtarë partie apo deputetë.
6-Deputetët e opozitës në Berlin lëvizin me biçikleta, autobus apo me tren dhe jo me Range Rover apo makina luksoze siç kemi parë makinat e deputetëve të PD.
7-Parisi nuk digjet për shkak se Sarkozi është dënuar me burg për korrupsion dhe anëtarët e partisë nuk hedhin molotov që të lirohet ish-udhëheqësi tyre i korruptuar.
Ndërkohë çdo bllokim dhe djegie në Paris, Athinë, Berlin apo Bruksel që bëhet pa u marrë leje nga policia, përballet me dorën e hekurt dhe forcën e ligjit duke dënuar me disa vite burg autorët apo organizatorët të cilët rrihen barbarisht nga policia në praninë e mediave. Shkoni dhe shikoni një protestë në Gjermani dhe Francë dhe do numëroni 1000 protestues dhe 2000 policë me autoblinda. Ndoshta do thoni ju: Në Shqipëri s’ka dialog dhe nuk ka demokraci. Jo gaboheni opozita shqiptare e gjeti dialogun me socialistët për të mbyllur “listat e deputetëve” sepse aty fusin emrat e tyre në lista, ndërsa dje nuk e gjetën dialogun me mazhorancën sepse s’duhej hapur rruga e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në BE.
Dialogun PD-PS e gjejnë vetëm për bythën e tyre, jo për jetën e shqiptarve.