Një tjetër humbje për aktivizmin
“Nuk dihet sesi e kanë pritur marrjen në mbrojtje të kauzës, aktivistët që e gdhijnë jashtë duke protesuar në mënyrë kreative më recitime e këndime, por nëse kanë qenë të sinqertë në kundërshtinë e tyre duhet të shtonin përpjekjet të bindin pjesën tjetër të shoqërisë, që qartazi nuk i është bashkuar dhe që nuk mendon se me atë park lodrash po i vjen fundi Tiranës”…
Nga Ilva Tare
Një grup qytetarësh që prej javësh protestojnë kundër ndërtimit të parkut për fëmijë tek liqeni u vizituan sot nga Presidenti I Republikës, në vendin ku bashkia e Tiranës vazhdon punimet për këndin e lojërave. Pas protestës të thirrur nga Partia Demokratike dhe përplasjeve me policinë, aktivistët u përpoqën t’i rezistonin politizimit të cështjes, duke mos ju bashkuar aksionit kundërshtues të politikës. Por në të kundërt, ata iu bashkuan mbështetjes që i dha Presidenti i Republikës, mbase për arsyen se ky i fundit mban peshën e unitetit të popullit.
Por sic ndodh rëndom në kauza të diskutueshme, një pjesë e aktivistëve që thonë se po e ruajnë parkun duke fjetur me batanije pranë zonës së punimeve, u përfshinë në axhendën presidenciale, fillimisht me një takim dhe më pas me një vizitë të kreut të shtetit. Angazhimi i institucionit të Presidentit të Republikës, që me Kushtetutë qëndron mbi palët nuk është një lajm I mirë për qytetarët e përfshirë në këtë aksion civil.
Pavarësisht se mburoja kësaj radhe nuk është politike por vjen nga kryetari i shtetit, do të kishte qenë më mirë që, Presidenti i Republikës të mos mbane anw në aksionet e tij duke qenë se në të njëjtën mënyrë duhet të përfaqësojë edhe qytetarët që e duan dhe janw pritje tw inagurimit tw parkut.
Përfshirja e Presidentit rrezikon ta kthejë, ashtu siç ndodhi me replikat Veliaj – Nishani nw një betejë politike. Në vend të mbrojtjes, aktivistët rrezikojnë të kthehen në qytetarë me kauzë të pengmarrë sërish nga deklaratat politike që do të pasojnë në lidhje me këtë mbështetje. Mbështetja që ata kërkojnë apo ndoshta ua sugjerojnë, duhet të vijë nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe jo nga institucione që duhet të kenë për zemër interesat e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që e duan parkun, madje e duan pikërisht aty po ndërtohet. Dhe këtu nuk përfshihen vetëm votuesit e kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës, por të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga një grup njerëzish të angazhuar kundër parkut. Ata mund ta shfrytëzojnë mbështetjen e çdo institucioni shtetëror, por duhet t’i qëndrojnë larg nëse duan ta mbajnë këtë aksion me titullin ‘qytetar’.
Nuk dihet sesi e kanë pritur marrjen në mbrojtje të kauzës, aktivistët që e gdhijnë jashtë duke protesuar në mënyrë kreative më recitime e këndime, por nëse kanë qenë të sinqertë në kundërshtinë e tyre duhet të shtonin përpjekjet të bindin pjesën tjetër të shoqërisë, që qartazi nuk i është bashkuar dhe që nuk mendon se me atë park lodrash po i vjen fundi Tiranës.
Institucioni I protestës është shumë mw i vlerësuar dhe fisnik sesa përdorimi nga aktorë politikë, shtetërorë, apo edhe kundërshtarë konceptualë për një cështje që I përket mbarë shoqërisë dhe jo vetëm një grupi të caktuar me apo pa axhendë të caktuar. Do të kishte qenë shumë më bukur që aktivistët ta prisnin edhe inaugurimin e këndit të lojërave duke protestuar dhe duke I qëndruar besnik idealit që besojnë.
Javanews.al