Një tjetër përdhunim i trashëgimisë kulturore
Nga Arben Braçe –
Një tjetër skandal barbar ndaj trashëgimisë kulturore. Fadromat që prodhojnë mbivlerë korrupsioni për oligarkët, ortakë të Kryeministrit “Rilindas”, sot i kanë vënë kazmën shtëpisë së përbashkët ku kemi lindur. Natyrisht nuk duhet të mbetet në këmbë asnjë memorje historike dhe identitet i trashëgimisë sonë, në vendin ku vetëm i çmënduri tashmë ka identitet. Ka indentitetin e themeleve të korrupsionit dhe të fabrikës së parave që vijnë nga prona publike shqiptare.
Gjithçka duhet të fillonte aty, ku ai filloi, maratonën e gjatë të korrupsionit, të cilën mesa shohim, nuk po ka zot që ta ndalë. Qyteti po shndërrohet në një katakombë betoni me formë oktapodi, që prodhon para për të pasuruar një dorë njërzish që vijnë nga një varfëri ekstreme shpirtërore të cilën kërkojnë ta mbushin me para, në kurriz të memorjes sonë të përbashkët, dhe të trashëgimisë kulturore.
Materniteti ishte monument i trashëgimisë kulturore dhe punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1938 nga Firma Italiane “Motta Scandurra” dhe kanë përfunduar në një kohë rekord në vitin 1942. Materniteti ka një arkitekturë shumë interesante i pajisur me shumë statuja dhe basorilieve me stil të renesancës.
Ai u pagëzua me emrin “Mbretëresha Geradinë” dhe sikurse qindra vepra të trashëgimisë kulturore të cilat janë përpirë nën dhëmbët e mprehtë të korrupsionit do të ekzistojë tashmë vetëm në memorjen e atyre që e kanë parë, kanë punuar dhe kanë studjuar, në këtë kryevepër arkitekturale dhe vlerë të memorjes tonë historike dhe kulturore.
Edhe sikur të jenë të vërtetë disa zëra, që thonë, se aty do të bëhet një riparim i pjesshëm, për shkak të disa shëmbjeve që kanë ndodhur kohë më parë, për arësye të mungesës së konsistencës së godinës, eksperienca e keqe na tregon, se sikurse në të gjithë rastet e tjera, edhe kjo pronë do të ketë fatin e të gjithë atyre që kanë rënë preh e gjuetisë së pashpirt dhe etjes pafre për të fituar në kurriz të tyre.
Për të gjithë ata që janë indiferentë, në çdo rast, kur shkatërrohet trashëgimia jonë kulturore dhe historike duhet t’i kujtojmë se iniciativat për ruajtjen e tyre kanë ardhur për herë nga poshtë lart, dhe në asnjë rast nga lart, aty ku ne “shpresojmë” me naivitet fëmijnor dhe i kemi varur ujkut melçitë në qafë dhe ai po na shkul edhe gurin e fundit.
Në këtë maternitet kanë lindur shumë shqiptarë të mirë, kanë punuar dhe studjuar edhe shumë intelektualë shqiptarë. Në këtë shtëpi që shkatërrohet sot ka lindur edhe vetë Ai, Drakula, Djalli, Demoni i pamëshirshëm i identitetit tonë, që etja për të superfituar dhe egoja për t’u dukur dhe “përjetësuar”i ka tharë shpirtin dhe errësuar sytë.
Natyrisht, fantazma e qytetit të vjetër do t’i ndjekë gjithë jetën barbarët, por dhe indiferentët, të cilët na bëjnë jetën të pajetushme dhe pa kujtime, dhe po bëhen shkak për ta braktisur këtë perlë që na dhuroi natyra, të cilën me indiferencën tonë, po ia dhurojmë përbindshave që po e shqyejnë pa mëshirë.