Një ultra i djathtë si kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump po formon ekipin me të cilin do të qeverisë. Ultra i djathti, Stephen Bannon, si kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë.
Kabineti i ri i Donald Trumpit po merr formë. Ultra i djathti, Stephen Bannon, i cili ka drejtuar fushatën e Trump, u vendos si kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë, me këtë post një nga personat më të rëndësishën në ekipin e Donald Trump. Vetë Trump është shprehur përmes Twitterit – se “shpejt do të marrë vendime të rëndësishme për njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë”. Miliarderi Donald Trump, pa përvojë politike pritet të marrë njerëz me përvojë në kabinetin e ri. Në media qarkullojnë emra të mundshëm, të besuar të Trumpit gjatë fushatës elektorale. Kështu si Sekretar i Departamentit të Shtetit përmendet ish-zëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich. Por ai është përmendur edhe për postin e kreut të shtabit në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa për postin e ministrit të Drejtësisë qarkullojnë emra si Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i New Yorkut, por edhe Chris Christie, guvernatori i shtetit federal, New Jersey. Për poste në qeverinë e Trumpit vazhdojnë të përmenden edhe emra si Reince Priebus, kreu i republikanëve apo menaxherja e fushatës elektorale të Donald Trumpit, Kellyanne Conway, përgjegjësi për financat gjatë fushatës, Steven Mnuchin, ish-kandidati presidencial, Ben Carson si edhe ish-kreu i shërbimit secret të ushtrisë, Michael Flynn. Një ndryshim në ekip, Trump e ka bërë ndërkohë. Zëvendëspresidenti Mike Pence është emëruar edhe kreu i ekipit të përkohshëm, që aktualisht mbehej nga Chris Christie.
Telefonata me Merkel dhe Hollande
Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka kohë më shumë se dy muaj për të vendosur për emrat e qeverisë. Betimi i presidentit bëhet më 20 janar. Ndërkohë që protestat në SHBA kundër Trump kanë vazhduar, në shumë vende ekziston pasiguri, se si në cilin drejtim do ta çojë Trump Amerikën. Vetë Trump ka telefonuar për herë të parë (11.11) me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin francez, Francois Hollande. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Georg Streiter në Berlin është shprehur se Merkel e ka uruar Trump për suksesin. Në bisedën 10-minutëshe të dyja palët kanë shprehur se të dyja palët duan të punojnë së bashku. Në takimin me presidentin Hollande po ashtu është theksuar bashkëpunimi dypalësh, por po ashtu është rënë dakord që të „sqarohen pozicionet” në disa tema si në Siri, Ukrainë dhe në marrëveshjen e Parisit për klimën.
Obamacare mbijeton
Duket se Trump që tani po e ndryshon qëndrimin për disa deklarata në fushatën elektorale. „Një gjë është e sigurtë”, ka thënë Trump. „Obamacare do të jetë gjëja e parë që do të shfuqizoj”, por tani pas votimit si president, ai nuk duket aq i pakompromis. Në një intervistë për “Wall Street Journal” ai ka thënë se së paku disa pjesë të reformës së shëndetësisë do të mbeten. Nga ana tjetër Trumpi është shprehur se do të trajtojë shumë shpejt temat e imigrimit, sigurisë së kufijve dhe derregullimit të tregjeve financiare.