Një vend i pastër plot dritë…

Si të mbajmë gjallë perspektivën evropiane në Ballkanin Perëndimor

Nga Majlinda Bregu

Sekretare e Përgjithshme, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC)

“-Sa vlen një orë?

-Më shumë për mua sesa për ty.

-Një orë vlen njësoj për të gjithë.

-Jo. Nuk është kështu.”

 

Shumica e njerëzve kanë perceptimin e tyre individual për kohën. Në rajonin tonë, ndjenja e historisë dhe ndjenjat e gjithanshme të saj ende përkufizojnë kohën në të cilën jetojmë. Kjo pjesë e Evropës ka ndryshuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, por nuk ka arritur të ketë progres të shpejtë. Adagio lento është ritmi i koncertit tonë.

Pakti i Stabilitetit u miratua 20 vjet më parë, në Sarajevë. Ai bëri bashkë udhëheqësit e botës, për t’i dhënë fund luftërave në rajonin tonë dhe për të përcaktuar drejtimin e bashkëpunimit me synim paqen, sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin. Sot, ky pakt është zëvendësuar nga Procesi i Bashkëpunimit Rajonal, një mantra që thekson fuqishëm nevojën për të qenë të bashkuar në një botë që ndryshon me shpejtësi.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej vitit 1999. Prapëseprapë, rajoni paraqet një sërë paradoksesh. Janë hartuar politika ambicioze dhe është arritur stabilitet ekonomik (rritja ekonomike për vitin 2019 është rreth 3,5%). Ndërsa vite më parë ishte e rrezikshme të udhëtoje me automjet nga një vend në tjetrin,  sot gjërat kanë ndryshuar.  Nuk ka rrezik.  Rreziku i vetëm mund të vijë nga rrugët, të cilat nuk janë përmirësuar shumë.

20 vite më parë, shumë njerëz që kërkonin strehim nga luftërat po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Sot, thuajse 39% e të rinjve (të dhënat nga Barometri i Ballkanit 2019) janë të gatshëm të largohen dhe të kërkojnë shpresën që kanë humbur.

20 vite më parë, demokracia ishte në zhvillim e sipër. Sot, 70% e qytetarëve në rajon nuk i besojnë qeverive, parlamenteve dhe sistemit të drejtësisë. (të dhënat nga Barometri i Ballkanit 2019).

20 vite më parë nuk kishte thuajse asnjë shoqëri private, apo Investime të Huaja Direkte. Sot, prurjet e Investimeve të Huaja Direkte në rajon kanë një rritje afërsisht dyfish nga 3,6 miliardë Euro në vitin 2010 në 6,6 miliardë Euro në vitin 2018.

20 vite më parë, askush nuk fliste për tregti, zhvillim teknologjik, shoqëri start-up apo agjendë digjitale, qytete inteligjente dhe investim në kapital njerëzor. Sot, rajoni ka përqafuar konceptin e ngritjes së Zonës Ekonomike Rajonale, megjithëse jo çdo gjë është në rrugën e duhur.

20 vite më parë, Procesi i Stabilizimit dhe Asocimit nisi me një sërë reformash. Që prej asaj kohe, vetëm Kroacia është bërë Vend Anëtar i BE-së. Vendet e tjera po hasin vështirësi në rrugëtimin e tyre, ndërsa procesi i zgjerimit duket ‘i lodhur’.

Edhe unë vetë kam qenë dëshmitare e kohërave të ndryshme gjatë përpjekjeve tona evropiane.  Sa herë që i kujtoj, nuk arrij t’i kuptoj të gjitha. Ndonjëherë më duket se për vite me radhë ne kërkonim vetëm zbavitje dhe rendim pas suksesit që kishte sy, në vend që t’i përkushtoheshim fort ndryshimit evropian në vendin tonë, ndërsa herë pas here duket sikur edhe standardi i kërkuar rritet e rritet.

Megjithëse anëtarësimi në BE vijon të jetë synimi përfundimtar i të gjashta ekonomive, rrugëtimi mbetet plot vështirësi.

Megjithëse 56% e qytetarëve të rajonit mbështesin anëtarësimin në BE, nuk është e thjeshtë që linja e perspektivës së anëtarësimit të mbahet e gjallë.

Është e vërtetë. BE-ja ka qenë shtysa kryesore dhe më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe pakicave.

Është e vërtetë. Integrimi evropian është nxitësi parësor i jetës ekonomike, politike dhe gjeo-politike në BP. Nuk duhet të harrojmë se pjesa e BE-së si në FDI, ashtu edhe në eksporte në rajon e kalon 70%.  Prapëseprapë, aktorë të ndryshëm po luajnë rolin e tyre dhe po nxisin frikë, dyshim dhe borxhe, ndërkohë që kanë akses në energji, infrastrukturë, tregje dhe teknologji. Sa herë që shtysa e BE-së tkurret, një revolucion (kulturor) i ri është afër, dhe këtë mund ta themi troç e hapur.  Ndërkohë që demokracia ka bërë hapa pas në të gjithë botën, është thuajse e pamundur për rajonin të mos lëshojë territor përballë angazhimit të aktorëve të jashtëm.

Është e vërtetë. Perspektiva e anëtarësimit të ardhshëm në BE ka qenë një forcë shtytëse gjatë gjithë këtyre viteve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo perspektivë ka qenë faktori kryesues për t’i bindur vendet të angazhohen me njëri-tjetrin në një mënyrë më pozitive, si dhe për të zgjidhur jo vetëm problemet e brendshme të cilat hasin, por edhe çështjet e pazgjidhura në rajon.

20 vite më parë, mëria dhe çështjet e identitetit në rajon ishin probleme të mëdha dhe nga më të vështirat për t’u zgjidhur.

Por, përveç kësaj, nevoja për dialog strategjik për të ardhmen e Evropës midis ekonomive të rajonit tonë dhe BE-së, nuk lidhet vetëm me gjeo-politikën dhe palët e treta.

Çdo mungesë perspektive apo shprese për t’u bërë pjesë e BE-së do të sillte një boshllëk që nuk mund të mbushet nga aktorë të jashtëm. Politikat populiste, autokratike, liberale mund të jenë edhe më të rrezikshme nëse shfrytëzojnë pabarazitë kombëtare, shoqërore dhe ekonomike.

Identiteti mund të përdoret për të përçarë, por edhe për të bashkuar.

Këto janë momente vendimmarrjesh për Ballkanin Perëndimor (BP) dhe këtu e kam fjalën për vendime me rëndësi për të ardhmen dhe perspektivat tona. Ka sfida, zgjidhja e të cilave nuk mund të presë më!

Ballkani Perëndimor duhet të sigurohet që vendimet lidhur me perspektivën e BE-se ndiqen nga veprime vendimtare në po të njëjtin drejtim, dhe BE-ja duhet të zbatojë qasjen e saj bazuar në meritë, duke shpërblyer ata që janë të suksesshëm.

Çmimi për mosveprimin dhe lejimin e shkarjes së mëtejshme është i rrezikshëm.  Nxitja e mosmarrëveshjeve dypalëshe nuk i bën mirë palëve dhe moszgjidhja e tyre bllokon të ardhmen e të gjithë fqinjësisë, sepse efektet ndikojnë të gjitha përpjekjet e përbashkëta, duke marrë kështu të gjithë Ballkanin Perëndimor peng.

Evropa është edhe një mendësi, dhe për këtë arsye rajoni duhet të ketë një strategji të formësuar ndryshe për angazhimin politik, me qëllim mbështetjen e reformave në vend.  Rajoni duhet të ndryshojë gjuhën dhe të përqendrojë vëmendjen nga data e anëtarësimit në BE, nga frika e pabazë e bashkimit apo nga lodhja e bashkimit, tek transformimi i vërtetë demokratik i Ballkanit Perëndimor. Rajoni duhet të fuqizojë dhe të flasë gjuhën e bashkimit midis qytetarëve, duke përforcuar reformat kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal, duke sjellë si pasojë zhvillimin ekonomik të rajonit.

Integrimi Evropian i Ballkanit Perëndimor nuk është një axhendë territoriale, është një agjendë Transformuese. Askush nuk pret të mos ketë çështje të ndjeshme apo struktura emocionale që dalin në pah. Por, nëse vijojmë të përqendrohemi tek dallimet në vend që ta shohim botën përmes pikëpamjes së bashkëpunimit, do t’i hapim rrugën një rreziku të papranueshëm. Ne jemi një treg i vogël, i përbërë nga vende të vogla. Një nga baballarët e BE-së, Paul Henri ka thënë: “ka dy lloje vendesh në Evropë. Vende të vogla dhe vende të vogla që nuk e kanë kuptuar ende që janë të vogla”. Në kuadër të kontekstit aktual të pengesave të shumta për tregtinë, transportin dhe lëvizjen, për ne është e qartë që rajoni ka nevojë të zbatojë një agjendë serioze dhe të gjerë lehtësimi.

74% e qytetarëve të rajonit besojnë se Bashkëpunimi Rajonal do të ndryshojë jetën e tyre për mirë dhe shpejt.

Habiteni nga kjo? Qytetarët flasin gjuhën e bashkimit. Përforcimi i reformave kombëtare dhe bashkëpunimit rajonal do të ketë një efekt në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të rajonit dhe është një recetë për një rajon më të mirë.

Koha kalon dhe na lë të gjithëve në paqartësi solemne, që vë qartë në dukje se sa rrezikojmë.  E shkuara është ende pjesë e të tashmes, e ardhmja mund të duket e zymtë, por ne kemi humbur shumë për shkak të padrejtësive të mundshme.

Një orë e humbur kot është e barabartë me vite të tëra përpjekjesh për të arritur hapin e pjesës tjetër të botës.

Po, Ballkani Perëndimor është çështje ende e hapur për Evropën. Asgjë e mirë nuk vjen nga një perspektivë e tkurrur e BE-së, por asgjë nuk do të ndodhë nëse nuk kujtohemi që duhet të kujdesemi dhe të transformojmë “shtëpinë tonë të vogël” në një vend të pastër dhe plotë dritë…

Me që ra fjala, “Një vend i pastër plot dritë” është një nga tregimet e Ernest Hemingueit.

Kohët ishin ndryshe, por ngjarja është po ajo. Është ende.

 

SHKARKO APP