Një vit epokal krizash

 

Të kujtohen kohët e kulmit të Luftës së Ftohtë: rrëzimi i një avioni të vetëm luftarak shndërrohet në temë kryesore të politikës botërore. Një tregues, se sa e ndërlikuar është gjendja, mendon Alexander Kudascheff.

Politika botërore është ndërkohë një fuçi baruti. Frontet dhe linjat e tyre zhvendosen thuajse çdo ditë. Konfrontimi shtohet ndërkohë mes fuqive rajonale, por edhe mes fuqive të mëdha. Rrëzimi i bombarduesit rus nga Turqia – pavarësisht nëse ndodhej mbi Siri apo mbi territorin turk – tregon, se sa të tendosura janë nervat anë e mbanë, se sa delikate, madje sa shpërthyese është gjendja aktualisht.

Turqia reagon alergjike lidhur me luftën që zhvillon Rusiasë nga ajri kundër opozitës siriane dhe në ndonjë rast edhe kundër IS-it. Ajo reagon veçanërisht e ndjeshme, sepse beson, që Rusia qëllimisht u kundërvihet rebelëve turkmenë kundër Asadit. E me këtë Rusia cënon atë Turqi, për të cilën lidhja ideale e popujve turq mbetet një objektiv i madh. Atë Turqi, e cila e ndjen veten edhe si aleate e të gjithë kundërshtarëve të Asadit – dhe për këtë arsye e ka pranuar prej kohësh kursin e fitores së IS-it. Shumë gjatë, siç dihet tani – jo vetëm pas Parisit, por që pas sulmeve edhe vet në Turqi.

Rusisë t'i tregohet kufiri por edhe të fitohet si aleate

NATO nga ana e saj duhet të reagojë, por e bën këtë duke u solidarizuar me Ankaranë e njëkohësisht duke mbajtur një ton dhe një qendrim zbutës kundrejt Moskës. Askush nuk do në këtë situatë gjithsesi të ndërlikuar në dhe për Sirinë t'i hedhë edhe më shumë benzinë zjarrit me fjalë. Sepse pavarësisht se avioni u qëllua, në Perëndim shpresohet ende që për qytetarët sirianë mund t'u jepet fund implikimeve në luftë bashkë me Rusinë. Kjo si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë politik. Për këtë nevojitet Rusia, por është fjala edhe për Asadin, të cilin në kryeqytet perëndimore në rastin më të mirë duhet ta pranojnë si një zgjidhje të përkohshme, sepse objektivi kryesor është mposhtja e IS-it. E kjo para së gjithash u bë e qartë pas sulmeve në Paris, por edhe në Bejrut dhe në Bamako. Terrorizmi islamik po përhapet si një oktapod në të gjitha drejtimet. Në Lindjen e Mesme po ashtu si edhe në Afrikë, Azi si edhe në Europë.

Kudascheff Alexander Kommentarbild App

Kudascheff Alexander, kryeredaktor i DW

Ai përbën aktualisht sfidën më të madhe ushtarake dhe politike të politkës botërore. Por kjo në fakt ka shumë më tepër probleme se sa vetëm interesat e ndryshme: presidenti i Francës Hollande do të orkestrojë një fushatë të përbashkët kundër IS-it, por partnerët janë disi të ngrutë. Ndonëse SHBA godet nga ajri, ajo nuk do që të involvohet në pështjellimin politik dhe ideologjik në terren. Por megjithatë Pentagoni natyrisht e ka të qartë, që në fund nuk do të mund të shmanget angazhimi i trupave të terren, nëse vërtetë IS-i duhet asgjësuar. Sidoqoftë as në ëndërr presidenti Obama nuk e çon nëpër mend angazhimin e trupave të këmbësorisë. Ndërsa fuqitë rajonale – Arabia Saudite dhe Irani – përveç interesave respektive, për të siguruar pushtet dominues, nuk kanë aspak të njëjtat synime.

Ç'rol mundet dhe duhet të luajë Gjermania?

Për këtë arsye Francois Hollande u ka kërkuar ndihmë dhe përkrahje europianëve. Reagimi ishte edhe në retorikë i përmbajtur. Por Gjermania, aleatja më e ngushtë e Francës, përballet me çështje jo fort komode: si do të mbështetet Parisi, e në radhë të parë si mund të bëhet kjo? Me siguri jo në Siri. Por më tepër përmes lehtësimit me ndihma në vende, ku Franca është e angazhuar ushtarakisht, si p.sh. në Mali. Qeveria do të ofrojë pikërisht këtë dhe Bundeswehr-i (Ushtria gjermane) edhe mund ta bëjë këtë – por popullsia gjermane edhe në këtë pikë është skpetike. Aleanca gjermano-franceze ndodhet përpara sprovës më të vështirë të saj.

Politika botërore e ka humbur rendin. Raportet janë të paqarta. Sepse krahas kërcënimit nga terrori prej IS-it, kriza e vazhdueshme dhe e pazgjidhur e refugjatëve po e mban në tension Europën dhe shumë vende të tjera të botës. Thjeshtë, sepse institucionet shtetërore ende nuk e dinë, se si duhet t'i zgjidhin problemet e së përditshmes. Duke pasur parasysh të ardhmen, askush nuk e di, se si mund të integrohen miliona njerëz nga mjedise të ndryshme kulturore. 2015 është një vit epokal krize – që ende s'ka përfunduar.

SHKARKO APP