Një vit më parë, Papa Françesku në Tiranë

Nga Skënder Minxhozi/

Një vit më parë, në një ditë si kjo e sotmja, shqiptarët prisnin të rreshtuar në dy anët e rrugës që vjen nga Rinasi drejt Tiranës, Papa Françeskun. Kreu i Kishës Katolike kishte zgjedhur jo pa qëllim, që ta shkelte tokën shqiptare, në Ditën ndërkombëtare të Paqes. Një itinerar me simbolikë të spikatur, në një vend që është parë historikisht prej Vatikanit, si një oaz unikal paqeje e harmonie fetare, në një gadishull ku konfliktet fetare kanë shkaktuar shumë dhimbje e humbje jetësh.

Papa Françesku e nisi një vit më parë me Shqipërinë, ciklin e vizitave në Europë, për të vijuar më pas me një trajektore udhëtimesh, të cilat do ta çonin atë një vit më pas, pikërisht në këto orë, në një vend tjetër të izoluar si Shqipëria e dikurshme komuniste – në Kubë.

Vizita e kreut të Kishës Katolike ka pasur kurdoherë trajtat e një evenimenti historik për shqiptarët. Vizita e Papa Gjon Palit në vitin 1993, ishte mesazhi i parë i fortë i Vatikanit për shqiptarët dhe ballkanasit, në një moment të vështirë për gadishullin ballkanik dhe për gjithë Europën Lindore. Papa Françesku gjeti një Shqipëri tjetër, por edhe një rajon të ndryshëm nga ai i luftës etnike dhe i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

”Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë. Sidoqoftë, ajo arriti të gjejë paqen përmes besimeve të ndryshme. Dhe kjo është një shenjë e admirueshme për botën, për paqen dhe ekuilibrin në favor të qeverisjes”, u shpreh ai gjatë vizitës së tij në Tiranë. Kjo sentencë është në fakt pigmenti që të tjerët dallojnë tek ne më së shumti. Ndoshta më tepër se ne vetë, që të rrëmbyer nga përditshmëria e komplikuar ku ndodhemi, nuk vemë re standartin unikal të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare (që për dikë është deri diku edhe indiferencë e një populli me nivel të ulët besimi).

Një vit më parë Papa Françesku hidhte disa mesazhe që tani, pas një viti duken si fjalë të shkruara në akull. Është normale që një vizitë, qoftë kjo edhe Atit të Shenjtë, të mos prodhojë ndonjë ndryshim epokal në jetën politike e sociale të një vendi. Por kur sot, në një vjetorin e asaj vizite, ata që e puthën plot pasion dorën e Papës, vijojnë të jenë po aq të “pafe” në sjelljen e tyre, hipokrizia e disa shqiptarëve të njohur një vit më parë, të le një shije të keqe në gojë. Se mos është hera e parë…

Javanews.al

SHKARKO APP