Një vit për 80 vitet e Kadaresë
Historinë duket se e diktojnë politikanët, por e shkruajnë njerëzit e letrave. Në një vështrim të parë, sipërfaqësor dhe të projektuar vetëm në të tashme, duket se politikanët vendosin për fatin e shumëkujt që ndodhet nën qeverisje. Pavarësisht emrit të tyre, mbret, oborrtar, kryeministër, nëpunës administrate, pavarësisht kohës kur kanë qeverisur, pavarësisht se mund të vendosin për kohën e mirë apo të keqe, për të drejtën apo të ligën, për të bardhën apo të zezën, ata kanë një jetë të përkohshme. Diçka që ngjan me shkëlqimin e fishekzjarrit. Shpërthyes, vetëtitës dhe i shuar në pak çaste. Në histori rrëfehet shpesh anekdota se askush nuk e mban mend se kush qeveriste Anglinë ndërkohë që Shekspiri shkruante Hamletin; që askush nuk ka dilemë se Mozarti apo Bethoveni janë shumë e shumë herë më të njohur se ata që qeverisnin dikur në gjermanisht dhe në kohën e tyre. Askush nuk quan mëkat që Gëtja, për shembull, preferonte e më pas urrente Napoleonin dhe ndoshta askush nuk ka dilemë se po të ishte vërtet gjeni në letërsi, siç do të donte të ishte, Çurçillin do të preferonte ta njihnin më shumë si shkrimtar sesa si politikan.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky rregull përkohshmërie dhe nga kjo theqafje anormale hierarkie. Më sytë miopë të dikujt që jeton për stomakun, Ismail Kadare, në vitin 1974, fjala vjen, dukej shumë më i parëndësishëm se çdo budalla që shëtiste me Benz-at e zinj të ish-byrosë politike të komunistëve. Dhe natyrisht as që nuk mund të krahasohej me shqiptarin tjetër të famshëm, Hoxhën që ndikonte dhe ndikon ende në jetën e çdo shqiptari. Edhe të atyre që kanë lindur mbasi ai vdiq. Por edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga rregulli “i fishekzjarrit”. Nuk i shmanget dot humbjes së të përkohshmes dhe rivendosjes në hierarki, herët a vonë, të së gjithëhershmes. Për fat të mirë, një vend që nuk mund të mburret se garanton normalitet, një vend që shpesh hierarkinë e xhepit dhe muskujve i vë përpara asaj të mendjes, kësaj here është pikërisht në normalitet dhe në rendin e duhur të “gjërave”.
Viti 2016 është shpallur si viti kulturor i Kadaresë sepse shkrimtari mbush 80 vjeç në 28 janar. Një fat të ngjashëm mund ta kishte pasur edhe viti 1974, edhe viti 1990 (mbase në tetor), edhe 97-a, apo edhe 2006-a. Viti i zgjedhur nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që Kadare nuk ka ndonjë nevojë të ngutshme as të shohë festime për ditëlindjen e tij, as të rrethohet nga hare dhe rrebesh urimesh, lëvdatash, përqafimesh deri edhe nga ata që mezi lexojnë në shqip. Po kështu, nuk është se i vlen shumë as restaurimi i shtëpisë së lindjes në Gjirokastër dhe as ndonjë dekoratë e lyer me flori nga Presidenca. Nuk i intereson e me gjasë është tërësisht indiferent në grishjen njerëzore dhe mundësinë që ka tani për të ndikuar në dilemën e madhe që ka shoqëruar gjithmonë gjykimin për të. Një dilemë e krijuar kryesisht nga njerëz që lexojnë mirë në shqip: njeri i vogël e shkrimtar i madh. Sepse një gjë e tillë është tërësisht e barazvlefshme me kuriozitetin nëse parapëlqen djathin e dhisë apo reçelin e qershisë. E rëndësishme është që sporti kombëtar shqiptar – politika e ditës – kësaj rradhe ka pasur kthjelltësinë, qetësinë dhe mençurinë për të bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. Duke thithur respekt për vetveten në respektin për shkrimtarin; duke marrë sqimë për vetveten kur dëshmon sqimë për shkrimtarin.
Ky është një nga rastet e rrallë kur ja vlen të duartrokitet Tirana për çfarë po bën më Gjirokastër dhe në gjithë Shqipërinë. Sepse ka ditur të zgjedhë të duartrokasë. Sepse së paku në këtë rast ka kuptuar se historinë duket se e diktojnë politikanët, por e shkruajnë njerëzit e letrave. Dhe aty, tek historia, Ata, shkrimtarët, nuk falin kurrë edhe nëse e kanë bërë gjatë jetës. Sepse Historinë, realisht, e diktojnë Ata! (java)