Një xheloz që nuk është me Klodin
Nga Enkel Demi
Kur pashë Klodin që qëllonte me vezë kryeministrin me aq trimëri, nuk e fsheh që më erdhi ndërmend shpirti ynë i protestës në vitin ‘90, rrëmbimi i aventurës, idealizmi që e përfshin të riun dhe e hedh në veprim.
Nuk e di nëse vetë Edi Rama është rikthyer në atë kohë të pafajësisë, ku të çon simboli i vezës, duam apo s’duam. Besoj nuk kam qenë i vetmi që m’u kujtuan grevat e urisë, demonstratat, fjalimet krejt të çlirëta, të mbajtura me patos kudo në Shqipëri, kudo ku kishte studentë. Ndaj Klodi në një farë mënyre është bashkëmoshatarja jonë e atyre viteve, megjithëse është partizane e të tjera kauzave. Vajza e re, e cila ka hipur majë Piramidës së arkëmortit të Enver Hoxhës dhe mban grushtin përpjetë, është portreti tipik i aktivistit të sotëm europian non global. Eshtë një fytyrë moderne e Shqipërisë së sotme, e cila përqafon ekstremin e majtë dhe brenda filozofisë së vet nuk e ka për gjë të godasë kreun e qeverisë, madje t’i shkojë pas me megafon e t’i numërojë qindin.
Këtu mbaron historia e studentes dhe shokëve të saj. Policët nuk janë idealistë, e të rrasin brenda. Uroj që mos t’i ketë prekur njeri me dorë, sepse përndryshe policia ka kaluar një vijë demarkacioni, e cila do shkarkonte mbi të një mëri popullore të pashoqe. Por duhet të jemi të qartë që studentët nuk duhet të prisnin të mos t’i ndalonin apo t’i shoqëronin në polici. Veprimi i tyre është i dhunshëm, është në shkelje të hapur të ligjit. Ata sot nuk kanë goditur Edi Ramën, por kreun e qeverisë, kryetarin e shumicës, dhe janë shprehur ekstremisht dhunshëm ndaj një ligji që nuk e duan. Kanë në dorë të gjitha llojet e protestave, por vajzat dhe djemtë me Klodin në krye zgjodhën dhunën, dhe kjo është e dënueshme. Kudo ka gjoba, deri në kufizim të lirisë, nëse shpall dhunën si armë revolucionare drejt fitores. Studentët ka gjasa të kenë shumë të drejtë për atë që kërkojnë, sepse përkrahen fuqishëm nga një komunitet shumë i gjerë jo vetëm të rinjsh të shkollave të larta, por edhe nga profesorët e tyre. Ama e tejkalojnë të drejtën e tyre kur marrin në dorë vezën sot dhe gurin mot.
Askush që merret sot me politikë nuk duhet të ekzaltohet nga kjo protestë e dhunshme, sepse në këtë mënyrë duhet të presë nesër të tjera vezë në shpinën e vet. Nuk legjitimohet dhuna as me deklarata shtypi.
Nuk duhet të gëzojë Luli, sepse ligjin që e kontestojnë kaq fort studentët bëri sikur e harroi ta çonte në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse premtoi. Klanet universitare jopublike që sot po i shërbejnë zellshëm qeverisë, ta themi hapur, po i shërbejnë kaq ethshëm edhe opozitës, jo vetëm mediatikisht, por edhe me burime njerëzore. Ndaj interesat e këtyre studentëve dhe pedagogëve të tyre opozita i la prej kohësh thatë, dhe u mjaftua vetëm me një tryezë, por nuk pipëtiu asnjë grimë më shumë. Ndoshta tek kjo braktisje mund të shihet dhe humbja e shpresës së fundit e këtyre vajzave dhe djemve që po i bien për shkurt, pasi i ka zënë dëshpërimi dhe nuk dinë ku të kapen.
Klodi dhe shokët e saj nuk duhen lënë vetëm, dhe as në burg, por dikush që ata e besojnë duhet t’u thotë që dhuna veç dhunë të sjell.
Tesheshi.com