Njërin sy nga Parku, tjetrin nga Tirana
“Presioni pozitiv sjell shpesh rezultate. Ashtu siç ndodhi kur u tha se do ndërtohej një hyrje në Park, në formën e një ndërtimi që niste tek Universiteti e mbaronte në këmbët e digës së liqenit. U bë shumë mirë që presioni publik e ndaloi atë projekt, ashtu siç u bë shumë keq që disa aleanca të heshtura e fluide djathtas-majtas, nuk e bënë të mundur që Parku të mos dëmtohet në një pjesë tjetër të tij: atë që sheh nga porta hyrëse e rrugës së Elbasanit”…
Nga Skënder Minxhozi
– Parku i Tiranës ka qenë një fole e vjetër grenzash, qëkurse u kuptua që aty mund të bëhet para e madhe me ndërtimet. Vila fantazëm, pallate gjithnjë e më kërcënuese, lagje që shfaqeshin në zonat e menaxhuara nga bashkia apo edhe komunat përreth, plane urbanistike që merrnin dhjetra mijë metra të tokave anash pjesës së pyllëzuar: gjithçka në emër të çmimeve të kripura për metër katror, që ajo zonë vazhdon t’i sigurojë biznesit kanibalesk të ndërtimeve.
Ndërkohë që Tirana po bëhet gati të njohë një hapje të rëndësishme urbanistike drejt bulevardit të ri të stacionit të trenit, sërish planet urbanistike të viteve të fundit, dhanë në mënyrë cinike dhe pa asnjë shqetësim në drejtim të standarit të jetës dhe kritereve mjedisore, leje ndertimi per toka të tëra rreth Parkut. Pikërisht në zonën e digës së Liqenit, aty ku disa kantiere janë bërë gati të derdhin dhjetra mijëra metra kub beton, duke çimentuar njërën ndër hapësirat e fundit të lira që rrethojnë sot Parkun e Tiranës. Të gjitha palët politike kanë aty miq, të njohur dhe aleatë, në listën e biznesit që po bëhet gati ta kafshojë edhe atë copë tokë.
Tirana ka pas vetes një histori 25 vjeçare transformimi tronditës. Asnjëra nga forcat e mëdha politike s’mund të pretendojë sot se është sjellë mirë me qytetin. Përfshirë edhe një personazh si Edi Rama, i cili pretendon se ka bërë historinë e suksesit të kryeqytetit shqiptar. Edhe opozita që sot proteston, kur drejtoi bashkinë në periudhën 2011-2015, dha leje ndërtimi në zona gjithashtu të nxehta urbanistike të qytetit, megjithëse dendësia e ndërtimeve do ta kërkonte që të kishte vepruar ndryshe. Hidhini një sy të njëjtit plan urbanistik, që ta kuptoni sesi do të ngrihen kullat e grataçielat nga zona pas Piramidës, tek ETC, apo në pika të tjera të qytetit.
Megjithatë protesta aktuale kundër një parku fëmijësh, e cila ka habitur edhe arkitektin gjerman që e ka projektuar, ka një element pozitiv vetëm nëse vendoset në kontekstin e alarmit që duhet hedhur në eter, në lidhje me situatën urbanistike të kryeqytetit shqiptar. Para së gjithash për pjesë të tilla si ajo Bllokut, Tirana e re më në përgjithësi dhe zonat përreth Parkut të Tiranës.
Në këtë sens, të gjithë ata që kanë vendosur të jetojnë në këtë ambjent, kanë parimisht të drejtë për të protestuar. Madje me zë të lartë. Por jo në mënyrë hipokrite dhe as me prapavijë politike.
Presioni pozitiv sjell shpesh rezultate. Ashtu siç ndodhi kur u tha se do ndërtohej një hyrje në Park, në formën e një ndërtimi që niste tek Universiteti e mbaronte në këmbët e digës së liqenit. U bë shumë mirë që presioni publik e ndaloi atë projekt, ashtu siç u bë shumë keq që disa aleanca të heshtura e fluide djathtas-majtas, nuk e bënë të mundur që Parku të mos dëmtohet në një pjesë tjetër të tij: atë që sheh nga porta hyrëse e rrugës së Elbasanit.
Duke tejkaluar mbi sherrin aktual dhe thellësisht të politizuar të lojrave të fëmijëve tek Parku i Tiranës, ka ardhur prej kohësh momenti i një ndërgjegjësimi të madh rreth ndërtimeve në Tiranë. I cili të përfshijë jo vetëm vendime drastike të tipit “moratorium total ndërtimesh”, jo vetëm sherre hileqare politikanësh që drejtojnë gishtin tek kundërshtari, ndërkohë që janë vetë të mbytur në mëkatin e lejeve ndërtimore. Për Tiranën duhet një debat i vazhdueshëm institucional dhe qytetar, pa pasion dhe pa manipulim, por me arsye dhe logjikën e thjeshtë se qyteti nuk mban më! Ka arritur një pikë kur standarti i jetesës në Tiranë është vënë seriozisht në pikëpyetje, për shkak të babëzisë së biznesit të ndërtimeve, i cili është prej vitesh në simbiozë dhe në pazare të hapura dhe të mbyllura me politikën. Vetëm një prerje me thikë e kësaj aleance të pisët, do të sjellë ndalimin e një masakre të madhe urbane në Tiranën e sotme dhe të nesërme. (Java)