Njeriu ka mbetur vetëm

Nga Frrok Çupi

Nesër nuk do të jetë këtu as OSBE. Të tjerët që përfaqësojnë nga afër individin, ose kanë heshtur, ose janë zbutur, ose janë larguar….

E thënë më saktë, për përfaqësuesit e lartë të piramidës së shtetit, OSBE do të largohet menjëherë nga Shqipëria. Veç dje, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Vjenë (ku ndodhet Selia e OSBE), deklaroi se prezenca e OSBE në Shqipëri është një dobi, është një domosdoshmëri.

Këta tanët e kanë prurë punën deri në pikën kulmore të regjimit të diktaturës komuniste: Të jesh a të mos jesh, të jesh me ne ose nuk je, të jetë e jona nëndetësja 105, a të hidhet në erë!

Nëndetësja 105 është simbol lufte dhe simbol arti për pikën kulmore të Luftës së Ftohtë që i vuri zjarrin lirisë së njeriut për gjysmë shekulli. Mes Tiranës dhe Moskës së qeverisur nga anti-stalinianë, në vitin 1961, u shtrua alternativa: Të dorëzojmë nëndetësen 105, apo të bëhemi anti-stalinianë?! Udhëheqësit komunist zgjodhën të mbajnë nëndetësen dhe dhunën e Stalinit. Moska, më liberale se Tirana, "u hodh në det".

Këto ditë, si për ironi të fatit, qeveria socialiste (ish-komuniste) ka rinovuar nëndetësen 105 si për të revokuar "epokën e lavdishme" kur Shqipëria hidhte në det çdo alternativë liberale ndaj të drejtës së individit. Kanë rinovuar edhe tunelet, vendstrehimet, kapelat, jorganët dhe bunkerët e diktatorit komunist Hoxha. Para dy ditësh, në mënyrë "demokratike", u shfaq triumfalisht edhe maska e diktatorit. Pak nga pak, diktatorin do ta kemi mes nesh si para të pastruara.

Kërkesa për largimin e OSBE është akti më i fundit që bën paralele me veprën e diktatorit komunist. Diktatura nuk e lejoi kurrë OSBE të hynte në Shqipëri. E krijuar në vitin 1973, menjëherë pas Aktit Final të Helsinkit, firmosur nga 35 shtete anëtare, KSBE (më vonë e quajtur OSBE), u kthye menjëherë në një tmerr për udhëheqjen komuniste të Tiranës. Sa shkruheshin diku katër shkronjat e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Europë, udhëheqjen e Tiranës e pickonin grerëzat. Reagonin egërsisht. Reagonin si gangsterë dhe shanin me fjalë të rënda. Vetë diktatori, në një mbledhje të Byrosë, paska sharë njësoj siç shau tradhtarin Kadri Hazbiu në një pjesë filmike të ruajtur në arkiva.

Nuk e lejuan OSBE. OSBE u vendos në Tiranë vetëm pas rënies së regjimit komunist. Tani po kërkojnë ta largojnë. Kanë kërkuar deputetë, ministra dhe mafiozë. Sa për këta, OSBE nuk është më këtu. Vallë u kthye diktatura?, siç pyesin disa me naivitet dhe disa të tjerë si apologje të komunizmit? Të dytët pyesin për të marrë përgjigjen: "Jo, vëlla, si mund të kthehet diktatura?".

Po, vallë, cilat janë arsyet pse nuk e pranuan komunistët fillimisht OSBE-në? Dhe cilat janë arsyet pse këta po e largojnë kësaj here?

E para, fillimisht diktatura nuk e pranoi OSBE sepse nuk mund të pranonte një organizatë ose një qenie humane që të vihej në krah të individit të dhunuar. Po të vihej OSBE në krah të njeriut, dmth., të individit të dhunuar, atëherë regjimi binte. Regjimi i diktaturës e kishte fuqinë te konspiracioni, te vepra e fshehtë, prapa kurrizit dhe në dëm të individit. Po të binte fshehtësia, dmth., që njeriu të kishte sy të hapur dhe të drejtë për tu ndarë nga padrejtësia, atëherë regjimi binte. Prandaj nuk mund të pranohej OSBE.

E dyta, pse sot kërkojnë ta dëbojnë OSBE!? Për të njëjtat arsye. Sot qeveria konspirative, do që ta mbajë njeriun larg vetes. Të mbajë larg të uriturin për bukë. Të mbajë larg dëshmitarin e krimit shtetëror. Të rrënojë dëshmitarin e transportit të drogës. Të mos flasë njeriu për vjedhjet  (korrupsion është fjalë e vogël) kolosale të qeveritarëve. Larg nga vilat. Në burg për dritat dhe kuponët. Larg nga e drejta për të votuar ndershmërisht, këta blejnë votat e njeriut me paratë e vjedhura këtij njeriu. Domethënë përsëri njeriu duhet mbajtur larg. Po të ketë njeriu në krah OSBE-në atëherë qeveria dhe regjimi i konspiracionit bien.

OSBE shpalli krimin e madh në kupolën e shtetit. Vrasje, vjedhje, përdhunim, drogë e prostitucion ushtruar që nga kryeministri, kryetari i kuvendit, deputetë, kryetarë bashkie dhe biznesmenë. Lajmi i dhënë nga OSBE ka tronditur botën. Prandaj kërkojnë të largojnë OSBE. Njeriu mbetet vetëm. Sapo njeriu mori vesh se do të vijë FBI, ndodhi si në vitet ' 90 kur Amerika njoftoi se po vjen OSBE.

… Ngjarjet paralele ndodhën për arsye paralele. A mund të kthehet e keqja, atëherë!?Pyesin naivët që nuk duan të besojnë dhe hileqarët që duan të manipulojnë mendjen e njerëzve naivë. E keqja ka mbërritur,  ja ku është.

SHKARKO APP