Njeriu që futi të vërtetën në xhep

 

Nga Andi Bejtja

E ashtuquajtura “Afera CEZ”, pas miklimit gati, gati femëror të kryeministrit Edi Rama nga Uashingtoni për partnerin e tij të koalicionit Ilir Meta, duket sikur nuk është më çështje dhe teksa politika shqiptare në një farë mënyre rregulloi vetveten përpara pasqyrës politike, shqiptarëve iu thye pasqyra e transparencës.

Si përfundim, askush nuk mori vesh çfarë ka ndodhur, kush ka bërë çfarë. E vetmja gjë e sigurtë është që shqiptarëve po i humbet një shans për t’iu kthyer një shumë e konsiderueshme lekësh mbrapsht. Dhe pengesa kryesore për këtë ka qenë kryekëput maxhoranca rozë me në krye kryeministrin Edi Rama, i cili që nga dita minuta e parë kur nga dy lider të vërtetë politikë, që u sollën politikisht korrekt në këtë çështje dhe në këtë lojë politike, Sali Berisha dhe Ilir Meta, u hodh ideja e hetimit ndërkombëtar, Edi Rama e kundërshtoi që në fillim, duke nxjerrë në minutat e para të kësaj beteje, kryetarin e komisionit të ekonomisë Erjon Brace, pa siglën zyrtare të partisë Socialiste nga mbrapa, e në fund duke dalë dhe vetë hapur kundër.

Është e vështirë t’iu shpjegosh shqiptarëve se si një kryeministër që ndërmerr reforma të rrufeshme, që ka rekorde dhe marrëdhënie jo të mira me ligjin në vetvete si koncept, që nga koha kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës për 11 vite me radhë e deri në ditët e sotme kur e ka bezdi të thotë dhe me çfarë lekësh është rikonstruktuar godina e kryeministrisë, papritur e pakujtuar bëhet institucional dhe merakoset për ligjin.

Nuk e di se si mund të bindet një shqiptar i thjeshtë, se pse reformatori Edi Rama dhe gjithë karroca e tij rozë, nuk voton për procedurë të përshpejtuar për hetim ndërkombëtar të kësaj çështje, kur për një kryeministër të një vendi është më shumë e rëndësishme ti kthejë dollarët buxhetit të shtetit të vet se sa të prekë një apo dy ligje.

A për shqiptarët dhe për opinionin publik shqiptar ka më rëndësi prekja e një apo dy ligjeve apo zbardhja e kësaj afere, të cilën segmente politike e mediatike afër kryeministrit e fryn më shumë sa mbante dhe vetë llastiku i tullumbaces?

Apo tullumbacja në vend të plaste te oborri tjetrit, kishte rrezik të paste te oborri vet e ndaj kryeministri me buzën e vet, tërhoqi gjithë ajrin që e kishte mbushur këtë tullumbace për ditë me radhë?

A nuk ishte po ky kryeministër që drejtësinë shqiptare e kishte quajtur “drejtësi gagarele” dhe tani këtë çështje kaq delikate dhe shumëfijëshe nuk e ka për gjë t’ia besojë kësaj drejtësie, në vend t’ia besojë një drejtësie më të besueshme, për të dhe gjithë opinionin publik shqiptar.

Këto janë përgjigje, që kryeministri i Shqipërisë ka për detyrë jo thjesht morale tua japë shqiptarëve, sepse më këtë që po bën ai nuk po bën gjë tjetër veçse po e fut të vërtetën në xhep.

A nuk ishin të pafund njerëzit politikë dhe mediatikë afër tij, që pëshpëritnin restoranteve e korridoreve, se Rama nuk kanë ç’bën, është lojë e amerikanëve?

A nuk ishin po këta zëra që mbarsën gjithë opinion e korridoreve që po vjen një cunam nga jashtë që do pastrojë gjithë politikën shqiptare, se prandaj Rama ndodhej këto momente në Uashington, etj, etj, etj si këto.

Të ishin të vërteta të gjitha këto, i pari që do kishte bërtitur me të madhe për hetimin ndërkombëtar do të ishte pikërisht lideri i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Shqipërisë Edi Rama, i cili ka përçmim për drejtësinë shqiptare më shumë se çdo lider tjetër shqiptar.

Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh që e gjitha kjo, që shumë njerëz të thjeshtë e konsideronin një lojë të madhe që diku do plasë, nuk është gjë tjetër veçse një lojë kulisash province, e shtyrë dhe nga ajo oligarki biznesmenësh që e sheh tre polaritetin në skenën politikën shqiptare, si pengesë për tu pasuruar më shpejt apo për të larë kreditë e këqija.

Ndaj nuk ka pse të çuditet kush që oligarkët e vërtetë të Shqipërisë këtë herë donin ti shihnin të bashkuar Ramën me Bashën. LSI për fatin e saj të mirë për mua personalisht, nuk është më përfaqësuese e oligarkisë, asaj oligarkie për të cilën Xhon Kerri tha se ishte kanceri i vendeve ballkanike.

Në përfundim të filmit CEZ, shqiptarët nuk morën vesh asgjë, përveç faktit se cilit nga liderët shqiptarë është politikan i mirëfilltë dhe bën fair-play pavarësisht nga situata apo paragjykimet, dhe cili nga liderët është kulisarë.

SHKARKO APP