Njoh një burrë që mezi pret verën për të dalë nëpër Shqipëri me ruspa e tritol
Nga Alfred Lela –
Ka një tipar kureshtar në sjelljen politike të Edi Ramës. Ai pret gjithmonë të vijë vera, stina e tij e preferuar e shkatërrimit. (Mund ta imagjinoj që, në mos Valkyritë e Vagnerit, ai ndër Katër stinët e Vivaldit, klikon tek oktavat e larta të Verës, ndërkohë që ndjek nga ekrani fadromat tek shembin shtëpi e lokale nëpër vendin që udhëheq). E mbani mend herën e parë, kur doli me sëpatë në dorë, në mes të ditës, një ditë vere, mjafton këmisha e bardhë dhe e linjtë për të njoftuar emrin e stinës, dhe iu fut një shtylle që i ndërhynte në planin e ‘ndërtimeve’?
Qprej atëherë, sëpata u bë emblema e Edi Ramës si personazh politik. E përdori në vijim për të prerë lidhjet e papërshtatshme politike, për të traumatizuar vartësit dhe bashkëpunëtorët, për të dërmishur lidhjet intime, për të identifikuar në hapësirën urbane dhe shtetërore profilin e vet etatisto-autoritarist.
Rama, me kalimin e viteve dhe ndërrimin e zyrave, e këmbeu sëpatën me ruspat dhe tritolin, sepse Kërpërata e ndërtimit u rrit bashkë me Shqipërinë dhe oreksin e tij, sepse në rrjet u shtua zhurma; kakofonia informative thërriste në ndihmë nevojën e një shpërthimi i cili dilte mbi kaosin e së përditshmes. Një politikan që zgjedh të shkatërrojë në një proces të creative destruction, pra që të krijojë diçka mbi rrënojën e asaj që ka hedhur ne erë, gëzon të drejtën që të shihet si zhvillues. Personazhin tonë, Edi Rama, e tradhëton një detaj domethënës, që flet për destruktivitetin më shumë se për kreativitetin.
Ai shkatërron për të krijuar një efekt më shumë se një vepër. Për këtë nismat dhe gjurmët e shkatërrimeve të tij janë thuajse të gjitha në verë. Parehatia e një pyetjeje ngrihet mbi këtë zbulesë, që e sheh apasionantën destruktive të kryeministrit, ish-ministër Kulture dhe ish-Kryebashkiak, të lidhur me verën. Çfarë ka te stina e nxehtë që e nxjerr nga strofulla demonin destruktiv të tij apo, pse ai hidhet mbi asimetritë e Shqipërisë me një hov depresiv, duke i gjykuar fyese, pikërisht në stinën më të gëzuar të vitit? A ka një kompleks psikologjik te ky tundim i Ramës?
Një njeri i balancuar, për shembull, do t’i druhej verës, për të gjitha qëllimet dhe arsyet. Le të marrim këtë verë shqiptare, te e cila janë grumbulluar kaq shumë detonime gjatë 8 muajve të fundit, duke filluar që nga tërmeti i 26 nëntorit, pasuar nga kriza, ende adoleshente, e epidemisë së koronavirusit. Sikur të mos ishin këto, do të mjaftonte dijenia se vera, e vetmja stinë që çel një lule të turizmit në vend, është një tremujor që meriton të mos tronditet me dhunë shtetërore dhe politike. Tradicionalisht, vera bashkë me turistët, plazhin dhe serotoninën, ka sjellë një numër të shtuar vrasjesh, aksidentesh dhe makabritetesh. Vera shqiptare, për çdo vit, është një koktej i madh tërbimi ku ndërzehet jeta me vdekjen, një anije kozmike që niset për në hapësirat gjithë vrima të zeza mes parajsës, purgatorit dhe ferrit.
Pasë qenë e tillë, çdo ndërhyrje e cila, në vend ta zbusë e ashpërson këtë cyborg bestial, është pakujdesi ose poshtërsi. Çfarë është Edi Rama, i pakujdesshëm apo i poshtër?
Sot i kishte dërguar uniformat e poshtërsisë në Veri, ndërsa pak ditë më parë ‘hodhën në erë’ Jugun. Busulla, nord/sud-i e këtij vendi, nuk mund t’i japë shigjetës në kah tjetër veçse nga drejtimi i traumës. Mbi këtë traumë, mbi këtë vend të sfilitur nga ngjarjet e muajve të fundit, ngrihet ai që është në krye të tij, kryeministri që duhej të ishte kryeshëlbyesi dhe, me ruspa e tritol, qëron hesapet me asimetritë që e bezdisin. Sikur Shqipëria të ishte katakombi i tij i grierrët në Surrel.
Ai e pret verën, që Shqipëria aestetike ta bezdisë në shpirt, me padurimin e një zombie që pret në twilight zone për t’u hedhur në territoret e kërdisë. Dimri apo vjeshta nuk kanë kuptim për destruktivitetin e tij, sepse janë stinë me më pak pluhur, me akustikë të brishtë, me dritë që i zhbën këndet e çmendurisë së destruktivitetit, me ngjyra që nuk e ngrenë deri në qiell jehonën dhe neronicitetin e le deluge.
Duke qenë i majtë, për të cituar Kamynë, ai është humanist: domethënë e urren njeriun (që i ka ndërtuar këto pre të destruktivitetit të tij), por adhuron njerëzimin (një koncept efemer dhe konstrukt social). A nuk e keni dëgjuar tek flet poshtë e përpjetë, kohë e pa vend, për njerëzit, shqiptarët, një kolektivitet të trashë dhe anonim, por asnjëherë për individin.
Beson se i vetmi individ në Shqipëri është ai. Kjo e bën të rrezikshëm