Nuk braktiset publiku në kohë të vështirë, do ishte tradhti
Nga Julian Deda –
Si fillim uroj që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt, uroj që t’i rikthehemi ditës tonë normale dhe sidomos punës aq shumë të munguar. Shëndeti ka rëndësi parësore, por puna është po aq e rëndësishme.
Nëse e gjithë bota është në vështirësi nga kjo pandemi, imagjino Shqipëria. Ne sot po jetojmë ditë frike dhe pasigurie për shëndetin dhe për ekonominë familjare. Këtë lloj situate një njeri normal gjatë jetës së tij mund ta kalojë një herë ose edhe kurrë. Kjo lotari na ra ne, jemi të detyruar ta përjetojmë dhe mundësisht ta mposhtim, se çfarë nuk i ra njeriut dhe nuk e hoqi.
Të gjithëve na dhemb kjo situatë, dikujt më shumë, dikujt më pak. Artistët si qenie të ndjeshme besoj e ndjejnë shumë, po shumë fare. Artistët e kanë gjithë artin dhe jetën e tyre të lidhur me ju, me spektatorin, me duartrokitjet, me të qeshurat, me emocionet, me të qarat, me përqafimet, me komplimentet dhe me vërejtjet tuaja. Një artist nuk është kurrë i vetmuar, ndërsa sot është i detyruar të jetë i tillë, të komunikojë virtualisht me ju. Dreqi e mori, po a mund të përçosh emocion me Skype? Shumë e vështirë dhe sfilitëse.
Mjekët dhe policët janë shumë të rëndësishëm në këtë kohë pandemie dhe i falenderoj me shpirt për të gjithë punën dhe sakrificën në kushte mizerabël. Artistët ndoshta nuk kanë rëndësinë e tyre në këtë kohë, por janë po aq të dobishëm për shëndetin e publikut, sidomos atë mendor dhe si rrjedhojë edhe atë fizik.
Artistët janë të domosdoshëm, janë ushqimi i shpirtit dhe sidomos aktorët e humorit. Humoristët, siç i quajmë ne, ose komedianët, siç i quan bota, janë figurat më të dashura të familjeve tona. Secili aktor humori gjatë karrierës së tij ka punuar shumë për të gjetur mënyrën për të hyrë në zemrën dhe mendjen e publikut të tij dhe ta bëjë atë të ndjehet rehat, i gëzuar, i çlodhur, i qeshur, për ta shkëputur atë sadopak minuta nga streset dhe hallet e ditës.
Konkretisht në këtë kohë kur njeriu po lufton psiqikisht me virusin, me vetminë, me largësinë, me papunësinë dhe me varfërinë, pikërisht tani aktori i humorit është i domosdoshëm, është gati i nevojshëm sa mjeku. Do ishte e padrejtë që unë dhe koleget e mi të braktisnim publikun pikërisht tani. Do ishte dezertim, tradhti ndaj atyre njerëzve, që dashamirësisht të kanë duartrokitur prej vitesh. Nuk braktiset publiku në kohë të vështirë, sepse është pikërisht ai që të qëndroi pranë kur kishe nevoje të ngriheshe dhe të ecje në karrierën tënde.
Një aktor humori që nuk dhuron humor për publikun në kohë trishtimi është si një ushtar qe ikën nga Shqipëria ditën kur e pushtojnë atë. Një humorist që nuk bën për të qeshur njerëzit në ditë të zymta është si një polic që u ka dhënë çelësat e shtëpisë tënde hajdutëve. Një komedian që nuk qetëson dhe mbush me shpresë mendjet e spektatorit të tij nëpërmjet mesazheve dhe energjisë pozitive në një kohë pesimizmi social është fiks si një mjek që të heq tubat e oksigjenit kur mushkëritë e tua kanë nevojë për ajër të pastër.
Respekt për artistët, aktorët, muzikantët, këngëtarët dhe shumë të tjerë që po përpiqen të mbajnë gjalle sensorin jetik të ndjesive të bukura.
Zoti na ndihmoftë, ta kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto njerëzore.