“Nuk jemi dele!”
Nga Eduard Zaloshnja
Me një tufë dele të lyera me bojë, ca me blu e ca me rozë, të ndjekura nga aktivistë që mbanin një banderolë të madhe ku shkruhej “Nuk jemi dele!” – kështu e filloi fushatën e tij para kryeministrisë kandidati për Tiranën Gjergj Bojaxhi.
Fakti që e nisi fushatën me një protestë para kryeministrisë nuk tregon se Bojaxhiu po sfidon vetëm kryebanorin e saj aktual – ai e ka edhe me paraardhësit, si dhe me ata që shpresojnë të jenë pasardhësit e tij. Jo më kot delet i kishte lyer ca rozë e ca blu…
Me protestën që zhvilloi Gjergj Bojaxhiu u dha zë të gjithë atyre shqiptarëve që nuk e ndjejnë veten dele, të cilat mund të mashtrohen nga premtime të tipit “Do të ulim TVSH-në e energjisë elektrike dhe të mallrave të shportës nga 20% në 6%”. Sepse dikush që ka tru njerzor në kokë nuk mund ta besojë një premtim të tillë, përderisa u premtua nga i njëjti njeri (Edi Rama) se do të rifillonte bashkëpunimin me FMN-në, e cila nuk mund të jepte ndihmë për të realizuar premtime të tilla. Përkundrazi, do të kërkonte rritje të taksave, për të mbushur sadopak gropën e borxheve të krijuar ndër vite.
Me protestën që zhvilloi Gjergj Bojaxhiu u dha zë të gjithë atyre shqiptarëve që nuk e ndjejnë veten dele, të cilat mund të mashtrohen nga premtime të tipit “Do të vendosim taksën e sheshtë 9%, do të falim faturat e papaguara të energjisë, do të ulim çmimin e e energjisë elektrike”. Sepse dikush që ka tru njerzor në kokë nuk mund ta besojë një premtim të tillë, përderisa ai që e bën (Lulzim Basha) nuk ka as 60 vota në parlament, ku mund të realizohen këto premtime. Për të mos thënë që edhe sikur ta realizonte këtë premtim, do duhej të përzinte FMN-në, ashtu siç bëri në 2009-ën mentori i tij Berisha.
Me protestën që zhvilloi Gjergj Bojaxhiu u dha zë të gjithë atyre shqiptarëve që nuk e ndjejnë veten dele, të cilat mund të mashtrohen nga premtime të tipit “Do ta japim ujin falas 24 orë në ditë për të gjithë tiranasit”. Sepse dikush që ka tru njerzor në kokë nuk mund ta besojë një premtim të tillë, përderisa ujësjellësi del vazhdimisht me humbje edhe duke e shitur ujin me një çmim të kripur.
Me protestën që zhvilloi Gjergj Bojaxhiu u dha zë të gjithë atyre shqiptarëve që nuk e ndjejnë veten dele, të cilat mund të mashtrohen nga premtime të tipit “Në 300 ditët e para, zgjidhim 3 mijë probleme”. Sepse dikush që ka tru njerzor në kokë nuk mund ta besojë një premtim të tillë, përderisa premtime të tilla i bënte vetëm Mao Ce Duni…