Nuk jemi para valës, por para stuhisë!

Nga Lutfi Dervishi –
Ka një debat politik për kapacitetet në spitalet covid. Janë plot apo ka vende bosh? Debat shterpë. Epidemologët këtu dhe gjetiu po thonë se muajt në vijim do të jenë më të vështirët. Numri i të infektuarve rritet dhe është fakt se kapacitetet spitalore po ezaurohen. Nëse ka sot vende bosh, e sigurtë është se me këtë ritëm nesër nuk do të ketë.
Madje nëse i biem ziles së alarmit që sot për këtë realitet me të cilin do të ballafaqohemi shpejt, ndoshta të shpenguarit dhe ata që ende nuk besojnë se virusi është mes nesh do të respektojnë distancat, do të lajnë duart dhe do të mbajnë maskë. Ndoshta, ndoshta do të na kursehen takimet elektorale në ambiente të mbyllura për zgjedhjet që do të mbahen pas 6 muajsh.
Janë afro 14 mijë “raste aktive”, do të thotë njerëz të infektuar që duhet të qëndrojnë në izolim, se përndryshe përhapin virusin. A janë në vetizolim? Kjo është një pyetje retorike. Përhapja e virusit tashmë nuk është nga një individ te tjetri, por nga një lagje te tjetra, nga një qytet te tjetri. Tirana është kthyer në zonë të kuqe dhe nëse në muajin mars pyetja ishte: a njeh dikë që ka koronën, tani pyetja është: a njeh dikë që nuk është infektuar? Dhe ata që janë të pa infektuar janë të bindur se patjetër në mos sot, nesër nuk do të shpëtojnë dot.
Nëse në Itali dhe Greqi masat shtrënguese janë më të ashpra në një përpjekje për të mos pësuar kolaps sistemi spitalor, këtu debati është krejt tjetër. Greqia nga e hëna mbyll edhe çerdhet dhe shkollat!
Liderët fetarë, “barinjtë” janë infektuar dhe po mjekohen jashtë. Këtu kanë mbetur “delet”, përpara është dimri i dytë, ndërsa barinjtë politikë e kanë mendjen tek 25 prilli. Vijon fushata. Ende nuk kanë kuptuar se nuk jemi përballë valës së dytë, por para stuhisë!

SHKARKO APP