Nuk ka dy Shqipëri!
Shifra e 2015-s tregon se është vetëm 7.1% më e lartë se në vitin 2014 dhe fatkeqësisht 5.7% më e ulët se në 2013-n. Ky ndryshim kurbe në rënie, vetëm brenda dy viteve e kur klima e ekonomisë në Europë është përmirësuar ndjeshëm, duket se buron nga pasiguria e mjedisit të brendshëm dhe aftësia e kufizuar e institucioneve tona për të tërhequr në mënyrë të qëndrueshme investimet e huaja.
Disa investime të huaja në Shqipëri, të rëndësishme për sektorin ku janë kryer, kanë edhe një karakteristikë tjetër. Ato nuk prodhojnë vlerë të shtuar, por mbeten ishuj përfitimi privat pa ndonjë kthim për vendin apo popullatën.
Një pjesë e madhe e investimeve të huaja (rreth 40% në tremujorin e fundit sipas Bankës së Shqipërisë) vijnë nga hidrokarburet. Ato janë kryesisht në hapjen e puseve, që nuk ndikojnë në punësim, efekti më i rëndësishëm që duhet të sjellin këto kapitale.
Pjesa tjetër e rëndësishme e investimeve të huaja në vitin 2015 erdhën në telekomunikacion, kryesisht nga blerja e licencave 3G, si dhe nga bankat, që rritën kapitalin më së shumti në pjesën e parë të vitit. Edhe këto investime nuk kanë gjeneruar vende pune.
Ndërkohë në 2016-n, Bankers Petroleum, investitori më i madh në hidrokarbure, ka deklaruar përgjysmim të investimeve, nga 130 mln USD në 2015 në 65 mln USD këtë vit, për shkak të rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Edhe telekomunikacionet e kanë kaluar fazën e investimeve të mëdha. Shpresat mbeten te TAP dhe HEC-i i Devollit, të cilët janë ngjarje që ndodhin një herë në disa vjet.
Nga ana tjetër, është një gropë e madhe, e cila e zhbën tërësisht këtë kapital të injektuar nga jashtë. ‘Monitor’ evidenton në shkrimin kryesor të kësaj jave se pikërisht në sektorët ku është vënë re rritja më e madhe e investimeve të huaja, zinxhiri i borxheve ka kapur vlerën 1 miliard dollarë. Kjo na bën të qartë se e ardhmja e kësaj pjese të ekonomisë është “ngrënë” nga e shkuara dhe me gjasë paratë e injektuara shkojnë edhe për të ulur këto detyrime, për të cilat agjencitë shtetërore pak po shprehen.
Duke rifreskuar të dhënat administrative që raportohen nga zyrat e tatimeve dhe agjencitë e sigurimit, qeveria thotë se janë hapur 173 mijë vende pune. Por Instituti i Statistikave që mbledh të dhënat në terren, vëren se papunësia ka qenë në rritje për dy tremujorë radhazi, kur nga 17.3% në fund të gjysmës së parë të 2015-s, u rrit në 17.7% në fund të vitit, për të cilën qeveria thotë se pati investime të mëdha të huaja. Përballja e këtyre dy rezultateve tregon se së pari nuk ka ndodhur hapja e vendeve të reja të punës, por thjesht formalizimi i atyre që kanë qenë në punë dhe se investimet nuk po prodhojnë punësim.
Kur sipërmarrësit gjermanë thanë se Shqipëria është e parafundit në listën e vendeve te të cilët do të riktheheshin për investime, qeveria tha se “ky perceptim i gjermanëve nuk përkon me realitetin”. Përveçse do kurajë, ky konstatim kërkon dhe shumë prova nga qeveria që, së paku të tregojë se perceptimeve të kujt duhet t’u referohemi për të mësuar simptomat e ekonomisë shqiptare. Vetëm perceptimeve të saj, se analiza e shifrave thotë të kundërtën? Ndaj besojmë se kërkohet të na imponohet një Shqipëri tjetër e atyre që e “fantazojnë”, ndërkohë që Shqipëria e atyre që punojnë është tjetër(Monitor)