Nuk ka stabilitet kur gënjen, shqiptarët kërkojnë lëvizje
Nga Bujar Nishani
Protestat e nisura nga opozita pas largimit të saj përfundimtar nga Parlamenti aktual konfirmuan midis të tjerash se mazhoranca dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë kundër qeverisjes aktuale, kundër kësaj status quo-je politike e shoqërore që përjeton vendi.
Ato konfirmuan rënien e mazhorancës së rrejshme duke e treguar atë çka sot ajo është në të vërtetë.
Në një grupim pakice jo vetëm në mbështetjen politike por dhe me impakt gjithnjë e në rritje të destabilizimit të shtetit, politikës, ekonomisë, shoqërisë në tërësi.
Akti i dorëzimit të mandateve parlamentare nga opozita ishte një nga aktet politike më të forta të 30 viteve të pluralizmit politik shqiptar.
E kam konsideruar si një akt historik!
Nuk ka qenë aspak një ekspresion emocional dhe as një rreshtim partizan.
Akti politik i opozitës ishte një goditje reale dhe efektive mbi një Status Quo të rrejshme.
Në gjuhën tonë shqipe, kuptimi i ‘të rrejshmes’ është përtej ‘gënjeshtrës’.
Ajo ka kuptimin e ‘gënjeshtrës me bisht’!
Pas protestave masive të shqiptarëve kundër kësaj qeverisjeje ajo pakicë që ende mbështetet tek e rrejshmja, mbetur pa argumente politik e logjik, nxitoi ta etiketojë aktin e opozitës si një ‘akt i paprecedent’, që nuk mund të lejohet të kthehet në një model politik sepse shkatërron kodin e demokracisë.
E vërteta është se PO, ai ishte një akt i paprecedent politik në Shqipëri.
Por e vërteta më e parë ishte degradimi hap pas hapi, vit pas viti e fazë pas faze i atyre rrethanave të paprecedenta në çdo shoqëri demokratike, që sollën këtë lëvizje pa alternativë për opozitën.
Betejat politike, mosmarrëveshjet politike e deri tek përplasjet politike nuk janë të rralla apo të panjohura në vendet demokratike.
Por gjithmonë në çdo rast ka një arbitër në mes që përcakton vijimin e së drejtës.
Në rastin fatkeq kur edhe arbitri dështon, kaosi është ai që e zë vakumin e mbetur.
Akti i dorëzimit të mandateve parlamentare nga opozita si një akt i paprecedent dhe i imponuar lidhej më së shumti me asgjësimin e procesit elektoral të zgjedhjeve të lira dhe të drejta në vend.
Padyshim që rënia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbën për fatin tonë të keq një dështim të demokracisë në Shqipëri.
Por njëkohësisht, ky dështim i demokracisë elektorale në Shqipëri është po ashtu një dështim i arbitrit elektoral.
Me gjithçka ka ndodhur në Shqipëri që nga zgjedhjet e vitit 2015 e në vijim konstatohet për fat të keq se Misioni i OSBE në Tiranë ka dështuar !
Mund të rendisësh pa problem, arsye të shumta në degradimin e proceseve elektorale ; që nga keqpërdorimi i pushtetit, tek korruptimi i mekanizmit e deri tek shantazhi e blerja e votuesit.
Por fanatikët e të rrejshmes do kërkonin prova ligjore për këto !!!!
Ndaj po nënvizoj vetëm disa prova, sa publike aq dhe uluritëse për veshët e të rrejshmes.
Kushdo e mban mend mirë se si në vitin 2015 mazhoranca qeverisëse e përcaktoi e vetme, njëanshmërisht hartën elektorale, zonat zgjedhore.
Në asnjë vend normal demokratik nuk ndodh kjo.
Kush di një rast të vetëm kur zonat zgjedhore janë përcaktuar njëanshmërisht nga mazhoranca le ta thotë.
Sot pas katër vitesh u provua se as numri i administratës lokale nuk u ul, as shpenzimet e buxhetit të shtetit nuk u pakësuan.
Përkundrazi, shërbimet u larguan nga qytetari, cilësia e tyre ra në fund, demokracia zgjedhore u zëvendësua me emërimet partizane, pushteti lokal degradoi.
Misioni i OSBE në Tiranë heshti !
Asnjë shqetësim e preokupim për këtë degradim.
Kushdo e mban mend mirë se si në fushatën elektorale të vitit 2015, kryeministri i vendit deklaronte qytet më qytet (ngrehur mbi tallavanë e pushtetit) se : ‘nëse votoni për kandidatët e opozitës, nuk do të mund të merrni fonde e projekte zhvilluese nga qeveria’ !!!!
Skandal më të madh elektoral se ky nuk mund të kishte.
Misioni i OSBE në Tiranë, heshti.
Asnjë dënim ndaj këtij manipulimi zgjedhor publik.
Kushdo sot i sheh të jetësuara në fakt këto manipulime elektorale në realitete të dhunës qeveritare atje ku mundën të fitonin përfaqësuesit e opozitës.
Kushdo e mban mend mirë se si në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2017, kryeministri i vendit, qytet më qytet (zhytur në llumin e kazanit të pushtetit) tek i kërkonte publikisht policisë së shtetit të mblidhte vota për partinë e tij.
Çdokush e dinte se policia nuk do të dilte të mblidhte vota derë më derë.
Por kushdo e kuptonte fare mirë se urdhri ishte për kapot lokalë të policisë që të lëshonin bandat e vrasësve dhe xhahilëve qytet më qytet, e fshat më fshat mbi qytetarët për të votuar partinë e qeverisë.
Skandal më të madh elektoral nuk kishte.
Misioni i OSBE në Shqipëri heshti.
Asnjë dënim apo denoncim të këtij skandali.
Këto dy prova publike dhe flagrante tregojnë më mirë se kushdo se sa e rrejshme është tentativa për të zhbërë apo relativizuar vjedhjen e votave, shantazhin nga krimi organizuar mbi qytetarët, blerjet masive nga trafiku i drogës së pushtetit për qeverinë. Praktikisht tjetërsimin e vullnetit të lirë dhe të drejtë të qytetarëve në procesin zgjedhor.
Akti i fortë dhe i imponuar i opozitës veçse sa jetësoi vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për të demaskuar një stabilitet të rrejshëm të kësaj shoqërie.
Nuk është stabilitet kur anëtarët e grupeve kriminale depërtojnë në piramidën e institucioneve të shtetit dhe marrin rolin vendimmarrës në ato.
Nuk është stabilitet kur grupet e trafikut ndërkombëtar të drogës kthehen në përfitues të buxhetit të shtetit dhe përmes tij pastrojnë edhe paratë e trafikut.
Nuk është stabilitet kur ekonomia kombëtare zhytet në borxhin e jashtëm 80% dhe biznesi i vogël e i mesëm mbyten në taksa.
Nuk është stabilitet kur trafikantët e kanabisit shndërrohen në kontraktorë të heroinës e kokainës e më pas këta në transportues të kontrabandës së armëve.
Nuk është stabilitet kur e mesmja e artë e demokracisë ‘checks and balances’ u gropos ‘7-të pash nën dhe.
Nuk është stabiletet kur premton dhe gënjen, kur angazhohesh dhe tradhton.
Ky është veç stabilitet i rrejshëm, të cilin shumica dërrmuese e shqiptarëve vendosi ta denoncojë dhe ndryshojë.
Shqiptarët kërkojnë një lëvizje.
Akti i paprecedent dhe i imponuar i opozitës ishte përgjigja ndaj kësaj kërkese të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.