Nuk ka vetëm prostituta në këtë vend

Shoqëria amerikiane doli me hundë në baltë nga Lufta e Vientamit, pasi ikën të mundur, dhe pasi kishin djegur me napalm edhe fëmijët. Por kinemaja, nën këshillat e Reganit të madh iu kthye filmave “heroikë” të tipit “Rambo”, duke i rikthyer Amerikës krenarinë….

Nga Mentor Kikia

Pashë një film shqiptar, një nga ato punimet e studentëve, me metrazh të shkurtër.

Katër personazhe.

Prostituta, sekseri, tutori dhe klienti.

As i pari, e as i fundit.

Edhe me metrazh të gjatë, edhe nga producentë e regjisorë të njohur, edhe me më shumë para, kuptohet, e njëjta gjë.

Në mani për të bërë filma vetëm me pristuta, kriminelë, trafikantë droge, emigratë që shesin vajzët e shokëve dhe kushërirat, emigrantë që vjedhin shtëpitë e vendasve…

Eshtë e vërtetë? Patjetër që po! Por a duhet që ta hedhim doemos në ‘art’ këtë gjë? Pse jo, është realiteti ynë.

Por jo gjithmonë. Madje mendoj se tani jo. Tani kemi nevojë për tjetër gjë.

Jemi një shoqëri në llum, në fund të pusit, në pesimizëm total, në depresion, pa shpresë, pa dritë, pa busull se nga duhet të ecim e ku do të arrijmë.

Me një klasë politike këmbë e kokë e korruptuar. Arti e ka për detyre t’i vijë në ndihmë shoqërisë. T’ia kurojë plagët dhe jo qelbit t’i hedhë më shumë baktere, kënetës më shumë llucë dhe zjarrit më shumë benzinë.

Shoqëria ka nevojë për optimizëm, ka nevojë për pak më shumë jetë, shpresë, ka nevojë t’i promovohen vlerat, tradita…

Shteti paguan para për t’i bërë këta filma, para që vidhen, ca nga ata që i japin, ca nga ata që i marrin dhe pak shkon për të prodhuar këto pocaqi që quhen filma.

Shteti e ka për detyrë që të financojë prodhime që i shërbejnë shoqërisë dhe sot shoqëria nuk ka nevojë për këto gjëra.

Do të thoni që arti është i lirë dhe ç’punë ka qeveria?

Patjetër. Por po ju them se jo vetëm kinemaja që bëhet me paratë e qeverisë, por edhe Hollyëood-i që i bën filmat me paratë e veta, i “nënshtrohet” nevojave dhe interesit të shoqërisë.

Shoqëria amerikiane doli me hundë në baltë nga Lufta e Vientamit, pasi ikën të mundur, dhe pasi kishin djegur me napalm edhe fëmijët. Por kinemaja, nën këshillat e Reganit të madh iu kthye filmave “heroikë” të tipit “Rambo”, duke i rikthyer Amerikës krenarinë.

Ne nuk kemi çfarë heroizmi të rikthejmë. Por të paktën disa vlera të kësaj shoqërie mund t’i promovojmë.

Ndaj ju që shpërndani paratë për projektet e filmave, mos mendoni vetëm të zgjidhni producentët që ju lënë 30% të parave në dorë.

SHKARKO APP