“Nuk kishte përleshje ndëretnike”, Maqedonia-Europës: Operacion kundër terrorizmit!
Fqinjët tanë, me pretendimet e tyre, kërkojnë t’i mbushin mendjen Europës se shqiptarët janë “terroristë” dhe ata për këtë aryse kanë të drejtë t’i vrasin, t’i shtypin e të bëjnë ç’të duan me ta. Pra, Maqedonia gjen rastin të justifikohet dhe jo të mbajë përgjegjësi me bombardimet në Lagjen e Trimave, në Kumanovë.
Në letrën informuese që ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë.
Shteti maqedonas thotë se operacioni nuk ishte përleshje ndëretnike, por ishte i drejtuar kundër një grupi terrorist me ambicie politike, që synim përfundimtar kishte të rrezikonte rendin dhe sigurinë në Republikën e Maqedonisë.
Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Nrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.
Por një shprehje e famshme e Viktor Hygo, se “luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat,” i shkon më për shtat situatës së fundit në Kumanovë.