“O çtë gënjeva, unë sjam Pali por jam Gjini” në kohë koronavirusi!
Nga Alfred Peza –
Ka qarkulluar shumë vite më parë një barsaletë, e cila tregon një situatë hipotetike që po përsëritet praktikisht në realitetin e sotëm të pandemisë globale të koronavirusit, me përpikmëri të frikshme në Shqipëri. Duke dëshmuar në këtë mënyrë, se në kulturën tonë ballkanike tragjikja e folklorit dhe e jetës së përditshme vazhdojnë të bashkëjetojnë në harmoni të plotë, me lehtësinë e papërballueshme të komikes.
Barsaleta është pak a shumë kjo:
Në kohën e logut të burrave diku në Bjeshkët e Namuna, një malësor doli nga kulla ku qëndronte i ngujuar për shkak të gjakmarrjes dhe shkoi atje ku ishte mbledhur paria e fshatit. Dikush i kishte treguar se hasmi i tij ndodhej mes tyre dhe sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, ai do të merte hak.
Sapo u afrua në distancën e duhur, iu drejtua burrave:
“Kush është Pali prej jush?
Unë jam, besa,- ia ktheu njëri prej tyre.
Në moment malësori nxorri pushkën nga krahu, e ia drejtoi: Ke të fala prej…
Dhe: Bam, bam bam…
Ndërsa trupi me plagë po rrëzohej i pajetë në tokë, viktima mundi që të shqiptjë. O çtë gënjeva. Unë sjam Pali, por jam Gjini!”
Mu kujtua kjo barsaletë, ndërsa po ndiqja besoj si shumëkush me ankth, të rejat rreth situatës së koronavirusit në 24 orët e fundit në Shqipëri. Mes të tjerash tërheq vëmendjen lajmi rreth daljes pozitiv ndaj testit për Covid-19, të një 51 vjeçari nga Durrësi. Ai kishte gënjyer për datën reale të hyrjes në Shqipëri, pas rikthimit nga udhëtimi në Gjermani. Të dhënat e sistemit TIMS zbuluan se kishte deklaruar, një datë më të hershme se ajo kur kishte mbërritur realisht në Shqipëri.
Koha e udhëtimit në vendet e prekura nga pandemia, përbëjnë një fakt thelbësor për mjekët duke i ndihmuar ata, të përcaktojnë origjinën e virusit në trupin e pacientit. Kjo i shtyn që të bëjnë më shpejt testin e tamponit, pas të cilit përcaktojnë nëse dikush është pozitiv apo negativ duke shtuar shanset për të shpëtuar jetë. Veç pacientit, mjekët ndjekin në kohë zinxhirin e njerëzve të tjerë me të cilët ai ka patur kontakt, për ta këptur atë.
Rasti i 51 vjeçarit fatkeqësisht, nuk është i vetëm as në Durrës dhe as në Shqipëri. Pak ditë më parë, një 75 vjeçare kishte gënjyer kur u rikthye nga Milano në Shqipëri. Ndërkohë një 61 vjeçare në Fier gjithashtu gënjeu për kohën e rikthimit nga Italia, duke detyruar autoritetet të futeshin në sistemin TIMS dhe ta verifikonin. Ndërsa në Berat, një 50 vjeçare mohoi fare që kishte qenë në Itali pasi kërkoi ndihmë mjekësore. Falë fiqnjëve tësaj mjekët mësuan të vëretën. Të gjitha gënjeshtrat e pacientëve, janë shoqëruar me vetkarantinimin e dhjetra mjekëve, infermierëve dhe personelit spitalor.
Të gënjyerit edhe në situata të tilla kur gjithkush i bën varrin vetes, është ndoshta një rast për studime më të thelluara shkencore nga ana e psikologëve dhe sociologëve në Shqipëri. Ajo që të habit më tepër, është se si ka mundësi që të arrihet deri këtu, ndërkohë që 24 orë për 24 orë e gjithë bota flet e flet për pandeminë, e cila po i mer jetën dhjetra mijëra njerëzve. Ndaj mungesa e informacionit nuk është justifikim. As turpi për të treguar të vërtetën.
Po si shpjegohet atëherë që ka kaq shumë raste gënjeshtrash, ndër pacientët potencialë me Covid-19 në Shqipëri, të cilët mirë jetët e të tjerët, por po rrezikojnë drejtpërsëdrejt edhe jetën e tyre?
Nuk di ende ta them. Ndaj për ti ndihmuar sadopak, tregojani ju lutem edhe atyre që nuk e dinë ende, barsaletën e Palit që gënjeu duke thënë se jam Gjini!
Facebook Twitter Google+ LinkedIn