Ofertë e pranueshme për Britaninë e Madhe

Pas një maratone të pashembullt bisedimesh në samitin e Brukselit kryeministri britanik, David Cameron kthehet në Londër me një ujdi në valixhe. Kompromisi ia vlejti për të gjitha palët, konkludon Christoph Hasselbach.

Cameron pas arritjes së ujdisë flet para mediave

Qeveritë e tjera të BE-së u desh të përtypnin shumë për të bërë lëshimet që kërkonte Londra. Por kompromisi ishte rruga e duhur. Ekonomia britanike ka nevojë për BE-në. BE ka nevojë për britanikët. Ata janë në Europë një fuqi ekonomike, politiko-financiare, diplomatike dhe ushtarake, që do t’i mungonte BE-së në rast të kundërt. Madje gjermanët pa britanikët do të ishin shumë të vetmuar mes vendeve jo me shumë vullnet reformimi që sytë i kanë sidomos tek fondet që rrjedhin nga BE.

Pika më e debatuar ishte kufizimi i shërbimeve sociale për emigrantë të brendshëm të BE-së, një problem ky për shtetet lindore të unionit, sepse nga këto vende kanë emigruar shumë vetë në Britaninë e Madhe për të punuar. Londra në fakt e ekzagjeron me keqshfrytëzimin e shërbimeve sociale nga emigrantët e BE-së, sepse në të vërtetë ata i sjellin më shumë shtetit britanik se sa marrin prej tij.

Hasselbach Christoph Kommentarbild AppChristoph Hasselbach

Megjithatë gjatë negociatave u bë e qartë se edhe shtete të tjera kanë interes për ndryshime në sistemin social. Kancelarja gjermane, Angela Merkel e mbështeti qartë kërkesën e britanikëve për të përshtatur pagesën për fëmijët e emigrantëve nga vendet e BE-së, të cilët jetojnë në vendlindje, me standartin social të vendeve të origjinës. Kryeministri danez, Rasmussen menjëherë shfaqi pretendimin se kjo ka qenë ideja e tij dhe e cilësoi atë “një lule në kopshtin tim”. Një indikator tipik për të treguar gjendjen brenda BE dhe ndoshta pak e padrejtë që kryeministri Cameron duhet të durojë kritikat, ndërkohë që të tjerët në heshtje forcojnë profilin e tyre.

Tani Cameron duhet të dijë të “shesë”

Por pengesa më e madhe për britanikët nuk janë problemet konkrete, por një lloj ndjenje e të qenit i komanduar nga të tjerët. Edhe po të sjellësh argumentin se asnjë vend sot në botë nuk është sovran, dhe se përkundrazi një Europë e bashkuar do të thotë më shumë prezencë në botë e jo izolim, Cameron-it nuk i mbetet tjetër veçse të ballafaqohet vetë me një perceptim të tillë. Ai duhet të përdorë të gjithë talentin për t’ua shitur mirë bashkëqytetarëve të tij ujdinë e arritur me BE. Kundërshtarët e BE-së në kabinetin e tij dhe shtypi skeptik britanik ndaj BE-së duhet të presin deri në ditën e referendumit.

Por çfarëdolloj ujdie, sado zemërgjerë qoftë ajo, nuk do të kishte vlerë pa marrë parasysh të zotin e kësaj pune, popullin britanik. Rasti më i keq do të ishte nëse BE do t’i bënte lëshime Britanisë së Madhe deri në shfytyrimin e vet – dhe në fund britanikët prapë do të votonin për daljen nga unioni. Sepse pas kësaj procesi nuk do të ndalej. Vende të tjera skeptike do të dilnin nga BE, por më së paku shtete të tjera anëtare do të kërcënonin me daljen nga unioni, nëse nuk do të plotësoheshin dëshirat e tyre. Në fund nga togfjalëshi “Bashkim Europian” nuk do të mbetej shumë për t’u shqiptuar.

Faktori i krizës së refugjatëve

Tragjike tani është që përballja me Britaninë e Madhe bëhet pikërisht në kohën kur godet kriza e refugjatëve. Britanikët – por edhe europianët e tjerë – shikojnë se sa e dëshpëruar reagon BE në këtë kohë krize. Shumë vetë kanë përshtypjen se vetëm veprimi i vendosur si shtet më vete mund të sjellë përmirësime. Pikërisht britanikët nuk e pranojnë politikën e hapur të kancelares, Angela Merkel. Nëse Gjermania brenda disa vitesh i bën miliona refugjatë shtetas të BE-së, atëherë ata do të kishin të drejtë që të strehoheshin edhe në Britaninë e Madhe. Nga këndvështrimi britanik ky do të ishte një imigrim i padëshiruar nga dera e pasme. Politikanët britanikë kanë përsëritur shpesh së fundmi se ngjitja e papritur në sondazhe e kundërshtarëve të BE-së lidhet pikërisht me këtë fenomen.

Kështu një referendum në këtë verë mund të rezultonte negativ thjesht nga fakti që ai do të kryhej në një kohë kur njerëzit ndeshen me pamjet e mijëra emigrantëve në ditë. Prandaj shtyrja e referendumit në një kohë tjetër – kur Europa të shpresojmë se e ka gjendjen më nën kontroll – do të ishte zgjidhja më e mirë.

SHKARKO APP