“Opozita e vulës” dhe fryma opozitare
Nga Mero Baze
Nëse i hedh një sy spotit të fundit elektoral të Lulzim Bashës, lexohet një qasje e re e tij ndaj kundërshtarit politik, Edi Ramës. I gjithë spoti, i ngjan një ankese publike, ku lideri i opozitës ndihet keq që PD-ja është vetëm dhe i ka të gjithë kundër. Në thelb ai duket sikur i thotë Edi Ramës “nuk kam gjë me ty, por me LSI-në, me Shpëtim Idrizin, me Bamir Topin, me demokristianët” etj. PD-ja e tij e re, e cila nuk po ia del dot të formojë identitet, po e bazon të ardhmen e saj, mbi ankesat ndaj partive të tjera që i bëhen aleate herë asaj, e herë Partisë Socialiste.
Edhe përtej këtij spoti, Partia Demokratike është e fokusuar tek beteja me LSI-së, më shumë sesa tek beteja me Partinë Socialiste. Në qytetet të veçanta si Shkodra, Lezha apo Gjirokastra kjo është kthyer në motiv kryesor.
Ky në të vërtetë është një dorëzim pa kushte i liderit të ri të Partisë Demokratike, i cili i gjendur në opozitë dhe i braktisur dhe nga aleatët politik të tij, shikon si rrugëzgjidhje vetëm ankesën tek kundërshtari i vet, që ata të cilët i kanë ikur atij, të mos i pranoj ai. Pra kërkon në distancë një pakt për të shmangur aleatët e vegjël.
Kjo qasje e re e Lulzim Bashës krijon probleme serioze për profilin e tij si lider.
E para, krijon problem me platformën e tij formale për tu bërë kryetar i Partisë Demokratike. Në garën me Sokol Olldashin ai kishte parimin që PD-ja do të rikthehej në pushtet duke punuar me urtësi për të zgjeruar koalicionin, duke pasur parasysh së pari LSI-në. Madje kjo ishte dhe pika më e spikatur e platformës së tij politike. I sapodalë nga një betejë e humbur politike për shkak të LSI-së, ai e kishte thjeshtëzuar shumë idenë e rikthimit, duke e ilustruar sërish me llogari matematikore, pra duke rimarrë LSI-në.
Olldashi përballë tij ishte shumë më i qartë dhe radikal. Ai formuloi tezën se opozitën nuk e bëjnë numrat, por shpirti opozitar dhe kërkoi që PD-ja të kishte distancim të qartë nga LSI-ja dhe premtim që nuk do të rikthehej në pushtet përmes aleancës me të.
Për hir të së vërtetës, Basha u shpall kryetar jo prej kësaj platforme, po prej Berishës, por formalisht kjo i mbetet si tezë kryesore.
Tani dy vjet më pas ai shikon si burim të fatkeqësisë së PD-së, pikërisht tezën e tij për aleatët dhe i kërkon Edi Ramës të tregohet i arsyeshëm dhe t’i zbojë ata se po izolojnë PD-në.
Ky është një dështim personal si në aspektin politik ashtu dhe në aftësinë e tij menaxhuese të opozitës, e cila është sot më e izoluar se kurrë.
Së dyti, Basha po dëshmon një përpjekje për të prodhuar alibi para humbjes, duke e justifikuar këtë me PD-në e re të tij, e cila është e rrethuar me ujqër të vjetër. Dhe këtu ai nuk fut vetëm kundërshtarët politik, por edhe kundërshtarët brenda në PD, të cilët i paralajmëron se do tu lërë faturën e humbjes pas zgjedhjeve.
Së treti, ç’ka është dhe më e rëndë për të, është se ai ka nisur të mos e shikoj Edi Ramën si kundërshtarin e tij, por si hallexhi që duhet të qajnë hallet bashkë sesi t’ua bëjnë këtyre të vegjëlve. Kjo tregon se në mendjen e tij, Basha çështjen e ndryshimit të pushtetit, e shikon më shumë si një pazar sesa si një betejë tek e cila ka besim se mund ta fitojë.
Ai nuk po përpiqet të prodhojë një profil politik të fortë kundër Ramës, por profilin e një qaramani, që kërkon të kihet mëshirë për të pasi e kanë lënë vetëm. Është i ri dhe i rrethuar nga njerëz që nuk e duan.
Partia Demokratike ëahtë realisht keq para zgjedhjeve, por fryma opozitare nuk është aq keq. Shqipëria ka një frymë opozitare dhe kritike ndaj pushtetit, që tejkalon Partinë Demokratike. Në shumë rrethe ka dëshirë të votohet kundër kandidatëve të pushtetit, por nuk ka burrë nëne të gjejë ku është PD-ja që ta udhëheqë këtë frymë.
Me këtë qasje të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës dhe nga mënyra sesi ai pret të vijë në pushtet, ai dëshmon se nuk ka lidhje me frymën opozitare në vend, por vetëm me vulën opozitare. Ndaj nuk është për tu shqetësuar nëse i ngel vula në xhep më 21 Qershor. Opozita do të jetë në rrugë, por nuk do të jetë e tij. Dhe s’ka pse të jetë, kaq idiot sa është!
Tema