Opozita nuk po qeveris mirë!
Nga Lutfi Dervishi
Është bërë një traditë që muajt e parë të rotacionit politik, opozita sillet si qeveria dhe anasjelltas. Pjesa më e dukshme është Kuvendi dhe daljet publike, sidomos daljet në konferenca shtypi. Është forca e inercisë që sefte, nuk dallon dot se kush po qeveris e kush po bën opozitë.
Kjo periudhë është e kuptueshme javët ose muajt e parë, por nuk mund të zgjasë me vite!
Duhet dikush të kujtojë qeverinë e sotme se ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes dhe nuk mund të sillet më si opozitë dhe as mund të fajësojë opozitën për gjërat që nuk shkojnë mirë në vend.
Ka një konsensus të përgjithshëm që qeverisë së re i lihet kohë, gëzon të drejtën e 100 ditëshit të parë pa u shqetësuar nga media dhe publiku është mirëkuptues për kohën që I duhet ekipit të ri të vërë në zbatimin programin. Synimi final mbajtja e zotimeve të bëra në fushatë.
Viti I parë dhe I dytë I qeverisjes janë vite të arta dhe momenti më I mirë për të bërë reforma të thella, që të nisësh të ndjesh frutat në vitin e tretë dhe vitin e fundit elektoral. Është momenti që kur të dalësh për vota: të thuash se ccfarë ke bërë dhe sa e ke mbajtur fjalën.
Fitorja e thellë e mazhorancës aktuale në qershor të 2013, – shpalosja e një programi ambicioz, nisja e disa fushatave ligjëzbatuese në një anë dhe një opozitë pothuajse e shpartalluar, në anën tjetër, të krijonin idenë se mazhoranca e stërmadhe nuk do të kishte vështirësi për mandatin e dytë qeverisës.
Pas dy vjetësh, për shkak të marrëdhënieve mes partnerëve në koalicion, për shkak të skandaleve të shumta dhe gjendjes së mjeruar ekonomike, pyetja është: si do e mbyllin mandatin e parë?
Megjithëse është konsumuar gjysma e mandatit qeverisës, ende sot e kësaj dite sheh deputetë të mazhorancës që dalin në konferenca shtypi dhe i kërkojnë llogari dhe I kujtojnë kryetarit të partisë më të madhe të opozitës, Lulzim Basha, marrëveshjen me detin, rrugën Durrës – Kukës, koncesitionet etj, etj.
Basha del dhe flet konkretisht për abuzime me tendera, kundërpërgjigja nuk është rreth tenderave që po konsumohen, por për historinë qeverisës të kohës kur Basha ishte ministër. Për atë kohë…shqiptarët e kanë thënë fjalën e tyre me votë. Dhe duhet kujtuar qeveria që ka marrë një mandat të konsiderueshëm për reformat të thella ekonomike, për reformë në drejtësi, madje me shumicën e madhe nisi edhe reforma që nuk ishin premtime elektorale (reforma territoriale)!
Prej 26 muajsh qeverisë boshti PS-LSI. PD është në opozitë. Madje në terma aritmetikë, një opozitë që nuk imponohet dot me numra në Kuvend.
Në mungesë të rezultateve konkrete, dhe rritjes të paimagjinueshme të numrit të shqiptarëve që nuk kanë më shpresë se kanë të ardhme në Shqipëri, prej muajsh ka ndryshuar dhe strategjia e komunikimit publik… tashmë shumëkush është familjar me fjalinë: “për herë të parë në 20 vjet…”. Në seancat e stërzgjatura parlamentare e dëgjon edhe nga 10 deputetë rresht dhe në një përsëritje e tillë konkurron denjësisht parullën: “katërkëmbëshi është I mirë, dy këmbëshi është i keq” te “Ferma e Kafshëve” e George Orwell-it!
Gjatë këtyre 20 viteve vendi ka ndryshuar aq shumë sa një huaj që ka parë vendin në vitet 90, ne vitet 2000 dhe sheh Shqipërinë edhe sot- I duket se ka parë 3 vende të ndryshme. Dhe ndryshimi diku ka qenë gradual, diku më i shpejtë. Rotacionet përgjithësisht kanë sjellë ndryshime dhe ekonomia ka qenë rritje.
Shakaja më e fundit është se dhjetëra mijëra shqiptarë po ikin nga vendi për shkak të reformave të thella! Shqiptarët po ikin nga mungesa e shpresës, nga vrasja e perspektivës…!
Votuesit shqiptarë patën pritshmëri të mëdha te mazhoranca e sotme ndaj edhe e votuan masivisht. Ikja masive e njerëzve dëshmon zhgënjimin e madh të krijuar edhe nga pritshmëritë e mëdha. Të përmendësh premtimet elektorale të duket sikur tallesh.
Zgjedhjet lokale të qershorit të këtij viti, pavarësisht gjithë problemeve, dëshmuan edhe pafuqinë e opozitës për të ngjallur shpresën si një alternativë kredibël. Këtu mund të mbyllet debate për opozitën. Opozita nuk ka dalë në sheshe, nuk ka bllokuar rrugë dhe as mund t’i thuash opozitë destruktive! Në anën tjetër nuk mund të fajësosh njerëzit që janë apatikë dhe nuk po ngrihen. Njerëzit janë ngritur dhe më mijëra çdo muaj kërkojnë azil në Gjermani!
Opozita ka kusuret e veta, por i ka kusuret si alternativë qeverisëse dhe nuk mund ta fajësojmë se nuk po qeveris mirë!
Syri.net