Orban: Refugjatët s’po vijnë nga lufta. Ne, evropianët, duhet të lutemi për Erdoganin

"Refugjatët që vijnë në Evropë nuk vijnë nga zonat e shkatërruara nga lufta, por nga kampet e refugjatëve nga vendet përreth. Jam admirues i madh i Islamit, po të mos ishte ishte filozofia islame, një pjesë e botës do të kishte rënë nën barbarizëm, tha kryeministri kotradiktor hungarez, Viktor Orban.

Orban në një intervistë për gjermanen "Bild", ka thënë se refugjatët që vijnë në Evropë nuk vijnë nga zonat e shkatërruara nga lufta, por nga kampet e refugjatëve nga vendet përreth Sirisë.

Ai tha se të gjithë këta refugjatë janë në vende të sigurta dhe nuk largohen për shkak të asnjë rreziku, ndërsa shtoi se duhet të kthehen prapa.
"Këta njerëz nuk vijnë në Evropë për shkak të sigurisë, por në kërkim të një jete më të mirë. Ata duan një mënyrë të jetës si në Gjermani dhe Suedi.

Ata nuk janë të kënaqur me mënyrën e jetës si ajo në Greqi, Maqedoni, Serbi, Hungari dhe Austri", tha Orban. Ai shtoi se të drejtat themelore janë të bazuara në sigurinë dhe nderin njerëzor, dhe jo në cilësinë e jetës. Orban komentoi gjithashtu mbi numrin e madh të refugjatëve që jetojnë në kampet e refugjatëve në Turqi.

"Turqia është një vend që për një kohë të gjatë është duke bërë gjëra të mëdha kur është fjala për tragjedinë e refugjatëve. Ne, evropianët, pavarësisht nga bindjet politike, duhet që çdo javë të lutemi për Erdoganin. Nuk duhet të jemi dorështrënguar dhe t'i lëmë të vetmuar vendet si Turqia", tha Orban.

I pyetur nga gazetari si është ndier kur pa foton e Aylanit, trupi i të cilit u gjet në bregdetin turk, Orban tha se ishte shumë i tronditur, dhe se çdo vdekje paraqet tragjedi.

Megjithatë, Orban vazhdimisht thekson se zyrtarët e lartë të BE-së nuk janë aq të vetëdijshëm se sa shumë rrezik paraqesin refugjatët, sepse, siç tha ai, "politikanët jetojnë në botën e ëndrrave". Ai shtoi se në Evropë do të arrin një numër i madh i refugjatëve nga vendet tjera, si Pakistani, Bagladeshi, Mali, Etiopia dhe Nigeria, dhe nëse pranohen të gjithë, Evropa do të zhduket.

Orban gjatë intervistës është pyetur nëse Evropa po ballafaqohet me rrezikun e islamizimit, për të cilën u përgjigj: "Sinqerisht, unë personalisht jam admirues i madh i Islamit. Po të mos ishte filozofia islame, një pjesë e botës do të kishte rënë nën barbarizëm. Por ne këtu nuk duhet të mashtrojmë veten. Për shkak të migrimit, myslimanët shumë shpejt do të bëhen shumicë në Evropë. Nëse duam që Evropa të mbetet në kulturën krishtere, mënyra e vetme është të mos pranojmë myslimanët. Sidoqoftë, zyrtarët e lartë evropianë në lidhje me këtë nuk kanë dëshirë të flasin shumë"/TRT

SHKARKO APP