Organet e Vetingut në Shqipëri janë kapur nga Parlamenti dhe Qeveria e Rlindjes. BE tashmë është e bindur për dështimin e Reformës

Nga Avokat Ledio Braho

Avokat Ledio Braho, ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, në intervistën për gazetën “Telegraf”, analizon pse Gjykata e Drejtësisë të Bashkimit Europian pezulloi Dhomën e Disiplinës të Drejtësisë në Poloni dhe, duke bërë analogjinë e Vetingut në Shqipëri me Dhomën e Disiplinës të Polonisë, pohon se organet e Vetingut në Shqipëri janë emëruar drejtpërdrejt nga mazhoranca e Parlamentit shqiptar, kësisoj, KPK dhe KPA cenojnë standartin e një gjykate të pavarur, të paanshme, sipas legjislacionit të Bashkimit Europian. Zoti Braho pohon se BE-ja ka dijeni për mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe thotë se ky eksperiment dështoi në Shqipëri, sepse dështoi të krijonte një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshme, të pakorruptuar. Zoti Braho pohon se vetingu në Shqipëri përdoret edhe si shantazh nga mazhoranca ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zoti Braho, duke argumentuar se mazhoranca parlamentare ka kapur Drejtësinë shqiptare, thotë se treguesi i kapjes së Drejtësisë shqiptare nga mazhoranca e Rilindjes Socialiste është konflikti i saj me Presidentin e Republikës për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

– Zoti Braho, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian i ka kërkuar Polonisë që të ndërpresë veprimtarinë e saj Dhoma e Disiplinës, e cila u zgjodh nga Parlamenti polak që të hetojë gjyqtarët, (strukturë e ngjashme me Vetingun në Shqipëri) me arsyetimin se ky kontroll cënon pavarësinë e gjyqtarëve. Pyeta është: A nuk është ky rast analog edhe me veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri, ku ky komision është votuar nga Parlamenti, sikurse në Poloni?

– Në vitin 2017 Polonia adoptoi një regjim të ri disiplinor për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (Sąd Najwyższy) dhe gjykatave të zakonshme. Në këtë mënyrë, brenda Gjykatës së Lartë u krijua Dhoma Disiplinore (Izba Dyscyplinarna). Dhoma Disiplinore, nën juridiksionin e saj, gjykon si shkallë e parë inter alia çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në nivel apeli çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatave të zakonshme.

Në kushtet kur duke aplikuar regjimin e ri disiplinor për gjyqtarët, Polonia dështoi të përmbushte detyrimet e saj ndaj legjislacionit europian, Komisioni Europian inicioi një procedurë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian me pretendimin se regjimi i ri disiplinor nuk garanton pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomës Disiplinore që përbëhet vetëm nga gjyqtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar Gjyqësor (Krajowa Rada Sądoënictëa), organ ky që përbëhet nga 15 gjyqtarë të cilët të gjithë janë zgjedhur nga Dhoma e Ulët e Parlamentit (Sejm).

Në një vendim të vitit 2019, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, në bazë të një pyetjeje të referuar nga Gjykata e Lartë e Polonisë – Dhoma e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (Sąd Najwyższy – Izba Pracy i Ubezpieczeń Społecznych), konstatoi, inter alia, se legjislacioni i BE-së përjashtonte çështjet në lidhje me zbatimin e ligjit të BE-së nga juridiksioni ekskluziv i një gjykate e cila nuk është një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Kjo vendimmarrje është arsyetuar duke konsideruar rrethanat objektive në të cilat është formuar gjykata në fjalë, karakteristikat e saj dhe mekanizmin me të cilin janë emëruar anëtarët e saj, çka krijon dyshime legjitime te subjektet e së drejtës në lidhje me mosndikimin e gjykatës ndaj faktorëve të jashtëm, në veçanti, sa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv dhe neutralitetit të saj në lidhje me interesat para saj dhe, për rrjedhojë, mund të sjellë si rezultat që gjykata të mos konsiderohet e pavarur ose e paanshme duke sjellë si pasojë paragjykimin e besimit që drejtësia në një shoqëri demokratike duhet të frymëzojë te subjektet e së drejtës.

Më pas, vetë Gjykata e Lartë e Polonisë, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, si dhe duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ishte e formuar Dhoma Disiplinore, shtrirja e kompetencave të saj, përbërja e saj dhe përfshirja e Këshillit Gjyqësor Kombëtar në formimin e saj, arriti në përfundimin se Dhoma Disiplinore nuk mund të konsiderohet si gjykatë në kuptim legjislacionit të BE-së apo dhe atij polak.

Pavarësisht kësaj vendimmarrje, Dhoma Disiplinore vijoi të kryente funksionet e saj duke gjykuar çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të gjykatave të zakonshme. Në këto kushte, ishte Komisioni Europian ai që inicioi procedurën në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian e cila më datë 8 prill vendosi si masë sigurie pezullimin e funksionimit të Dhomës Disiplinore deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Megjithëse duhet pritur vendimi përfundimtar i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, mutatis mutandis, duke iu referuar jurisprudencës së saj në lidhje me këtë çështje, arrijmë në përfundimin se emërimi i anëtarëve të KPK dhe KPA (dy organet e vetingut në Shqipëri) është pikërisht në të njëjtat kusJUhte si emërimi i anëtarëve të Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë në Poloni. Madje, nëse në rastin e Polonisë, ndërhyrja e legjislativit është e tërthortë pasi ky i fundit zgjedh Këshillin Kombëtar Gjyqësor të Polonisë dhe ky organ zgjedh gjyqtarët e Dhomës Disiplinore, në rastin e Shqipërisë ndërhryja është direkte, pasi si anëtarët e KPK, ashtu dhe ata të KPA, janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Parlamenti dhe vetëm me vullnetin e maxhorancës qeverisëse pasi opozita e bojkotoi si proces. Ky është një tregues i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se KPK dhe KPA cënojnë standardin e një gjykate të pavarur dhe të paanshme sipas legjislacionit të BE dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.

– Cili është mendimi juaj për veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri?

– Si fillim duhet sqaruar fakti se sistemi i drejtësisë në Shqipëri kishte një nevojë imediate për reformim në mënyrë që të luftohej korrupsioni dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit. Por mënyra se si po kryhet ky proces që nga konceptimi i reformës në drejtësi e deri te zbatimi i saj, tregon se ka dështuar në rritjen e perceptimit të publikut në një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar dhe profesional edhe pse kanë kaluar 3 vite nga nisja e punës së organeve të vetingut. Përkundrazi, sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri pasqyron një vend anëtar të Këshillit të Europës dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Europian që nuk ka Gjykatë Kushtetuese prej 3 vjetësh, nuk ka Gjykatë të Lartë funksionale dhe është në ngërç edhe sa i përket gjykatave të zakonshme.

SHKARKO APP