OSBE apo OJQE?

Jorgji Kote

Jorgji Kote

Nga Dr. Jorgji KOTE –
Për këtë shkrim muarëm shkas nga reagimet anemike, madje dështimin e OSBE-së lidhur me ngjarjet tejet shqetësuese në Bjellorusi; jo se janë pa gjë të tjerët, por ndryshe nga BE, NATO, KiE, etj, OSBE-ja e ka antare të saj Bjellorusinë. Gjithsesi, përpara se të tregojmë me fakte dhe faktorë të ndryshëm se titulli i shkrimit dhe krahasimi nuk është tepërim, le të shpjegojmë shkurt se si lindi dhe çfarë përfaqëson OSBE-ja.
Në fakt, ajo u krijua më 1 Gusht 1975 si Konferenca për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian ( KSBE) me nënshkrimin e Aktit Final të Helsinkit nga liderët e 35 vendeve europiane, SHBA-ve dhe Kanadasë, falë rolit të tyre të pazëvendësueshëm për paqen dhe sigurinë në Europë. I vetmi që refuzoi ftesën për të qenë palë ishte Shqipëria, mbasi rregjimi i asaj kohe e cilësoi atë si “ konferenca e mos-sigurimit europian”. KSBE-në e diktoi nevoja e dialogut Lindje – Perëndim, në vijim të detantës së viteve 70; kur në Europë dhe më gjerë vërehej dhe kërkohej çtensionimi i marrëdhënieve ndërkombëtare mes dy superfuqive; kur me nismën e Kancelarit nobelist gjerman Villy Brandt po zbatohej « Ostpolitik « ose « ndryshimi i rregjimeve lindore nëpërmjet afrimit»; kur lufta në Vietnam po përfundonte, kur po binin diktaturat fashiste në Greqi, Spanjë dhe Portugali, kur më 1972 vizita e Niksonit në Pekin çeli një epokë të re, etj. Negociatat e filluara qysh më 1973 u zhvilluan në tre komitete që u pasqyruan dhe në « tre shportat « e saj – siguria ndërkombëtare, bashkëpunimi ekonomik, demokracia dhe të drejtat e njerriut.
Më 1 Janar 1995, KSBE-ja u mbiquajt « Organizata për Bashkëpunim dhe Sigurim Europian ( OSBE) me arritje të spikatura, me një katalog të gjerë dhe të larmishëm veprimesh kudo. Ajo është shquar në fushën e krijimit të masave të besimit, vëzhgimin dhe menazhimin e krizave dhe konflikteve të armatosura, respektimin e medias dhe pakicave të ndryshme, etj. Gjithsesi, pika e saj më e fortë mbeten vëzhgimi dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo ka Zyrën e Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut ( ODIHR) si pika më e besueshme e referimit dhe për BE-në, KiE-në, NATO-n, etj.
Shqipëria u pranua si vëzhgues në Maj 1990 dhe me te drejta të plota ne Samitin e Berlinit më 22 Qershor 1991. Kryesimi ynë i OSBE 2020 është hap pozitiv, por tejet i vonuar ; sidomos kur kemi parasysh se kërkesa fillestare ishte për vitin 2012, u shty deri sa e muarëm këtë vit, pa patur asnjë kanditaturë alternative. Vetëm se nisur nga emri dhe përvoja e OSBE-së, presidenca jonë ngjalli pritshmëri më të larta se sa « këllqet » tona dhe të vetë OSBE-së. Gjithsesi, do vlerësuar mobilizimi i Task Forcës në MPJ-në tonë dhe Përfaqësia diplomatike pranë OSBE-së në Vjenë, për përpjekjet e shumta dhe në kushte tejet të vështira për shkak të koronës.
Pa mohuar vlerat, rolin dhe arritjet e saj, le ta themi « troç » se nuk është më OSBE-ja e fund viteve 80 – 90. Kur bënte pothuajse « ligjin » kudo e sidomos në vendet ku komunizmi po lëngonte dhe jepte shpirt. Në vitin 1990 isha me punë në Ministrinë e Jashtme, në drejtorinë që mbulonte dhe OSBE-në ; ndaj jam dëshmimtar i demarsheve të ethshme të politikës dhe diplomacisë sonë për antarësim në OSBE, si pjesë e trysnisë së jashtëzakonshme nga poshtë bashkë me parrullën « Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa » Në ato vite, KSBE-ja ishte për ne ura dhe rruga e vetme për realizimin e këtij objektivi. Mirëpo ajo na kishte vendosur kushtet e njohura, lejimin e pluralizmit politik, ekonomisë së tregut, liritë fetare, të grumbullimit dhe gjithë « Dekalogun e Helsinkit ». Kësisoj, pranimi në KSBE u bë « kali i betejës » dhe i opozitës së asaj kohe dhe « kryefjala » politike e vendit. Mirëpo entusiazmi i filllimit ia la vendin çudive dhe zhgënjimeve tona jo të pakta me OSBE-në. Kulmi ishte kriza e paparë dhe shembja e shtetit më 1997, pas farsës zgjedhore të Majit 1996 kur ajo dërgoi të Emisarin e saj të lartë special, ish Kancelarin austriak Vranicki, i cili për muaj të tërë drejtoi demarshet ndërkombëtare për qetësimin e gjendjes dhe rikthimin e vendit në shinat e stabilitetit dhe demokracisë.
Mirëpo, pas viteve 2000 ka një zbehje dhe rënie të ndjeshme të rolit, rëndësisë dhe peshës së OSBE-së ; kjo për shkak të ndikimit të aktorëve dhe faktorëve madhorë gjeopolitikë të mëposhtëm që falë peshës dhe fuqisë tyre e kanë lënë në hije OSBE-në:
Së pari, rritja e rolit të KiE-së dhe e antarësimi në të i gjithë shteteve të Europës Qëndrore dhe Lindore dhe të ish-republikave sovjetike; KiE ka Konventën dhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionin e famshëm të Venecias. Së dyti, zgjerimi i BE-së me institucionet e saj ultra të fuqishme, nga 12 antarë në vitet 90 në 27 pas vitit 2004 kur u bë vala më e madhe e Zgjerimit me 11 vende ish -lindore dhe me 6 kandidatë nga Ballkani. Së treti, zgjerimi i ngjashëm i NATO-s me 30 antarë me të gjitha vendet ish-lindore dhe të Ballkanit Perendimor, me përjashtim të Serbisë dhe Bosnies, duke sfiduar OSBE-në në shportën e saj të dytë -krizat, konfliktet, siguria, etj ; Së katërti, antarësimi i vendeve lindore në Bankën Botërore, FMN, Bankën e Zhvillimit dhe Rindërtimit, Bankën Europiane të Investimeve, duke e nxjerrë « jashtë loje » dhe « shportën » e tretë të bashkëpunimit ekonomik të OSBE-së.
Së pesti, Për pasojë, ka një mbivendosje të shumë proceseve dhe funksioneve ndërmjet OSBE-së dhe organizatave të lartpërmendura, në favor të këtyre të fundit; më konkretisht, zgjedhjet e lira, të drejtat dhe liritë themelore, sigurimi dhe parandalimi i konflikteve, nxitja e investimeve dhe shmangie e krizave financiare, etj, ku OSBE-ja është « prapa liste » Kjo për shkak dhe të mundësive/kapaciteteve të saj tejet të kufizuara krahasuar me BE-në, NATO-n, KiE, Bankën Botërore FMN, etj. Kështu, OSBE ka apo s’ka 4.000 punonjës , ndërsa vetëm Komisioni Europian ka 30.000 të tillë ! Buxheti i OSBE-së është rreth 200 Milion Euro, kurse ai i organziatave të tjera me miliarda Euro ! Edhe përfaqësimi diplomatik i OSBE është tejet i kufizuar, krahasuar me të tjerat. Ajo ka zyra përfaqësuese vetëm në disa vende ndërsa Sekretariatin e Përgjithshëm, Këshillin e Ambasadorëve dhe Asamblenë Parlamentare i ka në Vjenë, ODIHR në Varshavë, etj.
Së gjashti, mosmarrëveshjet brenda OSBE-së midis vetë vendeve perendimore dhe me shtete ish-lindore, sidomos ato ish-sovjetike, të cilat as që ishin menduar në fillimin e viteve 90 e më tej. Së shtati, krizat dhe konfliktet e njohura me emra të frikshëm dalin jashtë juridiksionit, mundësive dhe kapaciteteve njerëzore të OSBE-së. Kjo është dhe më e theksuar në rastin e krizave ku përfshihen « pesha të rënda » – Rusia, Turqia, ndonëse antare të OSBE-së. Në fakt, Rusia që e ka mbështetur shumë fillimisht si i vetmi forum ndërkombëtar ku ajo ishte e pranishme me SHBA dhe vende të tjera perendimore ka kohë që është shprehur me nota kritike për rolin e OSBE-së. Sipas saj, kjo e fundit është fokusuar më shumë te shporta e demokracisë, të drejtave dhe zgjedhjeve të lira, duke lënë pas dore masat e krijimit të besimit, etj.
Po aq ndjeshëm ka rënë roli i OSBE-së dhe në vëzhgimin e zgjedhjeve në vendet antare ; kjo mbasi për misionet vëzhguese ao duhet të ketë pëlqimin e vendeve antare ashtu si dhe për ndërmjetësimin e krizave. Ja, psh dhe në Bjellorusi ajo nuk dërgoi asnjë vëzhgues, sepse nuk pati kërkesë zyrtare. Dhe misioni i propozuar nga Rama për ndërmjetësim nuk pati kurfarë përgjigje, qoftë dhe për mirësjellje ; madje zgjedhjet në Minsk u konsideruan « çështje e brendshme » a thua se OSBE është e jashtme. Kësisoj dhe aspekti i saj më i fortë dhe i besueshëm është bërë fakultativ, dmth varet nga dëshira dhe oreksi politik i vendeve antare. Le të përmendim me këtë rast se OSBE është organizatë « sui generis » pa status juridik, vendimet dhe veprimet e saj merren vetëm me pëlqimin e të gjitha palëve dhe kjo e shton mosefektivitetin e saj.
Ja pse, kur e sheh « hollë hollë », OSBE ka ndryshuar si nata me ditën në 20 vitet e fundit. Megjithatë, urojmë që ajo të mos kthehet në OJQE !

SHKARKO APP