OSBE, ky “bir kurve” që gjeti miliona euro në xhepat e Ramës
Nga Çim Peka
Po ndodh shumë më shpejt se ishte menduar. Besimi ndaj Edi Ramës si lider që ka për qëllim rivendosjen e shtetit në binaret e ligjit, tashmë nuk ekziston edhe tek ata lider europian që e priten me entuziazëm kryeministrin ish-sportist. Edi Rama e ka të pamundur të vazhdojë të gënjejë institucionet europiane se është lideri që do të luftojë korrupsionin në Shqipëri.
Raporti sekret i OSBE-së të cilin një ditë më parë e publikuan vetem dy-tre media online jashtë kontrollit te kësaj mazhorance, nuk u vodh nga zyrat e OSBE-së. Për këtë besoj nuk ka asnjë iluzion. Edhe deklarata e OSBE për publikimin e këtij “raporti sekret” pa autorizimin e saj, ishte një konfirmim i raportit nga ana e hartuesve, por që për shkak të asaj që ata përfaqësojnë janë të detyruar ta mohojnë shpërndarjen e saj.
Por çfarë është në të vertetë ky raport, a ka pasur të tillë më parë dhe cila është e reja e përmbajtjes së saj?
Së pari, një raport të tillë nga ana e OSBE-së ka pasur edhe në vitin 2005. Vit kur një shqetësim në rritje prej ndërkombëtarëve për kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni u konkretizua me një raport denoncues për ministrat e qeverisë Nano. Raport që iu dorëzua ministrit të Jashtëm të asaj kohe Kastriot Islami. Të njëjtën gjë kemi dhe sot. Por kësaj radhe prezenca e OSBE-së në Tiranë është e bindur se nuk ka zyrë të shtetit shqiptar ku mund të trokasë për të denoncuar kapjen e shtetit, prandaj raporti nuk dorëzohet me tek ministri i Jashtëm por “rrjedh rastësisht” tek mediat.
Së dyti, raporti flet për tre personazhe politikë duke harruar të katërtin. Në raport flitet për pasurinë 200 milionë euro të Edi Ramës, lidhjen me mafian dhe porositje vrasjesh nga Ilir Meta, dhe lehtësirat që Sali Berisha mund t’i ketë krijuar për të blerë një sipërfaqe toke një biznesmen boshnjak. Lihet jashtë këtij raporti Lulzim Basha, shefi i opozitës dhe kandidati për kryeministrin e ardhshëm. Dhe duke pasur parasysh se raporti sekret i OSBE-së pretendohet se ka për burim akuza të mediave lokale të Tiranës, lehtësisht kuptohet se mos përfshirja e Lulzim Bashës në këtë raport është e qëllimshme, pasi dhe Basha është akuzuar fort nga mediat e majta për korrupsion. Madje edhe është marrë si i pandehur nga organi i akuzës për Rrugën e Kombit.
Së treti, raporti përdor terma të ndryshëm për akuzat ndaj Ramës, Metës dhe Berishës. Në rast se për Edi Ramën raporti sekret i OSBE-së shprehet se ka zera që Edi Rama ka një pasuri prej 200 milionë eurosh në offshore, për Sali Berishën raporti thote se ka thashetheme se i janë krijuar lehtësira një qytetari boshnjak në blerjen e një siperfaqe toke tek një privat. Por në rast se për ish-kryeministrin raporti përdor fjalën “thashetheme”, për ish-zv kryeministrin thotë se ka “zëra” që thonë se ka porositur dy vrasje.
Së katërti, thashethemet për ish-kryeministrin Berisha janë hetuar nga armikja e tij e përbetuar, nga kryeprokurorja Ina Rama dhe kanë rezultuar vetëm thashetheme. Por zërat për 200 milionë eurot e Edi Ramës nuk janë hetuar asnjëherë.
Pra, vihet re se ka një përzgjedhje me kujdes të fjalëve që përdoren ndaj akuzave të Ramës, Metës e Berishës. Gjithashtu ka një kujdes nga prezenca në Tirane për t’u bërë publik ky raport, ashtu siç ka një ngutje nga zyra e OSBE-së në Tiranë për të transferuar burimet e raportit tek mediat lokale dhe që raporti është publikuar nga një “pakujdesi”.
Ky raport është kujdesur që të akuzojë dhe denoncojë rëndë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe të fusë ndonjë rrjesht duke e shoqëruar me fjalën thashethem për ish-kryeministrin. Por ka lënë jashtë kandidatin për kryeministër dhe shefin e opozitës Basha. Shpresa duhet të ekzistojë, prandaj ka një kujdes që kandidati për kryeministër të mos përmendet qoftë edhe si thashethem në raportin sekret të OSBE-së.
Raporti nuk bën gje tjeter veçse i jep fund përpjekjeve të Edi Ramës për ta shitur veten si të virgjër nga korrupsioni. Ky raport është hartuar dhe publikuar per t’i treguar kujdo se e dimë se çfarë po ndodh në këtë vend. Liderët europiane nuk gënjehen më as nga premtimet e kryeministrit Rama e as nga barcoletat e tij si ish sportist “disident”. Edhe alibia se në këtë vend vjedh LSI, e qeveris ndershëm PS ka rënë. Ministrat e LSI-së nuk kanë vjedhur për Edi Ramën. Për Ilir Metën ndoshta. Edi Rama një pasuri prej 200 milionë eurosh e ka bërë vetë dhe sigurisht që nuk e ka bërë duke shitur piktura poshtë urës në Paris.
I ka 200 milionë, i ka më pak, i ka më shumë, kjo nuk ka pikë rëndësie. E rëndësishme është se Edi Rama është zyrtari i parë i lartë shqiptar qe organizma të huaj në raportet e tyre i bëjnë një përllogaritje të përafërt, qoftë dhe mbi perceptim, të një pasurie përrallore. Dhe që për një dyshim të tillë nuk është hetuar kurrë. Pas këtij raporti të OSBE-së, kryeministri Rama do ta ketë të vështirë të shprehet sërish: “Nuk ka bir kurve që gjen një qindarkë në xhepat e mi”. OSBE është sot biri i kurvës që ka gjetur jo një qindarkë, por plot 200 milionë euro sipas raportit të saj.