Pa punë po, pa pushime kurrë!

Nëse energjitë dhe mendësia e shoqërisë shqiptare do të ishte më shumë e orientuar drejt punës dhe të mirave që vijnë prej saj, në kushtet kur është e ndershme dhe e lodhshme, me siguri shqiptarët do të dukeshin më shumë si gjermanë dhe pushimet do të shijonin më shumë.

Nga Ilva Tare

Gushti është muaji më i jetueshëm në Tiranë, edhe për shkak të braktisjes së kryeqytetit për destinacionet e pushimeve buzë detit apo malit. Megjithatë, nëse nuk ke ikur dhe shfaqesh nëpër qytet, nuk është e lehtë të përballosh shikimet apo pyetjet me portret të fortë habitor të atyre që ndesh nëpër rrugët pa trafik të Tiranës. Nuk je me pushime?! Nuk do bësh fare?! Uaaa…

Kur thua se je në punë duket sikur bën ndonjë mëkat nga ata që nuk ka det ta shpëlajë. Steriotipet e një shoqërie si kjo e jona, që investohet shumë për dukjen janë tregues i cektësisë në të cilën notojnë individë që jetojnë për të treguar foto në Facebook apo Instagram. Ah, dhe video në Snapchat. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë fenomeni i shpërfaqjes në mënyrë të kuruar, madje duke kontraktuar edhe fotografë profesionistë, njihet si “tirania e fotove gjatë pushimeve”.

Dëshira për të pushuar është e paqortueshme dhe aq shumë e mirëkuptuar nga bashkëvuajtës të lodhjes dhe ngarkesës së punës së përditshme. E diskutueshme është kjo dëshirë për shoqëritë e varfra me përqindje të lartë papunësie. Të krijohet përshtypja që edhe ajo kategori fatkeqe që nuk ka një punë, është më shumë e stresuar si do i’a bëjë për pushimet e verës, sesa për të siguruar të ardhurat mujore të familjes. Është i pakuptimtë edhe presioni në të cilin vendosen qytetarët e një vendi, që edhe kur janë në vendin e punës thuajse pushojnë pasi mungon disiplina dhe rregulli i një regjimi rigoroz, siç ndodh në vendet e tjera me kulturë të zhvilluar pune. Pushimet si efekt shplodhës, janë të merituara dhe duhet t’i mundësohen cilitdo që është lodhur gjatë vitit. Por, pushime për sy e faqe edhe kur nuk ua mban xhepi janë të pakuptimta dhe po aq false sa portretet me poza tek fotografitë e pushuesve “profesionistë”.

Pushimet nuk kanë stinë dhe shqiptarët sidomos ata që janë në kushtet e vështira të papunësisë apo të pamundësisë për t’i përballuar ato, nuk duhet të ndjehen keq dhe as të margjinalizuar. Edhe në shoqëritë perëndimore pushimet nuk janë detyruese dhe janë të shumtë ata që zgjedhin të punojnë kur të tjerët pushojnë. Siç thuhet rëndom në Perëndim, nuk është turp të mos pushosh, turp është të mos punosh.

Nëse energjitë dhe mendësia e shoqërisë shqiptare do të ishte më shumë e orientuar drejt punës dhe të mirave që vijnë prej saj, në kushtet kur është e ndershme dhe e lodhshme, me siguri shqiptarët do të dukeshin më shumë si gjermanë dhe pushimet do të shijonin më shumë.

Javanews.al

SHKARKO APP