Padobia e rikthimit të “shpifjes” si vepër penale

 

Nga Mero Baze.

Rikthimi i shpifjes si vepër penale, po mbledh një shtrëngatë të re kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, por në të vërtetë, shumë nga kritikët e saj, por mbi të gjitha ai që po e rikthen, duhet të kuptojnë padobinë e asaj që po ndodh.

Të shprehesh si gazetar kundër këtij projektligji, e di që i ke gati një sërë sulmesh për konflikt interesi, por pa dashur të çudis askënd, po përpiqem të shpjegoj se shtypi nuk dëmtohet nga ky kthim mbrapa i qeverisë Rama.

Ajo që dëmtohet, është qeveria dhe imazhi i saj, e cila duket se ndjehet e rrezikuar nga opinioni publik dhe është duke ndërmarrë një nisëm e cila është antikushtetuese, dhe mbi të gjitha, e panevojshme.

Po përpiqem ta shpjegoj.

Shqipëria e ka pasur shpifjen si vepër penale dhe shumë kolegë nga brezi im i gazetarëve, i kemi provuar dhe dënimet me këtë nen. Personalisht kam qenë gjithmonë i lehtësuar, kur dikush nga zyrtarët e lartë ngrinte padi penale ndaj meje përmes këtij neni, për dy arsye. E para, se shpëtoja gjithmonë nga gjoba financiare, se dënohesha me burg, dhe e dyta, se nuk shkoja asnjëherë në burg. Kështu siç është sot Kodi Civil, shpifja dënohet, bile dënimi është shumë i ashpër me shtypin, falë gjyqtarëve të korruptuar që duan t’i bëjnë qejfin politikës. Shpifja dënohet sot përmes Kodit Civil, ku çdokush mund të padisë çdokënd për shpifje, që i shkakton dëm, dhe të kërkojë dhe shpërblim financiar. Biles në këtë pikë jam i shqetësuar që gazetarët dënohen me gjoba marramendëse, që tejkalojnë jo vetëm dëmin që i ka bërë palës tjetër për shkak të detyrës së tij, por dhe fuqinë e tij për ta paguar atë.

Sot ne kemi një Kod Civil dhe gjoba të aplikuara, që shpeshherë kanë shkuar më keq se të marrësh dënim me burg të përjetshëm. Përshembull, ka raste kur një gazetar është dënuar 300 mijë euro për një shkrim, dhe rrroga e tij është vetëm 350 euro në muaj, çka nënkupton rreth 70 vjet punë për të larë gjobën.

Pra, për të gjithë ata që nxitojnë të na quajnë të frikësuar, duhet të mos nxitohen, pasi ekziston dënimi i shpifjes, biles dhe i rregulluar, që dënimi të jetë propocional dhe i llogjikshëm.

Ky lloj dënimi, pra dënimi penal, është hequr si vepër penale që cenon figurën e zyrtarëve të lartë, pasi është i padrejtë dhe antikushtetues për dy arsye. E para, diferencon zyrtarët e lartë nga zyrtarët e tjerë, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit, dhe të drejtës për t’u mbrojtur njësoj nga ligji.

Çdo të thotë përshembull, që po kritikove apo shpife ndaj Edi Ramës, dënohesh, por po the të njëjtën gjë për Briseilda Shehun nuk dënohesh?! Çdo të thotë që nëse shkruan diçka që konsiderohet fyese për Bujar Nishanin, dënohesh, dhe nëse thua të njëjtën gjë për një paraplegjik, nuk dënohesh?! Duke respektuar parimin kushtetues, që të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe të gëzojnë njësoj mbrojtje prej tij, kjo gjë është hequr nga Kodi Penal, dhe shpifja dënohet me Kodin Civil, jo në emër të funksionit politik apo shtetëror, por si individ. Pra, Edi Rama nuk gëzon privilegje si kryeministër, por e gëzon atë privilegj si qytetar dhe e ka përdorur të drejtën për t’u mbrojtur, duke i paditur ata që i ka quajtur shpifës. Edhe Bujar Nishani e ka hapur kohë më parë këtë debat duke kërkuar të dënohen ata që fyejnë figurën e presidentit, por kjo gjë ka marrë fund në çdo vend të Europës Lindore. Posti zyrtar nuk është më një monument, që ruhet me ligj.

Së dyti, në të njëjtën çështje, në demokracitë perëndimore ekziston dhe parimi, që sa më i lartë të jetë një post zyrtar, aq më pak imunitet duhet të kenë zyrtarët nga kritikat, pasi marrja e një përgjegjësie më të lartë, nënkupton që ata duhet të durojnë më shumë kritika dhe sulme. Kjo përpjekje synon të kundërtën, ruajten e qeverisë nga populli, çka është tipar i regjimeve totalitare.

Inciativa, siç po thuhet, është personalisht e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kohë që ka një lloj nervozizmi me shtypin dhe kritikët e tij, dhe ndoshta mendon se me këtë iniciativë, do fitojë një lloj epërise.

Asgjë nuk do fitojë. Ata që do fitojnë do jenë kritikët spekulativ ndaj tij, kurse ky do futet në rregjistrat e kryeministrave që kanë tentuar të kufizojnë me ligj lirinë e shprehjes kundër tij, edhe pse e ka nisur historinë e tij personale si një rrebel i familjes së tij politike dhe kritik i pafre, i çdo establishmenti që ka pasur në vend, para se të hynte në politikë.

E theksoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë rrezik që i shtohet shtypit, pasi shpifja gjykohet dhe dënohet në Shqipëri në Kodin Civil. Ky është një rrezik për imazhin e qeverisë dhe një mënyrë për të kuptuar se si përpiqet ajo të rregullojë pasqyrën, dhe jo të pastrojë flokët e palarë të saj. Biles për shumë gazetarë mund të jetë dhe shpëtim, pasi në këtë shoqëri, nëse të dënon dikush 300 mijë euro dhe ti si paguan dot, nuk të qan askush hallin, por po hyre dy muaj në burg, mund të kthesh përmbys dynjanë dhe mund të dalësh i pasur.

Kryeministri është në kohë ta tërheqë këtë iniciativë, si një akt vetëvrasës, pasi nuk dëmton dot askënd me të, përveç vetes. Kundërshtarët e tij politik do të vazhdojnë të akuzojnë dhe shtypi do të vazhdojë të botojë çfarë gjen mes të vërtetave e të pavërtetave. Nëse ka ndonjë gjë për të bërë Edi Rama, le të gjejë mënyrën të bëjë një reformë thelbësore në drejtësi dhe të vërë në punë prokurorinë, të hetojë çdo akuzë dhe ta spastrojë të vërtetat nga gënjeshtrat, duke i dhënë rëndësi dhe peshë fjalës së thënë e asaj të shkruar. Kjo që ka ndërmend të bëjë, thjesht e bën më të dobët, më të pambrojtshëm, dhe më të paragjykuar si fajtor.

/Marre nga Tema

SHKARKO APP