Pafajësia e Bashës për Dibrën dhe kurthi elektoral i legalizimit të të mbjellave

Placeholder Image

Askush nuk e tha se në Dibër, si gjithkund në Shqipëri mbillet kanabis, por edhe lulëkuqe, farë e zgjedhur, që shërben për Opium dhe bazën e parë të prodhimit të kokainës.  Dhe askush se tha, se mjaft prej dibranëve të varfër, kanë dhënë tokat e tyre me qira, për mbjelljen e këtyre bimëve, nga të tretët.

Nga Artur Zheji

 Sigurisht “Çështja Dibra”, dhe humbja e PD, nuk mbaron vetëm me një festë të socialistëve dhe as me shampanjë të shtrenjtë të kupolës fituese, që nuk ka fare lidhje me Peshkopinë.

Madje ngjarjet që përshkruhen nga situata ekonomike në Maqellarë apo në Kalanë e Dodës, flitet për një mjerim të skajshëm, që është një mjerim PD-PS. Një mjerim që jo vetëm nuk ka shenja shërimi, por ka mbërritur nivele shumë më të trishtuara se sa gjendja ekonomike e para viteve ’90, që për shumëkënd në Shqipëri, konsiderohet si niveli më i ulët. Kundrejt një situate ekonomike të dëshpëruar, askush nuk mund të bëjë fajtor dibranët, që pranoi më së shumti ofertat “bujare” me nga 20 dollarë apo 50 dollarë për votë.

Oferta që shoqëroheshin me kërcënimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë, se ata që do vazhdonin të mbesnin besnikë për PD, do të identifikoheshin si fise dhe familje dhe do të ishin pjesë e listave të zeza. Pra të papunë dhe nën “vëzhgim”!

Askush nga gazetarët tanë të mëdhenj nuk foli për realitetin e zymtë dibran. Që nuk është kjo zymtësi, vetëm pjellë e Rilindjes së palindur, të kësaj qeverie e të kësaj qeverisjeje pordhë shumtë e punëpakët, por e të gjitha qeverive që kanë kaluat këto 26 vjet në Shqipëri. Madje nën atë trysni që u vu Dibra dhe dibrani, që në shumë çaste të mëdha të kombit tonë, ka shkruar faqe të arta historie dhe kjo nuk është retorikë, se retorika në këtë vend tanimë është monopol i kryeministrit dhe i megafonëve të vet, ata ithtarë të PD, që votuan Partinë Demokratike në Dibër, janë më së shumti realisht idealistë.

Askush nuk e tha se në Dibër, si gjithkund në Shqipëri mbillet kanabis, por edhe lulëkuqe, farë e zgjedhur, që shërben për Opium dhe bazën e parë të prodhimit të kokainës.  Dhe askush se tha, se mjaft prej dibranëve të varfër, kanë dhënë tokat e tyre me qira, për mbjelljen e këtyre bimëve, nga të tretët. Dhe askush nuk e nënvizoi se dy javët e fundit të Fushatës që askush nuk pa të bëhet, sekserët, shkuan derë më derë te pronarët e tokave dhe kishin marrë tagër të kërcënonin me burg, në këmbim të votës për kandidatin socialist.

Dhe mjaft prej tyre që votuan majtas në Dibër, bënë 2 llogari njëherësh: prodhimin e shkatërruar,  e pra, cullët pa bukë, cullët janë fëmijët në dibrançe, dhe e dyta burgun dhe turpin publik. Një llogari kjo shumë e kushtueshme dhe e pamundur.

Tani nëse Lulëzim Basha do të ishte ndonjë sheik arab dhe jo një politikan “shqiptaro-hollandez”, do t’ja zgjidhte këtë dilemë pjesës më të madhe të dibranëve duke i blerë prodhimin dhe duke i dhënë paratë drëng në dorë, që të shkatërronin të mbjellat dhe të votonin moralisht PD.

Debati në Grupin Kuvendor të PD, është po i njëjti. Majlinda Bregu dhe Eduart Selami, që drejtojnë gishtin nga Basha. Ndërsa Astrit Patozi, ishte burrnor dhe krejt i arsyeshëm në analizën e tij të një dite më parë. Është mirë që PD ka debat dhe është mirë dhe në të drejtën e vet, edhe Bregu edhe Selami, të mos e duan, apo ta konkurrojnë Lulëzim Bashën. Por ata dhe të tjerët që ndikohen sinqerisht, duhet të kenë parasysh, se në këtë disfatë të Dibrës, nuk është Lulëzim Basha problemi. Problemi është metoda tmerrësisht e pisët, e eksperimentuar në Dibër.

Pra, legalizimi faktik i kanabisit është një kurth i dyfishtë. Shumica e shqiptarëve ruralë, janë të ftuar të mbjellin dhe të provojnë fatin e tyre me bimën çudibërëse. Por ndërkohë ata janë të listuar, të evidentuar dhe certifikuar.  Një për një dhe rast pas rasti. Të paktën në më të shumtën e tyre. Që do të thotë që nesër, në Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk është çudi që sekserët me ose pa uniformë, prurësit e farës apo kontraktursit e aferës, të shfaqen, në më të shumtën e Shqipërisë me lista në dorë. Me pyetjen e tmerrshme: “Votën ose burgun!” apo “Votën apo mbajtjen e prodhimit dhe licencën e mosprekjes për sezonin tjetër!”

Këtu Lulëzim Basha, duhet të kishte të paktën 10.000 marinsa amerikanë, për ta zgjidhur si duhet, moralisht dhe politikisht situatën. Dhe nuk mund të bëhet fajtor që nuk i ka, këta 10.000 marinsa! Faje dhe mëkatë të tjera lë ti gjinden me shumicë, por disfata e Peshkopisë, është një disfatë Kombëtare.

SHKARKO APP