Pafuqia e Barak Obamës si President
Obama dështoi në politikën e jashtme. Ai dështoi mbi të gjitha me Rusinë dhe kontribuoi në rritjen e besimit të kësaj të fundit dhe në rikthimin në një faktor i rëndësishëm global. Pamjet e masakrës në Alepo, thirrjet për ndihmë të fëmijëve që po masakrohen…
Nga Blendi Fevziu
8 vjet më parë ai ishte njeriu që e besonin të gjithë. Europianët mblidheshin me dhjetra mijëra në sheshe për ta parë (siç ndodhi në Berlin ndërkohë që ishte ende vetëm kandidat për president); rusët dhe kinezët qenë të lodhur nga stili agresiv i Xhorxh Bushit, ndaj besonin se Presidenti i ri do të ishte më i përqëndruar në punët e tij brenda kufijve të SHBA, Lindja e Mesme besonte se kriza e zgjeruar në botën myslimane pas ndërhyrjes në Afganstan dhe Irak do të gjente zgjidhje edhe atje.
Në Amerikë besonin se politikani i ri po bënte histori. Kriza ekonomike kishte trokitur dhunshëm në derë duke shkatërruar stabilitetin thuajse 70 vjeçar të vendit më të fuqishëm në botë. Në Irak dhe Afganistan numëroheshin afro 7800 ushtarë amerikanë të vrarë, shifra më e lartë që nga lufta në Vietnam. Në vend po ndizeshin tensione sociale dhe Barak Obama shihej si shpëtimtari i vendit të tij.
8 vjet më pas, shumë pak nga shpresat e zgjedhjes së tij, janë justifikuar vërtet. Nuk ka rëndësi të hysh në një analizë të thellë të gjithë Presidencës, por ka dy pika tek të cilat mund të thuhet se Presidenca e Obamës qe një dështim.
E para, Obama dështoi në pajtimin e brendshëm social dhe racor të Amerikës. Presidenti i parë me ngjyrë, që besohej se do të sillte një tjetër situatë dhe më shumë relaks në këtë drejtim, e çoi amerikën drejt Donald Tramp. Paaftësia e tij për t’i dhënë zgjidhje disa problemeve thelbësore dhe refuzimi për t’u përballur me to, kanë bërë që sot në amerikë racizmi dhe konflikti social të jenë më të thellë, madje dominues në votim siç ndodhi në zgjedhjen e Tramp. Zgjedhja e Donald Tramp, ishte produkt i drejtëpërdrejtë i paaftësisë për të zgjidhur apo shpjeguar disa fenomene të reja amerikane, madje më së shumti produkt i mënyrës se si amerika u administrua këto 8 vjet.
E dyta, Obama dështoi në politikën e jashtme. Ai dështoi mbi të gjitha me Rusinë dhe kontribuoi në rritjen e besimit të kësaj të fundit dhe në rikthimin në një faktor i rëndësishëm global. Pamjet e masakrës në Alepo, thirrjet për ndihmë të fëmijëve që po masakrohen dhe prindërve të tyre, po aq saç janë një njollë turpi në botën e qytetëruar, janë edhe një pafuqi e Amerikës për të luajtur rolin e saj si fuqi globale. Obama tentoi të ishte i pranueshëm për të gjithë. I kompleksuar nga përdorimi i forcës së parardhësit të tij, Bush, ai shënoi një vijë të kuqe në konfliktin Sirian pastaj nuk i qëndroi asaj. Ai tregoi dobësi si në Siri ashtu edhe në ngjarjet e Bengazit, duke i lënë rusisë të kuptojë që më shumë i ngjan Xhimi Karterit se sa Ronald Reganit. Hezitimi për ta ndaluar Rusinë në Siri çoi në aksionin rus në krime dhe në Ukrainë. Obama u mundua të faktorizohet përmes sanksioneve ndërkohë që thuajse çdo specialist i Rusisë insistoi në atë që Rusia e Putinit, si Rusia Sovjetike, ose ajo e carëve njohin vetëm një gjuhë, atë të forcës. Obama nuk qe aq i fortë sa duhej të përballte Rusinë. Ose donte të mos krijonte probleme me askënd. Tani në fund, befas ai gjendet në politikën e jashtme në një situatë absurde.
Perëndimi e akuzon direkt dhe papushim për masakrën në Siri dhe dështimin e botës perëndimore atje.
Rusia e akuzon për sanksionet dhe preferon në vend të tij, presidentin e zgjedhur Donald Tramp (Nuk është çudi që ky të adaptojë një politikë krejt tjetër në raport me Rusinë. Madje më të keqe për perëndimin).
Izraelitët e akuzojnë se ka qenë në mënyrë të vazhdueshme kundër tyre.
Bota myslimane e akuzon se nuk gjeti një zgjidhje për Palestinën, përkundrazi, krijoi më shumë probleme në Lindjen e Mesme pas negociatave me Iranin. Diplomatët e vendeve islamike të mbledhur në Marok, deklaruan se më shumë besojnë tek Tramp se sa tek Obama. Asnjë prej tyre nuk është i kënaqur me politikën e re ndaj Iranit dhe besojnë se ajo do të ndryshojë.
I vetëm mes të gjithëve, Obama do të largohet nga Shtepia e Bardhë si një President që e pati vështirë të marrë vendime të mëdha. Vendime që e ndajnë opinionin por që zgjidhin situatat e komplikuara kudo që janë. Ai tentoi të ishte një President për të gjithë, duke lënë në fund të pakënaqur thuajse të gjithë. Ai do të kujtohet për fjalimet e bukura dhe mënyrën se si hyri në shtëpinë e Bardhë. Krejt i vetëm dhe krejt për meritë të tij. Ai mund të kishte qenë një Sekretar i Mrekullueshëm i OKB – së, por Fuqia më e madhe e globit, kërkon persona që marrin vendime dhe mbi të gjitha, persona që nuk tërhiqen as përpara rusisë dhe as përpara diktatorëve kudo qofshin ata… Në të kundër ç’vlerë ka të jesh fuqia më e madhe e globit dhe të mos e përdorësh fuqinë tënde…Opinon.al