Pallati i nëmur i armenëve në Tiranë

Të gjithë sytë ishin drejtuar në këtë fasadë dy muaj më parë. Ambulancat nxorrën katër trupa të pajetë nga një lokal në këmbët e kësaj godine. Por ky pallat ka një histori shumë më të gjatë. Ai u ndërtua nga një familje armene. Të katër armenët e familjes Mesqian nuk jetojnë më. Vëllezër e motra do të vdisnin njëri pas tjetrit, pa lënë trashëgimtarë, e jo prej fatit por si betim të verdiktit të gjakut të tyre. Nuk pranuan kurrë të martoheshin me shqiptarët, edhe pse jetuan mes tyre, ndërkohë, kthyen pas edhe shumë propozime, qoftë dhe prej armenësh. Dy të fundit vdiqën, pas torturave që iu bënë kriminelët që donin t’ua merrnin pronën. Nuk u dorëzuan, përveç vdekjes që ua mori të gjitha. Anipse lanë emrin për godinën e tyre: Pallati i Armenëve, që gjendet m’u përballë Filologjikut…

Nga Ben Andoni, JAVA

Shumica e gazetarëve të kronikës, ditën e vrasjes së katër të rinjve prej djalit të ish-deputetes Xhuvani, ia referonin vendvrasjen thjesht pallatit përballë Fakultetit Filologjik dhe Ambasadës amerikane. Mosha e re, por më shumë ardhur prej qytetesh të tjera, ata nuk mund të dinin se historia e godinës ku u krye krimi, ishte më e madhe sesa ngjarja, që atë ditë pushtoi Tiranën.

Godinës te “Rruga e Elbasanit”, të cilës po i referohemi, njihet prej më shumë se 70-vitesh me emrin Pallati i Armenëve. Atributi kombëtar i mbeti prej një familje të njohur armene, pronare e saj, që nuk jeton më, e që nuk la pasardhës dhe që fatin s’e pati aspak të mirë në këtë jetë. Dy të fundit e familjes Mesqian u lidhën, u torturuan në ngucje të pranonin tjetërsimin e pronës së tyre. Dy të tjerët kishin vdekur më parë dhe përbënin ata pasardhës të mbetur të armenëve, që nga eksodi i viteve 1928 –1930, kohë kur një grup të mbijetuarish armenë, kryesisht intelektualë dhe profesionistë të shkolluar, zgjodhën Shqipërinë, ku mund të mbijetonin. Dhe, ia arritën, njësoj si kjo familje. Por bënë dhe më shumë falë aftësive të tyre. Mjeku personal i Zogut ishte armeni Mokin Poturlian, ashtu si Dr. Emil Asdurian që do shërbente si dentisti personal i Enver Hoxhës.

Në Tiranë

“I rrafën keq. Por nuk pranuan t’ua dorëzonin dokumentet. Ishin të mirë dhe shikonin thjesht punën e tyre. I kam nga plaku këto. Po dhe vetë i mbaj mënd”, më thotë një banor, 55 vjeçar, që shet çingërrima atypari. Pallati gjendet vërtetë mu përballë Filologjikut dhe rreth 80 metra tutje cepit të kompleksit të Ambasadës Amerikane. Por, vite më parë, kur u ndërtua, ishte një zonë e lirë dhe familja Mesqian e kish menduar ta kthente si hotel. Flitet se arkitekt Luarasi ishte skicuesi i kësaj ndërtese, e cila mund të vlerësohet edhe sot e kësaj dite prej elementëve fine arkitektonikë. Arkitekti i njohur, ndërkohë, ishte edhe skicuesi i shumë prej shtëpive të armenëve në Shqipëri. Vendi që zgjodhën plotësonte shumë nga idetë e familjes, ardhur në fundvitet ’20 nga Korça. Mbijetesën në Tiranë e kishin zgjidhur në një formë shumë origjinale. Kishin marrë një makinë ku përpunonin leshin dhe bënin triko me motive të mrekullueshme, për të cilat kishte radhë të tëra në Tiranë dhe prej ngado që porosisnin. “Njëherë e provova dhe unë,- na thotë Xovasar Çakmakxhian, një nga armenët më të vjetër dhe njohës i afërt i tyre. Por a e dini se kush ishte përgjigja: Kemi radhë. Do të presësh kur të vi radha. Je njësoj si të tjerët. Po unë jam gjaku juaj? Jam armen. Por, je njësoj si të tjerët m’u përgjigjën”. Ishin aq korrektë, saqë dukeshin pedantë para të tjerëve, shton “Mësuesi i merituar” Çakmaxhian, që po përpiqet të bëj një histori të armenëve në Shqipëri. “Kur ndokush çante dru dhe bënte potere, apo shkaktonin zhurma, Shahani, zbriste dhe na thoshte: mos. Dhe e bënte vetë. Ja kështu bëhet, thoshte. Pushojnë njerëzit!”, më thotë komshiu i tij. Nuk e donin zhurmën, por donin që ne të gjithë komuniteti të ishim mirë. Me kohë u bënë pak shtëpi përreth, por familja e përbërë nga Shahani, Rupeni, Agavnia dhe Virxhinia shkonin mirë. Asnjëherë nuk përziheshin. Kurrë s’kishte zhurmë prej tyre. Si të futur në kuti, ku s’duhet të bezdisnin askënd, më sqaron një komshie tjetër. Shahani, vëllai më i vogël, kishte gjetur edhe një mjet tjetër jetese. Duke shfrytëzuar hapësirën e madhe afër, kishte ndërtuar anash pallatit një si stallë të vogël, ku mbanin lopë. “Ai pastaj shpërndante qumështin në Tiranë dhe radha ishte bajagi e gjatë dhe për këtë”, kujton Çakmaxhian. Jeta e tyre rridhte e qetë përmes cingërrimës monotone të makinës së trikotazhit dhe nxjerrjes së qumështit. Armenët kanë traditë të jashtëzakonshme sa i përket leshit dhe qumështit dhe ata i përcollën realisht këto tradita, më kujton mësuesi i vjetër.. “E megjithatë informacionin për ta e merrnim shumë të kufizuar. Askush, sot, s’është në gjendje të thotë diçka për arsimimin e tyre. Sipas një kodi të brendshëm të familjes, Mesqianët rrinin shumë të veçuar dhe s’përziheshin shumë dhe me bashkëkombasit e tyre”. Ishin pak mister, e përmbyll burri i vjetër. Madje, edhe nga ç’qytet vinin si origjinë, nuk mund të dihej me saktësi, prej fjalëve të tij.

 

Po si erdhën dhe si jetuan

Një pjesë e komuniteti armen dhe ata që i kanë njohur piqen në një vend, kur flitet për origjinën e tyre. Armenët e Shqipërisë janë pjesë e asaj vazhde të madhe armenësh, që pasi i shpëtuan genocidit turk, përshkuan Greqinë dhe mbërritën në Shqipëri. Mes tyre mendohet se këtë udhëtim bëri edhe familja Meqian, e cila u vendos fillimisht në Korçë, nga ku u përshtat dhe u mor me përpunimin e leshit, në formë industriale. Kujtimet e ndryshme bëjnë me dije se trikotazhin në qytetin e Korçës e lidhin me armenët. Të katër pjesëtarët e familjes punuan aq shumë, saqë arritën që me paratë e fituara të mendonin të shpërnguleshin sërish, por këtë herë me një qëllim. Do të ndërtonin një hotel të tyrin. Një minishtëpi dhe atdhe i tyre. Në Korçë nuk ishte aq i këndshëm vendi për qëllimin e tyre, kurse Tirana në llogaritë e tyre, si kryeqytet do të merrte vlerë në të ardhmen. Armenëve të ndjekur, kudo, u interesonte e ardhmja dhe asfare e shkuara. Me zgjuarsinë tipike të racës, më ‘41 dhe ’42, kur Shqipëria kish filluar të ndjente erën fashiste dhe begatinë e momentit propagandistik, ata gjetën vendin e duhur dhe ndërtuan. Ndërtimi u bë menjëherë aty ku Tirana gati s’kishte fare banesa dhe Meqianët filluan të planifikonin menjëherë t’ardhmen. Nuk mundën ta kthenin dot në hotel, por anash në një hapësirë të madhe mund të mbanin bagëti dhe lopë. Me një logjikë të pastër industrialo-bujqësore, ata vendosën t’i shfrytëzonin të gjitha mundësitë dhe atributet që kishin. Ndërkohë, njëra nga motrat, Virxhinia përshkoi rrugë tjetër. Mësuesja e anglishtes njihej si një nga gratë më interesante të qytetit. Kujdestare dhe mësuese në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, që më 1933 u themelua prej Ivanaj, ajo do të mbetej në mendjen e dhjetëra- qindra vajzave të para-luftës për kulturën, rregullin dhe sqimën. “Një grua e këndshme që të gjithë e kujtojnë me shumë respekt. Ishte krenari dhe për ne armenët. Ajo rrezatonte kulturë, por edhe finesë”, thotë burri.

“Në fakt, dy vëllezërit ishin të shkurtër dhe shumë të mbledhur”, më thotë një burr, që shet cigare pas shtëpisë së tyre. Ma bën me shenjë që të më tregojë se ishin shulakë dhe tepër të angazhuar me gjërat e tyre, por Virxhinia (bën me shenjë, që ishte shumë e këndshme….) Virxhinia do të arrinte të jepte mësim rregullisht edhe në klasat e para të Shkollës së Mesme “Petro Nini Luarasi”. Njohja e mirë e anglishtes i bën armenët që pyesim, të dyshojnë se ka të ngjarë që familja Meqian, të kenë qenë pjesë e një grupi armen, që pas gjenocidit dhe pas shumë peripecish nëpër Evropë, përfunduan në Amerikë dhe që andej erdhën në Shqipëri.

Në jetën e tyre monotone, ku qumështi dhe trikot do të ishin burimi jetësor do të kishte një trandje të vogël më 1959. Për shkak të marrëdhënieve të mira me Bashkimin Sovjetik, një grup i armenëvë shqiptarë gjetën mundësi të ktheheshin dhe të kontaktonin me njerëzit e tyre në Armeni. Grupi i vogël i armenëve nga Shqipëria qëndroi për gati një muaj dhe do të sillnin shpresën e gjakut që kish mbetur gjallë, kurse Shahani, vëllai më i vogël i familjes Meqian pjesëtar i delegacionit, edhe një propozim martese. Një të tillë do të kishte dhe në Shqipëri, madje me një vajzë prej komuniteti. Kjo ngjalli reagimin e egër të anëtarëve të tjerë të familjes së tij, që dukej se ishin betuar të mos martoheshin me askënd. Me këtë rast, familja humbi edhe një mundësi të artë që të trashëgonte pasurinë.

Por sikletet do të vijonin pak nga pak pas ‘60. Shtëpitë që po u afroheshin dhe banorët ziliqarë e kishin çuar ankimin, se pse ata duhej të kishin kaq shtëpi të madhe! Një ditë do e gjenin veten të kërcënuar direkt nga regjimi, që u sekuestroi krejt pronën e tyre. Iu bindën administratës së shtetit të ri sepse e dinin që me këtë lloj regjimi nuk ke çfarë të bësh. Kërkuan, si ‘shpërblim’, cepin e pallatit të tyre. U përshtatën në një sallë të madhe, e cila nuk arriti të mbarohej kurrë. Atje jetuan për pjesën e mbetur të jetës: në qetësinë e tyre, me punët e zakonshme dhe me betimin  e tyre të mos përziheshin me shqiptarët. Vitet ’90 do të gjenin gjallë vetëm Rupenin dhe Agavninë dhe këta të dy do të ishin peng i një grupi keqbërësish, që donin t’ua merrnin pronën për të cilën pleqtë po trokisnin në të gjitha dyert autoritare për ta rikthyer sipas ligjit. Vërtetë keqbërësit nuk ia arritën, por aman u shkurtuan ditët dy armenëve të fundit, jeta e të cilëve, deri më atëherë, kish kaluar nga një kalvar në tjetrin.  Kurse, ata, në vend të ankimit e zgjidhen me punë dhe në respekt të idealit të tyre. Jeta ka parametra të tërë dhe një ditë ata e mbyllën në qetësi. Vërtetë, askush nuk arriti të heqë emrin e pallatit, që sot njihet prej të gjithë tiranasve si “Pallati i Armenëve”.

Jo vetëm ndërtesa, por edhe jeta dhe zakonet e tyre janë një nga kontributet për kryeqytetin tonë, por edhe për komunitetin e tyre, që sot është rrudhur shumë. Jahanexhian; Papazian; Piranian; Çakmakxhian; Badejan; Avakian, Kenaxhian, Oskian, Shahnian, Mgrdiçian, Aleksanian, Gjylezian, Eskian etj., në sajë të punës së tyre të ndershme, si edhe falë mikpritjes dhe mbështetjes tradicionale shqiptare ndërtuan bizneset e tyre, por shumë syresh edhe lanë kujtime të jashtëzakonshme, si këto të familjes Meqian.

“Të gjithë i kujtojmë të katër armenët për njerëz të mrekullueshëm. Shikonin punën e tyre dhe nuk ngatërroheshin me askënd. Po ua morën jetën! Pastaj shteti…”. Komshiu mbledh buzët dhe fërkon duart prej t’ftohti. Ndahemi. Dimër 2015.

SHKARKO APP