Pallati i Zamirit të Bitijes
Gjithë banorët e Korçës e mbajnë mend një dyqan djathi në vitet ’80. Shitësja e bulmetores ishte një nga njerëzit më të pushtetshëm të qytetit. Bitija kontrollonte gjithçka përmes një mekanizmi fare të thjeshtë. Arma e saj ishte hirra. U bënte hile në kandar gjithë klientëve. Gjysmën e lekëve që fuste në xhep nga hirra që shiste për djathë e fuste në xhep, gjysmën e tjetër e ndante, sigurisht në natyrë. Sekretari i parë i partisë , ai i dytë , i tretë, kryetari i komitetit, shefat e seksioneve dhe sigurisht shefi i gazetës lokale të qytetit në darkë merrnin napa me djathë, gjalpë e gjizë si dhuratë nga dyqani i Bitijes. Në këto rrethana askush nuk hapte gojën dhe gjithë qytetarët dilnin kokulur me qesen e djathit nakatosur me hirrë. Tirana e sotme i ngjan fiks Korçës së 30 viteve më parë. Me një ndryshim të vetëm. Hirrën po na e shet për djathë jo Bitija , por djali i saj, Zamiri. Kjo fotografi është bërë në hyrje të Liqenit Artificial përballë Fakultetit Ekonomik. Ekskavatorët po hapin gropën për ndërtimin e një pallati 13katësh. Askush nuk flet për këtë barbari ambientale. Të gjithë heshtin dhe ndryshojnë rrugën kokulur siç dilnin 30 vjet më parë banorët e Korçës nga dyqani i Bitijes. Djali i saj u ka mbyllur gojën të gjithëve që kanë në dorë që kjo masakër të mos ndodhë.
Ironia më e madhe ndodh se pallati ka filluar të ndërtohet pikërisht në kohën kur turma protestuese po kanalizohet në anën tjetër të Parkut. I janë turrur këndit të lojërave që po ndërtohet. Ata që i prijnë turmës e dinë se nëse duhet shkulur diçka është pikërisht ky ekskavator që po gërmon para fakultetit ekonomik. Dhëndri i Berishës është pa dyshim një nga njerëzit më të informuar. Nëse mendon se duhet luajtur “ambientalistash” dëmi që i bëhet mushkërive të kryeqytetit nuk është ai kënd i lojërave por pikërisht ky pallat që ka nisur të ndërtohet. Por ai hesht, siç heshtin të gjithë në Partinë Demokratike. Sepse e vërteta është fare e thjeshtë. Për të ndërtuar këtë pallat ligjin e ka shkelur Berisha dhe Basha, kur ishin njëri kryeministër dhe tjetri kryetar bashkie. Kjo është gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër është se djathin e nxjerrë me lekët e hirrës së djalit të Bitijes duhet ta ketë shijuar dhe gjysma tjetër e politikës. Sapo hyri në zyrë Rama pezulloi gjithë lejet e ndërtimit, por në një nga mbledhjet e Këshillit Kombëtat të Territorit, kryeministri dhe kryetari aktual i bashkisë firmosën që kjo monstër urbanistike të ndërtohet. Madje firmosën për 13 kate ndonëse kanë nxjerrë urdhrin që në Tiranë të mos ketë asnjë ndërtim mbi 9 kate. Me parimin : shto ujë djathit dhe shite hirrën për djathë, Zamiri u bë oligarku kryesor I vendit. Duke qenë oligark nuk pranonte ta identifikonin më si Zamiri i Bitijes. Tek e fundit kishte të drejtë. Hirra dhe djathi ishin harruar. Tashmë parinë e vendit e sajdis në Vjenë. Kështu që nisën ta quajnë Zamiri i Vjenës. (Diçka e ngjashme si ai personazhi i Balzakut që nga Lysien Shardon filloi të quhej Duka IiAngulemit). Pavarësisht se nofkës së tij i shtoi emrin e një qyteti perandorak parimi i punës së Zamirit mbeti i njëjtë, hirra. Përmes këtij mekanizmi i ka vënë në rresht të gjithë ata që kanë pushtet. Asgjë nuk ka ndryshuar. Për shembull: kur ndërtoi qendrën tregtare u kujdes që zyrtarët e atëhershëm të ndryshonin planin urbanistik ndonëse kishte kaluar njëherë në qeveri. E njëjta gjë ndodh dhe tani. Për fat të keq, në vendin ku do ndërtohet 13katëshi kalojnë tubat e ujërave të zeza të qytetit. Por hirra çan bllokadën. Ujësjellësi i Tiranës është detyruar të zhvendosë me fondet e veta këta tuba, ndryshe pallati s’mund të ndërtohej. Të gjithë që kalojnë andej pari mbyllin hundët nga era e keqe dhe ulin kokën të heshtur siç dilnin nga dyqani i djathit 30 vjet më parë. Kjo është arsyeja përse protestat e fundit te Parku i Liqenit Artificial i ngjajnë një teatri kukullash ku aktorët kryesorë të vendit lëvizin marionetat.
Në fakt marionetat e vërteta nuk janë protestuesit. Marioneta janë ata që kontrollojnë protestuesit. Tre vjet më parë, Rama erdhi në pushtet duke premtuar se do luftonte oligarkët, se do ju hiqte gjithë monopolet dhe koncesionet qe ju kishte dhënë Berisha e Bode. Por nuk ndodhi kështu. Kush është rritur tek dyqani e djathit e dinte parimin e dobësisë njerëzore. Dhe këta që erdhën e donin tu vinte në darkë napa e djathit. Për këtë arsye i trajton si marioneta. Madje filloi ti tallë. Pasi i lashë çantën një ministri që sapo kishte hyrë në zyrë u emocionua aq shumë sa më përcolli duke më bërë temana deri tek trotuari ku janë kambistët, u rrëfente miqve të tij. Oligarkët e kishin mbyllur tërësisht qarkun. Një tjetër oligark që Rama dhe të vetët betoheshin para zgjedhjeve se do t’i tregonin vendin filloi dhe ai të tregojë barcaleta: Këta janë pabuksa bre lala, pasi e vesha nga koka tek këmbët në një butik në Vjenë një drejtore dogane, më tha më duhen dhe 20 mijë euro për të paguar këstin e kredisë së shtëpisë. Oligarkët jo vetëm kontrollojnë gjithçka, por me të dyja qeveritë e fundit hartojnë dhe paketën fiskale. Të gjithë shqyen sytë nga habia si ul barra fiskale jo për qumështin dhe vezët siç ishte premtuar në fushatë, por për pijet energjike. Hirra çan bllokadën. Gjithë klasa politike duket e kapur nga oligarkët. Kur premtoi se do luftonte oligarkët, Rama nuk ka dashur të çmontojë monopolet që ishin në funksion të Berishës. Deri tani ka treguar se synonte t’i merrte Berishës jo pushtetin por oligarkët. Por as Blushi dhe askush tjetër që kërkon të ndryshojë panoramën politike nuk i ka përmendur deri tani me emër oligarkët. Dhe nëse nuk e bën një gjë tillë dhe ai si Rama nuk qan hallin e njerëzve në nevojë por kërkon pjesën nga dyqani i djathit. Redaksia Online (Gre.M/Sjqiptarja.com)