“Panama Papers” alarmojnë autoritetet e hetuesisë
Bërja publike e të dhënave mbi firmat fiktive të politikanëve dhe personaliteteve në Panama kanë nxitur hetimet në mbarë botën. Kancelaria e prekur e sheh veten të vënë në shënjestër me pa të drejtë.
Më shpejt reagoi autoriteti fiskal në Australi. Zyra e tatimeve deklaroi, se do të verë në shënjestër mbi 800 klientë të pasur të kancelarisë në Mossack Fonseca në Panama për mundësinë e evazionit fiskal. Më parë gazeta “Süddeutsche Zeitung ” njoftonte, se i janë vënë në dispozicion të dhëna voluminoze për firmat fiktive në Panama. Nga dokumentacioni i analizuar me një aleancë ndërkombëtare mediatike rezulton, se një sërë politikanësh, sportistësh dhe personalitetesh ndërkombëtare kanë depozituar paratë e tyre në firma offshore. Firmat fiktive janë themeluar kryesisht në kancelarinë Mossack Fonseca sipas të dhënave që posedon “Süddeutsche Zeitung”.
Eksperti gjerman i tatimeve Frank Wehrheim parashikon, që pas këtij zbulimi spektakolar do të ketë “hetime në mbarë botën”. Edhe në Gjermani po ndiqen me mjaft kujdes këto publikime, tha Wehrheim për gazetat e grupit mediatik Funke-Mediengruppe. “Tani të gjithë hetuesit e fiskut në republikë janë përqendruar tek këto të dhëna. Kemi të bëjmë jo vetëm me evazion fiskal, por edhe me larje parashë dhe krime të tjera”, thekson Wehrheim, i cili edhe vet është hetues fiskal. “Në këtë sfond të gjitha CD me të dhëna të zbuluara deri më tani duken si një çikërimë.”
Themelimi i firmave që përmbajnë vetëm një adresë postale është legal. Por shpesh ato përdoren për ta fshehur pasurinë prej zyrës fiskale. Nënkryetari i partisë socialdemokrate gjermane Ralf Stegner në sfondin e njoftimeve në media kërkoi që të veprohet më rreptë kundër atyre që kryejnë evazion fiskal. “Lufta kundër oazeve tatimore duhet të bëhet më me konsekuencë dhe duhen mbyllur të gjitha zbarstirat që krijon sistemi ligjor”, i tha Stegner gazetës “Handelsblatt”. Miliona herë evazion fiskal është “krimi më i rëndë ndaj komunitetit”. Në mënyrë të ngjashme kanë reguar edhe politikanë të tjerë të partive “E Majta” dhe ajo “Të Gjelbërit”.
Kancelaria panameze Mossack Fonseca pranoi, që pjesërisht dokumentat e bëra publike i përkasin asaj. “Ne na kanë ndërhyrë në sistem (hack). Ky është një krim”, tha avokati i kancelarisë Ramón Fonseca Mora. Ai e drejton kancelarinë bashkë me avokatin me origjinë gjermane Jürgen Mossack. Njëkohësisht Fonseca deklaroi, se sipërmarrja e tij nuk ndihmon në larjen e parashë apo në evazionin fiskal. Kancelaria në fakt themelon firma dhe ua shet ato bankave, administruesve të pasurisë apo avokatëve. Me konsumatorët nuk ekziston asnjë marrëdhënie biznesi.
Presidenti i Panamasë Juan Carlos Varelatha premtoi bashkëpunim të plotë të vendit të tij në zbardhjen e rastit. “Qeveria e Panamasë ndjek politikën e tolerancës zero në të gjitha fushat e së drejtës dhe financave, ku nuk punohet në shkallën më të lartë të transparencës”, thuhet në një deklaratë të presidentit. Prokuroria në qytetin e Panamasë ka nisur ndërkohë hetimet.