Pandemia tregoi se politika na do të ndarë
Nga Kim Mehmeti-
Trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup ka disa muaj që i ka rrugët e mbyllura, sepse janë lëshuar tratë që ndajnë kufijtë shqiptaro-shqiptarë. Pra kanë kaluar muaj qysh se Kosova kujdeset që virusi i saj të mos i infektojë shqiptarët e Shqipërisë dhe, mëmëdheu bënë çmos që virusi i atjeshëm të mos e kalojë Qafën e Thanës, e të vijë këtej kufirit, të na infektojë neve shqiptarëve të Maqedonisë.
Mos kishte ndodhur kjo pandemi ne kurrë nuk do e kuptonim se një nga përparësitë e popullit të copëtuar është se ai ka më shumë sisteme të mbrojtjes shëndetësore. Dhe nëse dështon njeri, aty është sistemi shëndetësor i ‘Shqipërisë’ tjetër, që ta shpëtojë pjesën e mbetur të popullit!
Mos kishte ndodhur kjo pandemi ne kurrë nuk do e dinin sa na duan burrështetasit tanë dhe sa të kujdesshëm janë ata ndaj shëndetit tonë. Madje do vdisnin me bindjen se ata nuk dinë gjë tjetër përpos të na plaçkitin dhe njëherë në katër vite, të na e kërkojnë votën.
Dhe kjo pandemi na mundësoi të shohim se burrështetasit tanë do donin që përgjithmonë të ishim kështu siç jemi tani: me maska në fytyrë, që të mos mund të komunikojmë lirshëm mes veti dhe, duke qëndruar disa metra larg nga njëri tjetri.
Po pra, burrështetasit autokratë të “Shqipërive” tona do donin përjetë të mbetemi ‘kafshë’ që nuk mendojnë, por veprojnë vetëm ashtu siç u thuhet. ‘Kafshë’ të trembura që e shikojnë në sy prijësin, i cili do u tregojë ku të fshihen, që ta shmangin vdekjen!
Ndërkohë u pa edhe ajo se burrështetasit e “Shqipërive” tona nuk mund t’i shpërqendrojë asnjë pandemi. Dhe përderisa ne rrinim mbyllur nëpër shtëpitë tona, ku prisnim lajmin se i kemi shpëtuar virusit, ata vazhdonin të bënin atë që kishin bërë gjithmonë më parë: plaçkitjen ‘ligjore’ nëpërmjet tenderëve të shpallur në kohë ‘lufte’ dhe, mbledhjen e haraçit që u takon ‘mercenarëve’ që na kanë çliruar nga armiku.
Pra burrështetasit e ‘Shqipërive’ tona pandeminë e përdorën ashtu siç e meritojnë ata që besojnë se shëndetin e tij mund ta mbrojnë plaçkitësit dhe përbuzësit e popullit. Pra siç e meritonin ata që besonin se Presidenti i Kosovës është i brengosur për shëndetin e shtetasve të vete, e jo për rrëzimin e qeverisë së VV dhe për nxitjen e qytetarëve t’i kundërshtojnë vendimet e institucioneve të shtetit që ai përfaqëson.
Ndërkohë edhe Piktori i ‘Rilindjes’ u tregua i pathyeshëm në vendosmërinë e tij që Shqipërinë ta deshqiptarizojë thuajse poaq sa Presidenti serb Luginën e Preshevës. Dhe kështu, pasi shqiptarët i trishtoi dhe i mbylli nëpër shtëpitë e vete, pas mesnatës së 17 majit, ashtu siç i ka hije çdo hajduti dhe rrugaçi të pabesë , doli dhe e rrënoi Teatrin Kombëtarë – e shndërroi në gërmadha mbëmendjen teatrore të shqiptarisë!
Vetëm burrështetasit e Maqedonisë nuk u treguan aq shtetrrënues sa Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë. Presidenti i këtij vendi e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme, jo pse ishte gjithaq i brengos për shëndetin e qytetarëve të vet, por pse duhet mbajtur zgjedhjet parlamentare, shkaku se shteti nuk ka as qeveri legjitime, e as parlament dhe, mund ta sundosh vetëm me ndihmën e rrezikut nga virusi.
Sidoqoftë ne vazhdojmë të mos shihemi mes veti. Siç vazhdojmë të mos e pyesim vetveten se ç’të duhet jeta nëse duhet të jetosh si ‘kafshë’ që nuk mendon, por vepron vetëm ashtu siç i thuhet. Dhe se ç’të duhet të jetosh nëse nuk mund t’i puthësh e përqafosh ata që i do dhe që të duan!?
Ne harruam të pyesim vetëm se sa vlen jeta pa liri dhe, si do ia bëjmë nëse ky virus vendos të mos na ndahet, por të bashkëjetojë përgjithmonë me ne?! Siç harruam t’ia shtrojmë vetvetes pyetjen se sa të vlen shëndeti fizikë nëse e dëmton shëndetin mendor!?
Po pra, trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup, i ka rrugët e mbyllura. Tratë e kufijve shqiptaro-shqiptarë nuk të lejojnë të kalosh nga kjo “Shqipëri” te ‘Shqipëria’ tjetër. Por siç duket, nuk ka pandemi që mund t’i mbyll rrugët e trekëndëshit Tiranë-Beograd-Prishtinë dhe nuk ka virus që mund ta dëmtojë bashkëpunimin vëllazëror politik shqiptaro-serb. Gjë që e dëshmon ngutja e Presidentit të Kosovës që një ditë e më parë ta rrëzojë qeverinp e VV, që ia dëmtonte miqësinë me presidentin Serb dhe, ngutja e Piktorit të ‘Rilindjes’ që sa më shumë t’ia shlyej shqiptarisë mbëmendjen për të shkuarën e vet.
Dhe doli se as ky virus, as cilido tjetër, nuk mund të na rrezikojë e dëmtojë aq sa disa burrështetas tanë. Për shembull, aq sa ata të Kosovës të dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit dhe sa ata të ‘Rilindjes’ nga Tirana, të cilët e bënë më të dukshme të vërtetën se ‘Shqipëritë‘ tona ishin dhe mbetën vende ku, ose rrënohet mbëmendja për të shkuarën kombëtare, ose shitet e ardhmja e shqiptarisë. Dhe duke qenë të tilla, ato gjithnjë e më shumë ngjasojnë në organizata joqeveritare, të cilat i mirëmbajnë donatorët Perëndimorë, por i drejtojnë hajdutët vendorë.
KM