Paniku dhe sulmet nuk janë zgjidhje për sigurinë ushqimore

Nga Mentor Kikia 

Nëse ka një fushë në të cilën është abuzuar në kurriz të shqiptarëve, ajo është idustria e ushqimeve.

Nuk bëhet fjaë për anën financiare, por së pari për abuzumin në dëm të shëndetit. Hapja e kufinjve në 1991, gjeti një popull të uritur, tregje tërësisht të zbrazura dhe një vend pa shtet.

Ndaj vërshuan mbetjet e magazinave nga vendet fqinje deri në Argjentinën e largët. Prodhuesit vendas u futën në garë kush të mashtronte më shumë.

Në 1993 shtatë persona vdiqën brenda një jave në Tiranë, si pasojë e pijeve që bëheshin me alkool metilik në bodrumet e lokaleve.
Gati 30 vjet më pas, situata nuk është më ajo, por sërish manipulimi është evident.

Sërish ka pije alkoolike, që prodhohen në mënyrë artificiale me ngjyrues kimike dhe alkool, dhe na shiten për verë, konjak e fërrnet. Sërish ka qumësht dhe nënprodukte që bëhen me niseshte e qumësht pluhur, e na shiten për qumësht “bio”.

Për shkak të ndjeshmërisë ndaj ushqimit, çdo publikim sot në rrjetet sociale përhapet rrufeshëm. Padyshim që ndjeshmëria është një gjë pozitive. Muajt e fundit kam lexuar shumë denoncime të tilla, kryesisht ndaj agro-përpunuesve dhe rrjeteve të supermarketeve.

Qytetarët dhe mbi të gjitha media online, i publikojnë këto denoncime pa më të voglën përpjekje për verifikim, dhe pa më të voglën etike profesionale, për të referuar edhe palën tjetër.
E di që është e vështirë të përpiqesh të arsyetosh në këtë situatë, pasi shumica e qytetarëve mendojnë se të gjithë ata që prodhojnë dhe shesin janë mashtrues.

Dhe për këtë këta prodhues-tregtarë kanë dhënë prova me bollëk. Por si profesionist i medias dhe qytetar që denoncimin e ka pjesë “organike”, unë mendoj se duhet të jemi pak më profesionistë, për dy arsye: E para, për ti shërbyer më shumë e më mirë denoncimit si kauzë, pra për të arritur të ndëshkojmë vërtet atë që abuzon e mashtron. Dhe e dyta, për të qenë më korrketë, për të mos përhapur panik por edhe për të mos dëmtuar sipërmarrësit e ndershëm.

Kam lexuar për disa javë me radhë lajme në një portal, mbi produktet e rrezikshme të një rrjeti supermarkestesh, derisa në faqen e portalit u vendor një “katror”, me reklamën e këtij rrjeti.

Kam lexuar lajmet në mediat sociale, që denoncojnë një kompani se shet mish të kalbur, pa bërë asnjë verifikim, por vetëm duke bërë thirrje për ti bërë “Share” fotos që kishte dërguar një qytetar. Kam lexuar thirrje për bojkotim marketesh, pas një akuze të dikujt që kishte blerë një produkt pa afat skadence.

Më shumë se përpjekje për të vënë para përgjegjësisë ata që mashtron, ka një etje për histeri publike kundër dikujt apo disave. Ca vënë gjoba, ca kërkojnë reklama, ca kërkojnë “Share” e “Like”. Pak kërkojnë drejtësi dhe rregull në këtë vend kaotik.

Si blerës, unë i shikoj imtësisht skadencat e produkteve dhe nëse shikoj diçka që nuk shkon, nuk vrapoj në fb, por së pari ‘ia plas surratit’ menaxhierit në market, ose e lë në banak, e marr një tjetër.

Nëse jam i bindur se këtu ka një mashtrim masiv të qëllimshëm, atëherë e denoncoj ku të mundem, tek AKU, në media, në rrjtet sociale.

Por si gazetar, unë nuk mund të publikoj si skandal çdo dyshim të konsumatorëve. Unë mendoj se krijimi i panikut nuk zgjidh asgjë.

Përkundrazi, një investigim i mirë, serioz e dinjitoz, mund ta vendosë abuzuesin me shpatulla pas murit. Dhe jo të japim alarmin për cdo domate të shtypur që gjejmë nëpër dyqane.

SHKARKO APP